Faik Islami: Nuk po e shohim “Qeverinë e Punëve që “Rilindin…”!

    406
    Duket sikur situata dramatike e përmbytjes se madhe u harrua. Pas ca ecejakeve te qeverisësve dhe politikanëve, të veshur mirë, me çizme dhe xhupa, kur terrenet banuese dhe fushat ishin bërë det e një me detin, gjithçka ka rënë në qetësi të madhe. Krejt ndryshe nga ato ditët kur i pamë qeverisësit aq operativë, sa nuk kishe ç`u thoshe. Se u lëshuan të gjithë, për të ndarë jo pak njerëzillëk dhe ndihma, me të mbyturit e të përmbyturit. Mirëpo me këtë heshtje, që ka pllakosur, krijohet përshtypja, mundet edhe e rreme, sikur aq ishte gjëma dhe gjithçka kaloi. Do përcillen dhe “Plakat e prillit “ dhe dielli, qe pritet, do të ngrohë birko edhe të mërdhirët e shumtë, të zonave të përmbytura. Situatë e tillë e rrejshme, është provuar se do shpjer ujë… në mullirin e harresës. Kjo ka qenë e sa duket do të mbetet edhe këtej e tutje një mentalitet i pandryshueshëm i politik bërjeve tona. Fushata zgjedhore e Qershorit do të përcillet si zakonisht, më shumë me sherre politike pabuke, por dhe me hosanara, gaze e hoje-broje suksesesh se përmbytjen e përballuam me sukses. Priten ato që jo vetëm hiç nuk na shërbejnë, por na dëmtojnë siç edhe dëme na kanë sjellë, gjer sot.
    Tokat arë kanë marrë një goditje, prej mbi dhjetë ballë tërmetesh 
    Për ta bërë të qartë këtë fakt të ndodhur, po shtjellojmë shkurtimisht dëmin, që ka pësuar toka arë, nga mbulimi me ujë, për ditë të tëra. Procesi natyror i tokave tona të zonës fushore para bregdetare dhe sidomos ato bregdetare, ka qenë ndikimi mbi tokat arë burimeve të ujërave nëntokësore, me përqendrim të lartë kripe, në shtresën e punuar të arave. Ka qenë gjithashtu e ndikuar edhe prej bashkimit të ujërave të ëmbla me ato të detit, në rastin e përmbytjeve ciklike. Dukuria e parë ka shpërndarjen lineare, nga Vrina Sarandë gjer në Velipojë –Shkodër. E dyta, sa herë që vërshimet e lumenjve përmbytnin tokat fushore dhe ujërat e ëmbla bashkoheshin me ato të detit. Kripëzimi i tokave arë fushore ka qenë i padiskutueshëm. Këtë fenomene natyror, shkenca jonë e studioi në detaje, i njohu mirë tërë faktorët veprues dhe mbi atë bazë rekomandoi masat e domosdoshme si dhe radhën e zbatimit të secilës prej tyre, për qeverisjet. Qeverisjet e përgjegjshme, që patën vlerësuar jashtë mase problemin e shkencës tokës dhe të bujqësisë në tërësi, zbatuan atë zinxhir masash të cilat i mbrojtën tokat e zonës tonë fushore nga kripëzimi si faktor natyror dhe punuan për shkripëzimin e tokave me përqendrim të lartë kripe, sidomos për ajkën e tokës arë, tokat fushore. Qeverisja aktuale si vazhdë e traditës shkatërruese qeverisëse, të këtij çerek shekulli e pa problemi krejt përciptazi dhe po sillet në mënyrën më delitante në vijim, për këtë problem të madh shtetëror. U vlerësua si problem i ndodhur prej faktorësh madhorë dhe si një fatkeqësi mbi njerëzit e gjënë e atyre, të cilët në të shumtat e herëve u përqendruan pikërisht në zonat me risk të lartë përmbytës dhe kurrsesi si mangësi e përgjegjësi qeverisjesh. Nuk mund të themi se u veprua gabim me ndihmat që u dhanë njerëzve, me vlerësimin dhe shpërblimin në masë të gjykuar i dëmeve mbi ta, por dëmi i vërtetë, më i madhi dhe më i papërballueshmi kollaj nuk është ai që kujtojnë qeverisësit tanë, por dëmi që kanë pësuar tokat arë të zonave që u përmbytën, të krejt zonës tonë fushore. Ku konsiston ky dëm krejt i papërballueshëm, me këtë mentalitet qeverisës ?
