Fejzo Subashi: Bashkëbisedim me Mit’hat bej Frashërin

333

Pas mirëseardhjes dhe rehatimit të tij në atdhe, pranë babait dhe xhaxhait, bëra një “bisedë “ të shkurtër me Mid’hat Bej Frashrin. Unë e nisa komunikimin tim me publikun, si dhe në rrjete sociale, por edhe në median e shkruar, në lidhje me evenimentin më të rëndësishëm për Mid’hatin me: Urimin e mirëseardhjes, me falënderimin për Qeverinë dhe Kryeministrin Rama. Sjellja në Shqipëri e eshtrave të pinjollit Frashëri, është një ngjarje shumë e madhe dhe e rëndësishme për shumë arsye, për Kombin, për familjen e madhe frashëriote, frashërllinjët dhe vetë Frashrin. Mid’hati megjithëse u ndje i kënaqur, se më në fund u realizua amaneti i tij, nuk ishte lumtur, ashtu siç nuk ka qenë edhe kur ishte gjallë. Ai nuk m’u shpreh, pasi kishte frikë, se e njihte mirë me rrënjë e degë, me lloj e soj historinë dhe historitë e klasës politike shqiptare, që nga krijimi, dhe mos e detyronin të “iki”, apo e “nxirrnin” përsëri, nga Shqipëria. Edhe ai veproi, ashtu si çdo intelektual shqiptar, të cilët kanë parimin, më mirë të mbajnë atë që kanë, se sa të luftojnë për më shumë dhe të humbas edhe këtë që kanë. Jo vetëm për t’i dhënë të drejtë, por i thashë: – Mid’hat, se në fakt kjo që bëri Kryeministri dhe Qeveria ishte një gjë e madhe, shumë domethënëse dhe jo pak, por e ke futur në shumë siklet, Ramën. Se ja ca kanë filluar që edhe teserat e PS-së t’i dorëzojnë, por edhe ata veteranët e Luftës nuk bien më dakord, po kështu edhe këta nacionalistë-ballistët, sikur nuk ndjehen mirë, pasi thonë po si shpjegohet si amanetin e Mid’hatit e çuan në vend këta komunistët. Por, unë si shumë i sinqertë që jam nga natyra më shumë se sa duhet, ia thashë të gjitha ashtu troç, siç e ndjeja, e kuptoja dhe mendoja.

Mbase pa dashje e preka, apo i ngacmova edhe ndonjë kore të plagëve të shumta të tij. Përjashto atë të jetës së tij private, se të tjerat i preka pa ndrojtje fare. Folëm dhe biseduam vençe, në fund të fundit ky është misioni im si gazetar. Si gjykoni ju? Hë të mos t’i tregoja, se ai iku nga Qeveria e Ismail Beut, vetëm e vetëm për çështjen e koncesionit? Unë të dëgjuar nga Aurel Plasari e kisha, por i thashë Mid’hat o Bej, mirë që erdhe, po a e di, o vëlla se të gjithë Shqipërinë e kemi dhënë me koncesione. Jo vetëm e kemi dhënë me koncesione, por kemi afro dyzet vjet që kemi dhe nuk po del nga recensioni… Zoti Mid’hat, u prishe me Zogun, aq keq sa hoqe dorë nga politika. Nuk e mban mend? Atë more burrë, që u bë mbreti i Shqiptarëve, nuk të kujtohet?! Ktheje pak kokën e shikoje, ia kemi bërë bustin më të madh sesa madhështia. Sot ai shikimin nga ti e ka, aq sa nuk e beson se erdhe. Ike nga diplomacia e tij, gjithnjë, nëse nuk gaboj, ma bëj hallall për ndonjë pasaktësi, se ai shiti troje shqiptare dhe se çfarë katranosi me ata grekët! Po ku erdhe ore mik, aty ku sot nuk kemi lënë gjë pa katranosur, jo vetëm me grekët, por me të gjithë. Sot themi me mburrje se i kemi miq të gjithë, po e vërteta është se nuk kemi mik as edhe një. U mërzite, u hidhërove, se në kohën e Zogut shitëm Shën Naumin, ehu ta dish ti, sot i kemi shitur të tëra!. Tani edhe vetë e kanë bërë për të mos i pasur miq! Të vjen tjetri mu në mes të shtëpisë, bën si e do e zeza zemër, ha pi si në shtëpinë e tij. Jo kaq po vjen me simbolet e tij dhe thotë më shumë krenari se është në tokën e tij! Nuk kanë frikë fare nga askush! As u bënë syri tërr, as duan t’ia dinë se ka shtet polici, a ushtri, se jemi në aleanca me ta, po fare nuk pyesin. Edhe si i kanë kthyer pushkën policisë, ikin serbes-serbes, sikur kanë qenë në dasmë. Po pritje madhështore u bën vendi i tyre këtyre lloj krushqish, i përgëzon, mban zi, u ngre përmendore, për dollitë e ngritura këtu. Jo vetëm kaq, po ca që na qenkan edhe eurodeputet, e kërkojnë edhe të rr. pika pika, mos ta them më mirë. E di që do më thuash se qenkemi shitur! E paskeni shitur nënën! Falur thuaj, për një copë bukë. Për karrigen e “sulltanëve” thuaj. Shkruaje dhe fole sa munde, more arratinë, deri në Amerikën e largët, për të bindur mbarë botën, se sa i poshtëm ishte komunizmi dhe, sidomos, në Shqipëri dhe diktator i saj Enveri. Mid’hat o Bej, jo se nuk ke pasur të drejtë, pasi Enveri boll të këqija ka bërë.

