Filloi Muaji i Ramazanit/ Agjërim të lehtë për të gjithë besimtarët myslimanë! Urojnë; Spahiu, Meta dhe sekretari i DASH, Mike Pompeo

668
Sigal

Kreu i Komunitetit Mysliman: Lus Zotin që ky muaj i begatë të na kthejë vëmendjen tek familja!

 

Kreu i Komunitetit Mysliman, Bujar Spahiu ka uruar besimitarët myslimanë për muajin e Ramazanit. Spahiu uroi që muaji i Ramazanit të kthejë vëmendjen e njerëzve tek familja.

Urimi i plotë:

Të nderuar besimtarë myslimanë shqiptarë, në emër të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, kam kënaqësinë dhe nderin t’ju uroj, gëzuar muajin e begatë të Ramazanit! Nesër, me datë 6 maj është dita e parë e Muajit të Bekuar të Ramazanit.

Agjërimi në Islam është niveli më i lartë i përmirësimit të karakterit moral e shpirtëror, duke i afruar besimtarët me vlerat e dashurisë, respektit, bamirësisë, sinqeritetit dhe dorëzimit ndaj Krijuesit.

Allahu i Gjithëmëshirshëm në Kur’anin Famëlartë, thotë: “Muaji i Ramazanit është ai, në të cilin ka zbritur Kur’ani, që është udhërrëfyes për njerëzit, plot me shenja të qarta për rrugën e drejtë dhe dallues (i së mirës nga e keqja). Pra, kushdo nga ju që e dëshmon këtë muaj, le të agjërojë!” (El-Bekare, 185).

Të nderuar besimtarë, koha në të cilën jetojmë shfaq probleme të shumta, më shqetësueset janë ato që ndodhin brenda familjes shqiptare ku shpeshherë ekuilibrat dhe vlerat lëkunden, duke prishur mbarëvajtjen e jetës shoqërore në tërësi.

Lus Zotin që ky muaj i begatë e i paqtë të na kthejë vëmendjen tek familja, tek lidhja e mrekullueshme mes pjestarëve të saj!

Prindër të dashur, transmetoni tek familjet tuaja mesazhin e dashurisë dhe paqes, edukojini fëmijët tuaj me dashuri për atdheun, për tjetrin dhe jetën. Jepuni atyre shpresë! Kaloni më shumë kohë me familjen që ta bëni gjithnjë e më të fortë shtyllën më të rëndësishme të shoqërisë.

Të nderuar motra dhe vëllezër!

Ramazani është një ftesë hyjnore e përvitshme drejt njohjes së përgjegjësive tona në raport me Zotin, me veten, familjen, të afërmit dhe shoqërinë. Ne kemi nevojë të pendohemi për gabimet tona, dhe kur jemi agjërueshëm është momenti i duhur t’i kërkojmë Zotit falje.

Të nderuar vëllezër dhe motra besimtare, kudo që gjendeni, lus Allahun të na i pranojë agjërimin, adhurimet dhe veprat e mira, ky muaj na sjelltë begati, mirësi, paqe në familjet tona, dhe në mbarë shoqërinë!

Urimet me rastin e fillimit të Muajit të shenjtë të Ramazanit, flasin: Presidenti Ilir Meta, Kreu i Komitetit Mysliman, Bujar Spahiu dhe Sekretari Amerikan i Shtetit, Mike Pompeo

Presidenti Meta: Agjërim të lehtë e të shëndetshëm, mbarësi dhe begati në familjet tuaja!

 

President i Republikës, Ilir Meta, ka uruar të gjithë besimtarët myslimanë me rastin e fillimit të Muajit të Shenjtë të Ramazanit. “Koha kur jetojmë, reflekton probleme të shumta, brenda familjeve shqiptare, por edhe në mbarë shoqërinë tonë. Mungesa e dashurisë, solidaritetit e humanizmit, padrejtësitë, korrupsioni, arroganca dhe egoja e pafre, inati e smira, interesi personal, por dhe lakmia, shpeshherë godasin rëndë ekuilibrat shoqërorë dhe vlerat më të mira fetare, njerëzore e kombëtare, me të cilat ne krenohemi.”, shkruan Meta.

Ja postimi i plotë i kreut të Shtetit

Të dashur besimtarë myslimanë shqiptarë,

Nga zemra ju uroj juve dhe mbarë popullit, Gëzuar Muajin e Bekuar të Ramazanit, muajin e sakrificës e të reflektimit, por edhe të dhënies së provave të pafundme të forcës së besimit në Zot!