    Bashkimi i ujërave nëntokësore me përqendrime të larta kripërash( klor e natrium kryesisht) me ato sipërfaqësoret ardhur nga përmbytja, ka bërë që kripërat të jenë ngjitur në shtresën e punueshme, ku zhvillohen rrënjët e të mbjellave, për rastin e tokave të zonave para bregdetare Berat, Lushnjë, Fier, Myzeqeja e Vlorës, Thumanë, Lezhë e Velipojë. Jonet e tyre formojnë lidhje të qëndrueshme me granulat e tokës. Nga ana tjetër, qëndrimi për një kohë relativisht të gjatë i bashkimit të ujit të detit me ujërat, që përmbytën fushat e zonës bregdetare, kanë bërë kripëzimin sipërfaqësor të tokës, pasoje e ligjit natyror të barazimit të përqendrimeve me diferencë të madhe nga uji detit në ujerat e ëmbla, ardhur mbi fushat, prej vërshimit të lumenjve. Pra edhe këto toka kanë marrë përqendrim të lartë kripe. Sot ato janë me shkallë relativisht të lartë kripëzimi. Tokat me shkallë të lartë kripëzimi janë krejt të papërshtatshme, për kulturat bujqësore. Sepse rrënjët e tyre sapo tentojnë të marrin lëndët ushqyese nga toka, ndeshin në jone klori dhe natriumi dhe asfiksohen, helmohen dhe vetëm për shumë pak ditë ato shtrihen mbi tokë. Ky është dëmi real dhe krejtësisht i papërballueshëm me mundësitë reale të marra në konsideratë prej shtetit, Ministrisë Bujqësisë. Procesi i shkripëzimit jo vetëm që është i gjatë, por edhe me kosto jashtë mase të lartë. Më e komplikuar bëhet situata kur po shohim se qeverisja është e mpirë për të konceptuar këtë dëm real. Është krejt indiferente ose krejt e paaftë. 
    Dëmi mbi tokat arë të zonave fushore kërkon qeverisje pune, të bazuar në shkencë.
    Në ditët e përmbytjes, Kryeministri dhe e gjithë qeverisja u shfaqën shumë operativë, të kujdesshëm, për të shkuar e takuar njerëzit në cilëndo zonë dhe kudo ku uji kish mbuluar dhënë. Qeveria tregoi kujdes, për të ndihmuar dhe shpërblyer të dëmtuarit në një masë që ajo e vlerësoi, por ankimet e saj, për mungesa çizmesh e fasulesh, treguan se edhe kjo nuk arriti të marrë vesh se përmbytjet, masat për të mos na ndodhur ato, janë jo mangësi fasulesh e çizmesh , por konceptim injorantësh i tërë problematikave komplekse të disiplinave shkencore si inxhinieria hidraulike, matematika, fizika, agronomia, ekonomia etj. Nga kjo qeverisje mund te kemi më shumë fasule e çizme, por jo vëmendjen, tek shkenca, tek rekomandimet e saj, për të mbrojtur tokat dhe masat për shkripëzimin gradual të tokave me shkallë kripëzimi. Gjer sot nuk po dëgjojmë të jetë mobilizuar prej qeverisë ndonjë grup studimor shkencor, që të punojë si për njohjen reale të situatave, për ç`do zonë e për ç`do ngastër, të tokave të goditura rëndë, por edhe të masave, që do të programohen e zbatohen qysh në këto ditë dhe në vite. Ky problem i madh nuk mund të lihet spontanitetit dhe pritshmërisë siç dhe është lënë, sepse pasojat e ndodhura duan shumë vite të rivendoset gjendja e para përmbytjeve. Ne nuk po kemi qeverisje pune, të bazuar në këto shkenca ekzakte, por vetëm qeverisje demagogjike. Dhe kjo është për të ardhur keq shumë, për të mos thënë, për të vënë ulërimën.
    Qeverisje bujqësie apo qeverisje tapish?
    Jo pakë herë po ndjekim me shqetësim kryeministrin të “telikoset” duke ndarë tapia .Punë kjo që Artan Lame e bën më së miri dhe që nuk na duket me bereqet shumë pasi punë të paligjshme është duke ligjëruar. Kështu që pakë vend duhet të kishte e gjithë ajo gajasja me batuta me njerëzit, që realisht u ka vajtur thika në kockë, prej varfërisë ekstreme që ka pllakosur. Njëra prej rrugëve të pashkelura gjer sot, të lëna krejt pas dore është pikërisht puna me tokat arë, bujqësia. Dhe nuk kemi si ta justifikojmë gjithë këtë “lodhje” të kryeqeverisësit, i cili me këtë bujë tapish, po na djeg mallin e një Demo Veilqoti, që tregojnë të parët, i cili si idealist që ishte dhe partizan, kur ndante tapitë e reformës agrare të viteve 1946, u thoshte katundarëve, duke tundur fletën e tapisë: “ Ma gëzofshi dheun, që po u jep pushteti popullor! Ja për këtë copën kartë, që është vetë toka juaj, kemi ogradisur tërë jetën! Sot e tutje ju u bëtë.. me tapi. Nuk na duket ogurmbarë të shohim kryeministrin shqiptar të shekullit të ri, në rolin e Demo Veliqotit, i cili firmoste tapitë duke ngjyer gishtin ..në mellan!
    Sigal