E kërkon në zyrë dhe e gjen në kafene

1502
Sigal

Fejton nga Hyskë Borobojka

Isha i pari ndër të parët, që zura derën e zyrës të shefit në katin e dytë të dikasterit me dëshirë e me shpresë se do më zgjidhej një problem e një hall i madh që kishte, jo ditë e muaj, por vite që vinte vërdallë nga njëra zyrë në tjetrën e s’gjente zgjidhje Kudo më kishin përcjellë me shprehjen: “E kemi në vëmendje, e kemi dërguar për njoftim e veprim” dhe ku ishe? Asgjëkund! I theva gishtat, së trokituri në derën e zyrës, sa m’u bënë me kallo, por ajo e uruar marzalla se donte të hapej. Minutat bëheshin orë dhe unë qëndroja si ‘gardirop’ pa pasqyrë përpara derës, me shpresë se do hapej, por ajo ishte hermetike. Kur shpirti më kishte vajtur në majë të hundës e gjaku në fund të këmbëve, kalon aty një zonjë apo zonjushe (eja e merre vesh) e si më përshëndeti, më pyeti: -Kë kërkoni, zoti qytetar? -Shefin! – i thashë me shpirt ndër dhëmbë. -Mos u lodh e mos u mundo duke pritur. Keq më vjen, por shefi ka shkuar me shërbim!- më sqaroi ajo. Por unë desha të dija se kur do kthehet. Ndërsa zonja apo zonjusha me bëri “sqarimin” e dytë, duke më thënë se e ikura dihet dhe jo e kthyera! I lodhur, i kapitur e i zemëruar, lashë detyrën e rojës te dera e shefit dhe me nxitim zbrita shkallët e shkova në një kafene, jo shumë larg, për të lagur buzët, që më ishin tharë. Kur ç’të shosh!? Në krye të lokalit, shefi, që e kërkoja në zyrë, me dy të tjerë kishin zënë bashin e kafenesë, duke formuar një trekëndësh barabrinjës, si këmbët e perustisë, rreth tavolinës. Kishin nxjerra secili faqoren e rakisë, ndërsa kamerieri, po u shërbente pjatat e mezeve.

-More zotni, e mbylle mirë derën e zyrës, se mos e pësojmë si ata të prokurorisë së Durrësit?! – e pyesnin njëri tjetrin.

-Pse budalla apo teleshmën më quan zotrote?! Jam nga ajo farë nëpunësish i rrahur me vaj e me uthull. Jo vetëm derën e mbylla me dy çelësa, por edhe dritaren dhe të gjitha shkresat me zarar i burgosa në kasafortë, që dhe shejtani me gjithë të birin të hyjnë s’i gjejnë dot, Prandaj jam kaq i qetë e po më vete në zëmër kjo e uruar raki ballë kazani

-Unë kam një pyetje, zoti shef! – tha njëri nga tre burrat si këmbët e perustisë.

-Urdhëro e fol!- iu përgjigj tjetri me gojën plot me meze.

-Me të dëgjuar e kam, – vazhdoi ai.-Është i vërtetë zëri i vëllait të ministrit të Brendshëm në video-përgjimin e atij qafirit “Babale”?

Shefi u err në fytyrë e iu përgjigj ashpër, duke e këshilluar e paralajmëruar të mos merrej me thashetheme pazari. Pasi për të vërtetuar vërtetësinë e këtij manipulimi e ka vërtetuar brenda një kohe rekord kryetari i “Rilindjes së Re”, duke e dërguar menjëherë në laboratorin më prestigjioz të Evropës, dhe e ka marrë përgjigje menjëherë, sa të hapësh e të mbyllësh sytë. Dhe deri sa thotë kryeministri ynë i nderuar dhe i respektuar, nuk ka asnjë dyshim. Ka gënjyer ndonjëherë ai? Çdo gjë që thotë ai është e vërtetë si drita e diellit.