Agjërim të lehtë, të shëndetshëm dhe të pranuar, mbarësi dhe begati në familjet tuaja dhe Zoti ju ndihmoftë për ta përmbushur atë më së miri!

Ramazani është sfida që njeriu i bën vetes në raport me përmbushjen e përgjegjësive të tij para Zotit, por edhe para familjes, shoqërisë e kombit. Koha ku jetojmë, reflekton probleme të shumta, brenda familjeve shqiptare, por edhe në mbarë shoqërinë tonë. Mungesa e dashurisë, solidaritetit e humanizmit, padrejtësitë, korrupsioni, arroganca dhe egoja e pafre, inati e smira, interesi personal, por dhe lakmia, shpeshherë godasin rëndë ekuilibrat shoqërorë dhe vlerat më të mira fetare, njerëzore e kombëtare, me të cilat ne krenohemi. Rinia sot është e prekur nga krimi, droga, bixhozi e fajdetë, largimi nga arsimi e edukimi cilësor, papunësia dhe fenomene të tjera negative.

Në këtë Muaj të shenjtë, të reflektojmë për të bërë ç’është e mundur, për pastrimin shpirtëror, moral e social të rinisë sonë dhe për forcimin e shtyllës më të fortë të shoqërisë, familjes. Kemi nevojë, dhe agjërimi e jep këtë mundësi, të pendohemi për gabimet tona e t’i kërkojmë falje Zotit për gjithçka.

Le të shërbejë ky Muaj, si mesazh i qartë, se bashkërisht duhet të përpiqemi dhe pavarësisht sakrificave që kërkohen, të afrojmë më shumë zemrat tona, të zgjatim dorën e bashkëpunimit dhe të unifikojmë shqetësimet e të gjejmë zgjidhjen e tyre.

GËZUAR MUAJIN E SHENJTË TË RAMAZANIT!

SH.B.A-të urojnë një agjërim të lehtë e të bekuar për Komunitetet myslimane, anembanë botës

Michael R. Pompeo, Sekretari Amerikan i Shtetit
Washington DC
5 Maj 2019

Në emër të Departamentit Amerikan të Shtetit, i jap urimet më të mira komuniteteve myslimane brenda dhe jashtë vendit për një Ramazan të bekuar. Për shumë myslimanë, ky muaj është një rast për t’u përqendruar në përtëritje shpirtërore, mirësi dhe qëndrueshmëri, dhembshuri për ata me më pak fat, dhe harmoni nëpër komunitete të ndryshme.

Në Shtetet e Bashkuara, shumë xhami dhe shtëpi mirëpresin miqtë dhe fqinjët e besimeve të ndryshme për t’u bashkuar nën vlerat tona të përbashkëta amerikane të barazisë, bamirësisë dhe bujarisë. Në muajin e fundit, ka pasur sulme në vendet e adhurimit të të tri besimeve Abrahamike, dhe në të gjithë botën ka sfida serioze për aftësinë për të ushtruar lirisht besimin e vet. Qeveritë dhe qytetarët mund të kapërcejnë më së miri urrejtjen që i motivon këta sulmues duke punuar së bashku për të çuar përpara lirinë fetare për të gjithë.

Ramazani shërben si një kujtesë për njerëzit e të gjitha besimeve dhe prejardhjeve për rëndësinë e dhembshurisë së përbashkët, respektit dhe mbështetjes për njëri-tjetrin. Përmes veprës së përditshme të prishjes së shpejtë dhe ndarjes së një vakti, Ramazani ringjall lidhjet e komunitetit dhe thekson shërbimin e komunitetit.

Në këtë frymë, ne reflektojmë mbi përgjegjësitë tona të ndërsjella për njëri-tjetrin, pavarësisht nga besimi dhe përpiqemi të jemi vetja jonë më e mirë.Në të gjithë botën, shumë nga ambasadat dhe konsullatat tona presin pritjet e iftarit, të cilat tregojnë forcat kryesore të diplomacisë sonë dhe forcojnë angazhimin tonë për lirinë fetare, përfshirjen dhe respektin për komunitetet pakicë fetare dhe partneritetet për paqen.

Me fillimin e  muajit të shenjtë të Ramazanit, uroj të gjithë muslimanëve një  agjërim të lehtë!