Ermion Dulla: Kush e fitoi bastin këtë 7 Mars, zonja Ministre?

174

Edhe 7 Marsi tregoi se mësuesin të gjithë duan ta vënë në lojë. Mësuesi që sot i ngjan një skllavi, i kënaq të gjithë vetëm kur nuk bëzan në momentet kur e vënë në lojë. Në shkrimin “Skandali i Ministres së Arsimit/ Detyrohen mësuesit e arsimit parauniversitar të hapin adresë në Whatsapp që t’u kontrollohen bisedat dhe bindjet” botuar më 28 shkurt në gazetën “Telegraf” i kisha kërkuar Ministres së Arsimit të vinim bast, se mësuesi me 7 Mars do të bëhej objekt talljeje. Dy ditë më parë, të gjithë e pamë të vërtetën. Ndërsa Ministres i takon të pranojë se bastin e ka humbur. Se më 7 mars me mësuesit u tall edhe Kryeministri, pale emisionet investigative. Kryeministri në përshëndetjen e tij për 7 Marsin vuri në dukje se, “pagat e mësuesve janë rritur me 22 për qind”. Ndërsa nga emisioni “Stop” mësuam se, “mësuesit dhe edukatoret kishin marrë dhurata nga fëmijët si, zarfe me para, triko, shall, portofol, apo objekte te tjera”.

Tamam, tamam cila është e vërteta ? Sepse as kryeministri dhe askush tjetër në këtë botë nuk mund t’u tregojë mësuesve se u është rritur paga 22 për qind. Të paktën jo nga viti 2013, kur rilindësit erdhën në pushtet. Që nga ajo kohë pati një rritje prej 10 për qind vetëm në vitin 2017, në prag të zgjedhjeve. Siç bëjnë gjithnjë halepolitikanët albanezë që kanë ”pushtuar” politikën albaneze që di t’u shërbejë vetëm atyre, ndërsa shqiptarin po e degdisin në një varfëri të tejskajshme. Historia me mësuesin po përsëritet thuajse pa asnjë ndryshim nga viti në vit. Kështu u përsërit edhe këtë 7 Mars. Edhe pse asnjë mësues nuk ua kërkon dhuratat, po fëmijët dhe prindërit e tyre në këtë ditë me ndonjë dhuratë kërkojnë t’i falënderojnë për punën që bëjnë gjatë një viti. Ndërsa të tjerët, kënaqen duke i vënë në lojë mësuesit që përmes dhuratave që marrin t’i konsiderojnë mësuesit “lypsarë”. Një poshtërsi ekstremë që luhet mbi kurrizin e mësuesit. Ndërsa heshtet për çfarë po ndodh në sektorët e tjerë si në Drejtësi, ku Vettingu evidenton pasuri milionëshe të plazhistëve të Durrësit që edhe kur largohen nga sektori gati sa nuk marrin dekoratë për plaçkitjen shumëvjeçare që u kanë kryer shqiptarëve. Palë me, hale – politikanët tanë që as nuk e dinë tamam tamam sa e kanë pasurinë. Ndërsa mësuesit vihen prej tyre në lojë se nxënësit u paskan bërë një dhuratë. Ndërsa të gjithë heshtin për gropën ku ka rënë arsimi. Që sot ta themi haptas nuk mund të krahasohet as me arsimin e kohës së diktaturës. Ja sepse !

Në atë periudhë, çdo klasë kishte kabinete thuajse për të gjitha lëndët. Ndërsa sot, në shumicën e shkollave, veç bankave, dërrasës së zezë dhe shkumësit nuk ka asgjë për be. Nxënësit në shumicën e rasteve edhe një top e blejnë vetë për të realizuar orën e mësimit të fizkulturë. Nëpër shkolla sot nuk ka asnjë libër artistik për be. Në atë kohë, paratë nuk vidheshin si tani nga lloj lloj politikanësh. Në atë kohë çdo vit çdo shkollë 8 vjeçare shpenzonte 1500 lekë dhe çdo shkollë e mesme 2500 lekë për të blerë libra për bibliotekën e shkollës. Kjo ishte arsyeja që çdo shkollë kishte bibliotekë për nxënësit e vet. Ndërsa sot,… shumica e nxënësve mbarojnë edhe arsimin e mesëm pa lexuar qoftë edhe një libër letrar. Edhe pse lënda e letërsisë i del 10. Se 10 sot në arsimin shqiptar blihet lehtësisht. Mësuesit e festuan ditën e tyre me arkën bosh të financës. Sepse rreth 30 për qind e pagës u shkon për të shlyer detyrimet e shtetit taksa e tatime. Çfarë mbetet mezi u del të përballojnë bukën me pakëz gjizë e pakëz presh për fëmijët e tyre. “Nuk është çështje fati moj zonja Ministre”. Edhe pse ironia për t’i vënë në lojë mësuesit është e gjithanshme dhe e përditshme. Si kosovare që je, e di mirë, se mësuesit në Kosovë, shtet me moshë 11 vjeç, pagën e mësuesit e ka 600 – 700 euro, kur ne në shtetin 106 vjeç e kemi vetëm 400 – 450 euro. Të paktën këtë tregoja kryeministrit që të mos broçkullisë kot për rritje 22 për qind të pagës. Të paktën këtë rritje ende nuk e ka parë asnjë shqiptar. Edhe pse Rilindja ka premtuar rritje të pagës së mësuesit në masën 40 për qind gjatë mandatit të dytë. Ndaj Ministre mos vendos baste më kot në këtë Shqipëri, ku të gjithë palopolitikanët dinë vetëm të plaçkitin dhe të mos kryejnë asnjë punë të hajrit.