Farmacitë e Elbasanit mbushen me ilaçe jashtë standardit

    445
    Prej afro 10 ditësh qytetarët e Elbasanit, të sëmurët kronikë dhe pensionistët, po përballen në farmacitë e qytetit me ilaçe kryesisht të prodhimit lindor, të cilat veç faktit që nuk janë cilësore (të efektshme) janë edhe të skaduar. Qytetarët thonë se “veç emrit të ilaçit në anglisht, gjithçka brenda dhe jashtë kutisë është në serbisht, maqedonisht, bullgarisht etj, janë të skaduara, sepse shohim se janë fshirë datat dhe janë stampuar datat e reja, por edhe shija e tyre është më i keq se helmi”. Fjala është për afro 70 lloje barnash, që u përkasin grupeve terapeutike të ndryshme, që janë hedhur në treg duke mbushur farmacitë e Elbasanit dhe fshatrave. Sipas një burimi të sigurte nga sektori shëndetësisë “prej afro 1 jave kanë hyrë në Elbasan mbi1500 kuti medikamentesh me nga 2-3 kuti për lloje të ilaçeve të ndryshme, madje duke furnizuar kryesisht farmacitë që ndodhen brenda murit rrethues të spitaleve. Ajo që vlen të theksohet është se ilaçet e prodhimit lindor, nuk kanë të aplikuar në paketim pullën e kontrollit të barnave, të lëshuar nga Ministria e Shëndetësisë, Agjencia Kombëtare e Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore. Disa prej këtyre ilaçeve kërkojnë kushte specifike ruajtjeje dhe shpërndarjeje, dhe në rast se nuk vendosen dhe ruhen në ambiente të përshtatshme vënë në rrezik sigurinë, cilësinë dhe efikasitetin e tyre. Disa ndër ilaçet që kanë nisur të mbushin raftet e farmacive në Elbasan me origjinë sllave janë ato që përdoren gjerësisht apo dhe për trajtime afatgjata të pacientëve, lercanil, lercanidipin, atovarstatin, zoloft, miotens, nexium, esomeprazol, flagyl, tachipirina dhe lloje të tjera antibiotikësh. Disa prej tyre iu përkasin citostatikëve apo, thënë ndryshe, barnave që përdoren për kurimin e sëmundjeve të rënda, që pavarësisht rëndësisë që kanë, janë importuar dhe vendosur në tregun farmaceutik vendas në kundërshtim me ligjet “Për barnat dhe shërbimin farmaceutik”. Agjencia Kombëtare e Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore duhet urgjentisht të nisë kontrollet e befasishme në farmacitë e Elbasanit, për të zbuluar dhe sekuestruar çdo kuti me ilaçe të skaduar dhe tu bëjnë apel qytetarëve u drejtohet të gjithë qytetarëve që para se të blejnë një ilaç në farmaci, duhet të kontrollojnë në qoftë se është i pajisur me pullën e kontrollit , si garanti i vetëm i sigurisë dhe cilësisë. Këto dy agjenci në bashkëpunim me institucionet ligj zbatuese duhet të rrisin përpjekjet e tyre për goditjen e kontrabandës së ilaçeve që po mbush farmacitë e rretheve dhe pse jo edhe të kryeqytetit. Qytetarët e Elbasanit ndjehen të vetmuar dhe të trembur nga mungesa e shtetit ligjor, nga mungesa e kontrolleve nga Ministria e Shëndetësisë edhe në pavijonet e spitaleve, pasi ka mjekë të lidhur me piratët e ilaçeve që i përdorin ato edhe në trajtimet e të sëmurëve të shtruar. Statistikat tregojnë për tonelata me ilaçe të skaduara të ardhura nga vende të ndryshme të lindjes, dhe që janë magazinuar dhe shitur në farmacitë e vendit. Gjithashtu tonelata të tjera janë zbuluar dhe groposur pothuajse çdo vit nga ekipet e kontrollit që kujtohen të nisin aksionet e tyre kur media ka bërë publike skandalin.
    Sigal