E teproj jo pak, me historinë, me familjet e mëdha. I ndau në të mirë dhe në të këqij patriotët. Nuk bëri fare kompromis midis asaj që kishin bërë mirë dhe asaj që kishin bërë keq ata për vendin. Le të kishe bërë një mijë e një të mira, ti dhe familja jote, para një të keqeje për kombin, apo pazari sado të vogël për vendin, ai në ferr të çonte. E teproi “pak” me luftën e klasave. Ashtu Mid’hat Bej, ka pas edhe ca të drejtë, se edhe Ju nacionalo, ballistë bëtë gabime dhe nuk bëtë më të mirën e mundshme? Të mirëkuptoj, po të kishe jetuar mbas viteve ’40 edhe do ta besoja këtë. Me miqtë e Shqipërisë ishte pak kondravers. Kur të bënte mik të ngrinte në qell. Me Titon e mban mend, po kështu bëri me Stalinin dhe Mao Ce Dunin më pas. Por kur e shkelnin në kallo për Shqipërinë dhe Kombin, të zinjtë e ullirit u nxirrte. Nga shtatë breza i shante. Bile degdiste, në ferr çonte edhe sojet e sorollopët e tyre këtu në Shqipëri. Edhe unë ashtu si Ju mendoj ndonjëherë se burrë paska qenë! Eh mor Mid’hat Bej, po çfarë burri more! Na izoloi! Na la të vetmit në mes të Oqeanit! Avash, zoti gazetar avash, se ti vet po thuaj se sot i kemi të gjithë miq qosheje, por nuk kemi as edhe një mik!? E po ti e di Mid’hat Bej, unë këtu kam ardhur ti them të gjitha si e mendoj, por edhe çfarë thonë të tjerët, sidomos ata të tutë. Jo për gjë, po ata të tutë thonë; -se nuk është bërë fare luftë, të gjithë pushtuesit kishin ardhur për pushime, për të kaluar të shtunën dhe të dielën. Partizanët dhe komunistët ishin çapaçul. Sot në fakt të jem i sinqertë Bej, jam i detyruar t’ju jap të drejtë. Si ata, edhe ju me aq sa mundët, kot u keni drejtuar pushtuesve pushkën. Sot, nuk ka vend në Botë, sidomos në Evropë, që nuk na ka hapur derën. Njëzet vjet edhe leshtë e kokës lamë duke paguar për të marr një vizë, për të shkuar andej. Jo pak po me qindra e mijëra lanë edhe jetën dhe shumica as varr nuk kanë se humbën nëpër dete dhe Oqeane. Por suksesin e arritëm aman. Sot më shumë jemi andej se sa këtej. Bile jo vetëm që u punojmë tokat, u lajmë haletë, por edhe djemtë ushtarë në ushtritë e tyre i kemi. Si çfarë po të dëftoj kështu? E vërtet si buka që ha është zoti Mid’hat Bej. Mos u çudit madhëri fare, se ka akoma! Bej 28 vjeç ishe kur udhëhoqe Kongresin për alfabetin, më vjen keq të them se kot u lodhe, por të paktën mos u mërzit. Në Shqipëri flasim jo vetëm turqishten e greqishten, si në kohën tënde, por të gjitha gjuhët e botës. Këtu flasim ndonjëherë shqip, kurse vëllezërit dhe motrat që i kemi nëpër botë, as duan t’ia dinë. Fëmijët e tyre, jo që nuk e flasin, por edhe germat nuk i dinë. Më fal se të mërzita, por nuk ta fshija dot, që ta katandisëm kështu alfabetin e Kongresit të Manastirit! Por Mid’hat Bej, globalizmi i ka këto.

