EMRI/ Histori e rrallë, studenti 74-vjeçar që proteston prej 9 ditësh me radhë

436

Destan Dangëllia, 74 vjeç nga Devolli me gjasë është studenti më i vjetër që i është bashkuar protestës së studentëve prej 9-të ditësh në rrugët dhe sheshet kryesore të kryeqytetit.

Dangëllia i filloi studimet në vitin 2005 për Inxhinieri Mjedisi në Universitetin Bujqësor të Kamzës, por ende nuk i ka përfunduar ato.

Ai tregon se nuk ka pasur mundësi t’i përfundojë në kohë studimet, pasi i ka mbetur vetëm një provim për të marrë.

74-vjeçari është shprehur edhe pse nuk është moshatar me studentët e tjerë, protestës i është bashkuar për të njëjtën kauzë.

Sipas tij, 9 ditë qëndresë për një arsim më cilësor, deri sa të përmbushen 8 kërkesat e propozuara nga studentët për zgjidhje është një shenjë kulture dhe emancipimi për studentët shqiptarë.

Në lidhje me kushtet ekonomike, tregoi se pavarësisht se s’ka pasur mundësi të paguajë tarifën e shkollimit çdo vit, e filloi shkollimin e tij univeristar me një mision për t’iu përcjellë të rinjve mesazhin se arsimi është gjëja më e çmuar në jetë.

Ai tha se kur u njoftua në lidhje me protestën studentore, vendosi për t’iu bashkuar asaj që në ditën e parë të saj.

Dangëllia u shpreh para të rinjve ditën e sotme në podiumin e improvizuar para Parlamentit se arriti të realizojë një nga ëndrrat e rinisë, dëshirën për shkollim.

Ai tregoi edhe arsyet se pse nuk e ndoqi në kohë shkollën, duke treguar se është kushëri i Sami Dangëllisë, një njeri që gjithë jetën e tij e kaloi në internim.

“Personalisht disa vite nga jeta ime i kam kaluar në burgjet e atij sistemi. Për  shembull, ditëlindjen e 34-tër e kam kaluar në burgjet e komunizmit. Dua t’u them të gjithë këtyre të rinjve që të mos lejojnë një rikthim të dytë të atij lloj regjimi”, u shpreh ai.

Mund të konsiderohet një student i veçantë, kjo jo vetëm për vitet që mban mbi supe, por edhe për rezistencën dhe solidaritetin me shokët e tij universitar, gjithashtu edhe për frymëzimin dhe idenë se njeriu nuk mund të ndalet në ndjekjen e ëndrrave të tij.