Fshati i thellë i Mokrës së Sipërme, si kamp internimi për dy dekada

    570
    Shumica e fshatrave të Mokrës prej shumë kohësh vuajnë mungesën e financimeve nga ana e qeverisë, për krijimin kushteve kryesore (jetike), siç janë krijimi i një qendrave spitalore brenda fshatrave, ndërtimi apo rikonstruktimi i një shkollave, kopshteve apo rrugëve. Këto probleme janë ato të cilat kanë izoluar plotësisht banorët e këtyre fshatrave, kryesisht ato të zonave më të thella. I tillë është rasti i fshatit Hondisht, fshat i cili shtrihet në Mokrën e Sipërme, të cilin e përfshin Komuna e Trebinjës. Historiku i këtij fshati të bën mjaft kurioz, në momentin që e dëgjon nga dikush tjetër, por nëse nisesh për të shkuar në këtë fshat do të duhen më shumë se 3 orë e gjysmë udhëtim me makinë, nga qyteti i Pogradecit për të shkuar në brendësi të fshatit, rrugë e cila është vetëm 40 km, por që mungesa fondeve prej më shumë se 20 vitesh, ka bërë që rrugët e kësaj zone të jenë plotësisht të shkatërruara.Fshati Hondisht, sot është thuajse i zbrazur, i fjetur, pasi banorët që jetojnë në këtë fshat, nuk e kalojnë numrin e më shumë se 30 familjeve, nga më shumë se 170 që kanë qenë para 10 vitesh. Gjendja në këtë fshat sa vjen dhe vështirësohet. 

    Banorët e këtij fshati, më saktë ata që kanë mbetur, për shkak të emigrimit të të rinjve dhe të largimit të shumë familjeve të tjera drejt qytetit, tregojnë për gazetën “Telegraf”, se jetesa është vështirësuar shumë për shkak të kushteve të vështira ekonomike, por dhe mungesës së financimeve dhe shkatërrimit të rrugëve që të lidhin me fshatrat përreth dhe me Komunën e Trebinjës, nga ku marrin shërbimet kryesore, duke filluar që nga marrja e shërbimit mjekësor, shkollimi i mesëm i fëmijëve të këtyre familjeve, dhe shumë shërbime të tjera, mungesa e të cilave vështirësojnë jetesën e përditshme të këtyre banorëve. Shqyria, një e moshuar rreth moshës 85 vjeçare, na tregon se, fëmijët i ka në emigrim, nipërit paradite janë në shkollën e shkatërruar, si pasojë e mungesës së investimeve, ndërsa pasdite këta fëmijë janë duke bërë punët e fshatit, si ruajtja e bagëtive, puna në arë apo dërgimi në fshatin tjetër (Çezmë) për të bërë pazarin me kafshë, sepse makina e vetme në këtë fshat, mund të duket një herë në dy apo tre ditë, kur ka punë i zoti i makinës, i cili është banor i po këtij fshati. 

    Zonja Shqyrie, na tregon dhe për kushtet e vështira në të cilat jetojnë banorët e Hondishtit. Më kryesoren, atë të mungesës së një qendre spitalore. E moshuara tregon se për një vizitë, vaksinë apo gjilpërë janë të detyruar t’i drejtohet Komunës Trebinjë, e cila është 15 km larg nga fshati, rrugë kjo, e cila duhet të kryhet me kafshë, pasi mjeti në kohë urgjence nuk mund të gjendet asnjëherë. Mungesa e një mjeku në fshat, detyron këta banorë që të udhëtojnë për orë të tëra për të marrë shërbimin mjekësor në Komunë. Vështirësitë për këta banorë bëhen akoma më të theksuara gjatë dimrit, kohë kur fshati Hondisht bllokohet plotësisht nga rënia e reshjeve të dëborës. Nipi i vogël 7-vjeçar i zonjës Shyqyrie, i cili këtë vit hyri në klasën e parë, na thotë se në shkollën ku ai shkon çdo ditë, nuk ka asnjë kusht, muret janë të rëna, çatia pikon, bankat janë të prishura, mjetet për mësimin mungojnë, duke vështirësuar procesin mësimor. Në këtë shkollë, shkojnë vetëm disa nxënës, të cilët nuk kanë detyrim vetëm shkollën, por edhe punët e pasdites, pasi prindërit nuk mundin dot t’i bëjnë të gjitha. Një mësues në këtë shkollë jep disa lëndë, duke bërë që cilësia e mësim dhënies të jetë tepër e dobët. Në këtë shkollë rikonstruktimet e fundit nuk mbahen mënd se kur janë bërë, duke u lënë në harresë të plotë nga pushteti lokal, i cili justifikohet se, nuk ka financime nga ana e qeverisë për këto fshatra të thella.

     Gjendja ekonomike e këtyre banorëve varet nga ajo çfarë nxjerrin vetë, me bujqësi apo blegtori, pasi për punësim nuk bëhet fjalë. Edhe ndihmat sociale në shumë raste ju priten me pretekstin se kanë toka dhe se nuk e meritojnë. Të vetmit që e vizitojnë këtë fshat janë të huaj, të cilët kanë dëgjuar gojëdhëna për fshehjen e një thesari në këtë zonë. Sipas legjendës ky është thesari i mbretëreshës Teuta. Thuhet se në vitin 230 p.e.s, i cili sipas gojëdhënave është fshehur në territorin e qytezës së lashtë Lungë, sot fshati Llëngë. Thesar i cili përbëhej nga një sasi e konsiderueshme ari, argjendi dhe stolish me gurë e diamante të çmuar. Zonja Shqyrie na tregon se, kjo legjendë ka sjellë në këto anë shumë të huaj, të cilët janë të vetmit vizitorë që shpresojnë se do gjejnë ndonjë gjë, por deri më tani nuk kemi marrë vesh të kenë gjetur, – shprehet e moshuara. Të gjitha banorët e këtyre fshatrave, mes tyre dhe fshati Hondisht jetojnë me shpresën se, me ndërtimin e aksit rrugor Qukës-Qafë Plloçe, mund të zgjidhet diçka, por se sa do lehtësohet jetesa e këtyre banorëve nga kjo rrugë, pritet të merret me vesh me përfundimin e saj, e cila nuk dihet se kur mbaron. 
    Sigal