Ka gjithçka atdheun e ka dhe se ka. E ka kur kishte burra si Abdyli dhe nuk e ka kur ke burra si këta në këto tredhjet vjet. Por le ti kthehemi misionit tuaj. Të luftës ndaj së keqes, ndaj komunizmit dhe sidomos ndaj Enverit. Të kishe rrojtur edhe ca më shumë nuk e di a do ishe me atë mendje që ike dhe me një mëndje me këta, që ke lënë mbas, që përgjërohen për ty. E di që nuk ndanë një mendje me këta që të mbajnë fronin! Këta as pishën nuk janë të zotë të mbajnë, pale të lartësojnë fronin tënd! Edhe unë si Ju dhe si gjithë populli gjykojmë, që partizanët dhe Partia Komuniste luftuan kundër pushtuesve dhe i sollën lirinë Vendit, kjo nuk diskutohet!? Mirë, por megjithëse këtë e dinë të gjithë, problemi qëndron se edhe datën e çlirimit nuk e mendojnë njësoj. Jo ata komunistët dhe ai diktatori, i kanë bërë më të këqijat e të këqijave këtij vendi. Absolutisht që jam Ok me Ju, jo gjithçka që thuhet e trumbetohet, për komunizmin dhe luftën në veçanti është e vërtetë. Po zoti Mid’hat ashtu është se vendin; e bënë më hidrocentrale, hekurudha, kombinate, uzina, fabrika, ndërmarrje….etj. Po çfarë na duheshin o Bej. Vëlla duruam aq shumë sa i shporrëm ata me nam e nishan. Themi kështu, pa në të vërtet aty i kemi nga e majta në të djathtë, në të gjithë vijën e frontit. Po çfarë i donim gjithë ato të mira, o Bej, sot edhe qumësht dallëndyshe gjen. Vjen nga Bota. Po ku shtyhej, o Bej pa krim, pa drogë, pa korrupsion, pa vrasje. Sot jemi krenarë, jo vetëm që mbjellim hashash në të katër anët e vendit, por eksportojmë dhe në të katër anët e Botës. Lamë nam në kohen e komunizmit eksportonim presh, domate, duhan… Po ushtria çfarë na duhej?! Çfarë ishte ajo çdo qytetar një ushtar? Jo Bej, sot nuk kemi, as ushtri, as ushtar. Po fundja çfarë na duhet, nga kush do të mbrohemi?

Çfarë të mbrojmë? Se mos kemi gjë ne, të gjitha të huajt i kanë. Unë besoj se Ju ndani një mendje me mua, të mbrojmë pasurin e klasës politike? Ehu, janë mjeshtër ata. Nuk kanë vjedhur as edhe një qindarkë. Pastaj ligjet këtu i kemi bërë demokratike. Mid’hat Bej në burg tani vete, nëse vjedh një pulë, apo korrent, të shikosh televizor, pa po vodhe Shqipërinë, as e çan kokën njeri fare. Të vlerësojnë për mençurin, zgjuarsinë, por edhe për sjelljen prej politikani, diplomati. Mbi të gjitha për vendimet dhe rolin që kishe luajtur për çështjet e kombit. Pa dyshim për rolin si nënshkrues i Pavarësisë, si themeluesi i diplomacisë, politikave botërore. Vlerësim maksimal për kryesimin e kongresit të alfabetit Shqip dhe deri sa arrite të veproje si i madhërishmi babi juaj, që prishi pasurin për Shqipërinë, ti fale çdo pasuri për Shqipërinë Por ja ata të cilët ti nuk i pranove, nuk u pajtove kurrë, për komunistët e kam fjalën, të akuzojnë, se bërë aleancë me pushtuesin e fundit në të ikur. Populli të hiqte kapelën deri sa arrite në këtë pik Mid’hat, të gjithë. Mundohem të mirëkuptoj ashti si ma shpjegove Ti. E bërë për të mos ndarë dhe copëtuar Shqipërinë, për ta shpëtuar nga vëllavrasja etj! Edhe këtë ma ka treguar Aurel Plasari, që nuk u lodh së shkruari dhe gërmuari për ty, po a e di sesa të bashkuar jemi sot kur komunizmit i kemi vënë fadromën?

Lëre më mirë mos ta them. E shikon Mid’hat Bej Frashëri, sa shumë kemi ndryshuar mbas 69 vitesh që u prehe në Amerikë. Ku me përkrahjen e perëndimorëve dhe vendeve më demokratike në Botë, shkelmuam, zhdukëm jo hordhitë, por më të keqen e vendit, komunizmin, sollëm këtë demokraci. Nuk e di, nëse ke më ndonjë merak. Unë besoj, se ne bijtë e nënës Shqipe, sidomos këto tridhjetë vjet të kemi bërë më të mirën për nënën Shqipëri, për vendin që ti dhe familja juaj shekullore i falët gjithçka që kishit dhe mundët, duke filluar nga mendja, koha, sakrificën dhe pasurinë. Ndaj prehu i qetë. M’u nuk më mbetet gjë tjetër vetëm të them Mid’hati Bej Frashri, mirëserdhe në vendin tënd që aq shumë sakrifikove, që aq shumë e deshe, por që për fatin tonë të keq dhe të përbashkët nuk është si e deshe.