-Po atëherë pse Prokurori e dërgoi në shtetin fqinj për të nxjerrë të vërtetën, kur e kishte zgjidhur problemin e saj vetë kryeministri ynë? –pyeti tjetri, që sapo i kishte dhënë fund faqores e kishte fshirë pjatat e mezeve.

-Kë beson zotrote, ata që vetëm baltë e blozë dinë të hedhin për “sukseset” e mëdha të “Rilindjes” sonë. Madje sukseset e arritjet tona i quajnë dështime. Gënjeshtra im zot! Thonë se në protestë ishin 50 mijë vetë. I kam parë e i kam numëruar nga dritarja e zyrës, sikur t’i kisha dhen e dhi në shtrungë. Nuk ishin, si hunj të shkulur, më shumë se 444! Tjetri sikur u zgjua nga letargjia e iu drejtua atij që mbante bashin e tavolinës:

-Më fal, o zoti shef. Zyra juaj sikur e ka dritaren nga perëndimi, ndërsa protestuesit ishin nga lindja! Ndërsa tjetri me gojën sa një kamare të mbushur plot i tha se kishte dëgjuar që policët kishin qëlluar një gazetar në kokë, sa i kishin bërë një të çarë. Në spital i vunë dhjetë penj.

-Gënjeshtra me bisht, për idealin e partisë. Të them unë, e kanë goditur me gurë shokët e tij. Policët kanë vetëm shkopinj gome, që në asnjë rast nuk shkakton të çara, jo për dhjetë penj, por as për një. Dëgjo shefin ti, jo broçkullat e botës. Të vërtetën të pastër si kristali e thotë vetëm “Rilindja e Re”. Dhe kur e thotë ajo, i ka vdekur, jo vetëm nëna, por edhe babai! – e “sqaroi” shefi. Njëri prej tyre, që kishte zënë këmbën e tretë të perustisë në tavolinë, ashtu, gjysmë i trullosur nga pija e pyeti shefin:

-Do të hapen aq vende pune sa deklaron “Rilindja e Re”, që njerëzit, sidomos rinia të mos marrë rrugët e botës për punësim e azil?

-Dëgjomë mua! – i shfryu shefi.- Ndërsa unë, ti dhe ky tjetri, që po i varet koka në tavolinë e kemi të siguruar edhe punën edhe pagën. Për të tjerët mendon, si nëna për fëmijët e saj “Rilindja e Re”. I treti mezi e ngriti kokën lart, që i rëndonte si vare dhe, me zë të mbytur, e pyeti kryetarin e tavolinës:

-Si vajti ajo puna e peshqve të mëdhenj, që do të mbylleshin në “hapsanë”, për të treguar kush e kishte rrjepur më shumë Shqipërinë e “mjerë, siç thotë Vaso Passha?

– Të drejtë ke, edhe unë e kam pasur merak këtë punë! –iu përgjigj shefi.

– Ka ndodhur një fenomen biologjik. Sipas Darvinit, peshqit e vegjël rriten e bëhen të mëdhenj. Kurse tek ne ndodh e kundërta. Peshqit e mëdhenj zvogëlohen e bëhen cironka, që nuk zien dot as me grep e as me rrjeta, por vetëm me pezaul.

Unë rija në një qoshe të lokalit e prisja me ankth, që ai t’u jepte fund faqoreve e bisedave pa fund e anë. Prisja me padurim që shefi të braktiste tavolinën e klubit e të kthehej në zyrë. Por ai vazhdonte bisedat pa fund e anë, që rrokulliseshin si zajet në përrenjtë e lumenjtë malorë. Duke pritur më erdhi kamerieri dhe, si më shikoi, si kali kaun në grazhd më foli ashpër: -Akoma do të rrish në lokal të na zësh tavolinën e karrigen badihava?! -Pres të ngrihet komandanti i tavolinës në krye të lokalit! -Ata e kanë lejen më pash të rrinë sa të duan, se janë plleja e jo si ti, dhi shterpë. I dhashë të drejtë kamerierit me diplomë universiteti, se ata ishin “Te puna”, siç e quanin dikur kafenenë e klubin në Rrëshen të Mirditës.