Eksperti Fadil Kepi/ Kushtet për të përfituar pension në Shqipëri dhe jashë saj

3306
Sigal

Kushtet për të përfituar pension në Shqipëri dhe jashtë saj, pensioni për kujdestarët e paraplegjikëve dhe tetraplegjikëve          

Pensioni sipas statusit të naftëtarit

Pyetje

Disa naftëtarë nga rrethe të ndryshme të vendit shkruajnë: Kohët e fundit nga komisioni pranë Ministrisë së Industrisë dhe Energjetikës përfituam “Statusin e naftëtarit”. Pyesim cilët janë procedurat e mëtejshme që duhet të ndjekim për të marrë pensionin që na takon sipas statusit?

Përgjigje

Dokumentin zyrtar që keni marrë nga Komisioni Qendror për statusin e naftëtarit në dikasterin e mësipërm duhet ta paraqitni në drejtorinë rajonale të Sigurimeve shoqërore për të përfituar pensionin e plotë, gratë në moshën 55 vjeçe kur kanë 25 vjet punë të siguruara gjithsej e nga këto 15 vjet në sektorin e naftës dhe burrat 60 vjeç me 30 vjet punë të siguruara e nga këto 20 vjet në sektorin e naftës. Sipas ligjit nr 8/2017 pensionistët përfitojnë shtesë pensioni 1% për çdo vit pune, por jo më shumë se 40%

Pension në dy vende të ndryshme

Pyetje

Sami Kadillari nga Tirana me banim në Gjermani shkruan: Jam i datëlindjes 19.08.1959. Në Shqipëri kam punuar rreth 18 vjet i siguruar dhe 16 vjet kam që punoj në Gjermani. Pyes kur i plotësoj kushtet për të marrë pension në Shqipëri dhe a mund të marrë dy pensione?

Përgjigje

Ju në vendin tonë do të dilni në pension 65 vjeç më 19 Gusht 2024 dhe për pension të plotë do kërkohen 38 vjet e 4 muaj punë të siguruara në vendin tonë. Me vitet e punës që keni në Shqipëri do të përfitoni pension të pjesshëm rreth 47 % të pensionit të plotë që llogaritet duke pjesëtuar vitet që keni aktualisht i siguruar në vendin tonë me 38 vjet e 4 muaj. Për periudhën që keni pasur nënshtetësi shqiptare me dëshirë mund të siguroheni duke bërë sigurime vullnetare në Shqipëri. Për 1 vit duhen paguar 62.208 lekë dhe pensioni shtohet rreth 2.7%. Nga dita që keni lënë nënshtetësinë shqiptare nuk keni të drejtë të bëni sigurime vullnetare. Sqarime më të hollësishme mund të merrni në agjencinë e sigurimeve shoqërore Tiranë. Për periudhat që punoni i siguruar në Gjermani do të merrni pension sipas legjislacionit të atij vendi. Pra, i keni kushtet për të përfituar dy pensione nga 1 në secilin vend.

Ripunësimi pas pensionit

Pyetje

Një mjek në spitalin e Sarandës në letrën që sapo na mbërriti trajton këtë problem: Në fund të muajit shkurt 2018 plotësova moshën 65 vjeç për pension. Gjithsej kam 37 vjet punë të siguruara, por me kërkesë të institucionit vazhdoj të punoj. Pyes, cilët janë kushtet për të përfituar pension të plotë, a kam të drejtë të punoj mbi moshën e pensionit dhe si bëhet trajtimi financiar në këtë rast?

Përgjigje

Deri në fund të këtij viti burrat dalin në pension të plotë 65 vjeç kur kanë 36 vjet e 4 muaj punë të siguruara në vendin tonë. Nga dita që ju keni plotësuar moshën e pensionit sipas nenit 19 të ligjit 104/2014 do të përfitoni 0.5% të pensionit për çdo muaj që keni punuar mbi moshë baras me 3% për 6 muaj dhe 6 % për 1 vit. Para daljes në pension ju takon leje e zakonshme e këtij viti deri ditën që pret marrëdhënien financiare dhe 1 rrogë mujore shpërblim. Mbasi të dilni në pension ju mund të kërkoni në Ministrin e Shëndetësisë për t’u ripunësuar mbi moshën e pensionit me kontratë ku përcaktohet dhe afati i ripunësimit, paga mujore bruto që do të merrni, vendi që do të punoni etj… Nëse ripunësoheni pensioni ju ndërpritet, sepse do të vazhdoni të merrni rrogë. Mbasi t’ju mbarojë kontrata do të dilni përsëri në pension, duke paraqitur dokumentin përkatës për ndërprerjen e marrëdhënies financiare në punë. Për periudhën e ndërprerjes së pensionit do të përfitoni rritjen ose shtesën e pensionit që janë bërë me Vendim Qeverie dhe 0.5% shtesë pensioni për çdo muaj që je ripunësuar duke paguar kontributet e sigurimeve shoqërore. Po të ripunësoheni në institucione private shtetërore përfitoni njëkohësisht pensionin dhe rrogën, por përsëri je i detyruar të paguani kontributet e sigurimeve shoqërore e shëndetësore….

Për më shumë lexoni në gazetën “Telegraf”