E Drejta e Pronës/ Hyqmet Zane: Pronat e bejlerëve në Jugun e Shqipërisë u shndërruan në prona greke me ligjin famëkeq 7501.

246

Pronat e bejlerëve shqiptarë të Jugut u shndërruan në prona greke?!

 Nga Hyqmet Zane

Shfaqja provokuese në Bularat nga nëna dhe motra e të vrarit Kacifas me fjalët “tokë greke” për vendin ku u vra biri dhe vëllai i tyre, duket se ka hapur siparin e një parashtrimi të të vërtetave që ekzistojnë për pronat e Jugut të Shqipërisë. Historikisht ato njihen si toka të pronarëve të mëdhenj shqiptarë, të bejlerëve dhe agallarëve të kohës. Këtë pohim e ka bërë në Parlamentin e Shqipërisë në fillim të viteve ’90 deputetja e PS për Gjirokastrën, Elvira Shapllo që iu drejtua një deputeti minoritar grek që pretendonte për pronësi.

Duhet pohuar se gjatë ekzistencës së Perandorisë Osmane popujt përbërës kishin zonën e tyre të koncentruar etnike (kombëtare), por dhe lëviznin brenda kufijve të perandorisë në drejtime të ndryshme, për arsye të ndryshme. Merret me mend që këto lëvizje kanë qenë në formë individuale, familjare, fisnore apo edhe më gjerë. Me shpërbërjen graduale të Perandorisë, popujt e saj njëri pas tjetrit krijuan shtetet e tyre, por disa edhe duke u zgjeruar në kurriz të popujve fqinjë. Shqiptarët ishin të fundit dhe për pasojë edhe nga pikëpamja territoriale të gjymtuar, por dhe kështu nuk i lenë rehat e duan t’u kafshojnë akoma copa. Qarqet nacionaliste (për të mos thënë ultra shoviniste) rreth e rrotull shqetësohen nga ideja e bashkimit të trojeve shqiptare në një komb të vetëm. Nëse ky shqetësim vjen nga frika, se me fuqizimin e Shqipërisë mund të rrezikohet territori i tyre, kot shqetësohen,pasi shqiptarëve as që iu shkon ndërmend të marrin qoftë edhe 1 m² nga toka që nuk kanë qenë të tyret. Por, nëse ky shqetësim vjen nga fakti, se me fuqizimin e Shqipërisë nuk do të kenë më mundësinë t’i shkëputin copa Asaj, atëherë nuk e kanë gabim, iu jap të drejtë. Për këtë po, “le të shqetësohen”!

Por le të vijmë e të fokusi tek ngjarja e fundit.

Nga cilat arsye një grua dhe vajza e saj në formë protestuese thonë atë që kanë brenda shpirtit të tyre për të cilësuar “tokë greke” tokën shqiptare.

Po ku mbështeten ato?

Përgjigja është e qartë: Në propagandën antishqitpare greke përmes “Agimit të Artë’ apo në idenë e zyrtarëve të lartë grekë që gjithnjë flasin për të drejtat e njeriut dhe me to, siç duket, qeveritarët grekë janë në sinkron me qarqet ekstreme ultra nacionaliste shoviniste greke kundër Shqipërisë.

Me fakte mund të provojmë, se tokat ku janë vendosur minoritarët grekë janë toka shqiptare, të familjeve shqiptare dhe minoritarët kanë ardhur si argatë të këtyre familjeve dhe kanë marrë ndonjë copë. Se si kanë ardhur grekët në tokën shqiptare e përshkruan me vërtetësi një personalitet i letrave shqiptare shkrimtari Bilal Xhaferi në artikullin: “Grekët e kanë pushtuar Epirin me trastën e lypësit”. Ndër të tjera ai shkruan “Grekët, grekomëdhenjtë, grekofonët, grekofilët, grekomanët e të gjitha ngjyrave çirren e ngjiren për “Vorio-Epirin”, të cilët nga një përrallëz e bënë gjallëz… Grekët e kanë pushtuar Epirin me trastën e lypësit. Ata kanë hyrë atje si argatë në tokat që u lejoheshin nga shqiptarët, janë të vendosur në ato toka si bujq dhe kanë mbetur atje. Gjatë mijëra vitesh histori që nga Homeri dhe Hesiodi, nga Herodoti dhe Turqiditi, nga Plutarku e deri tek Bajroni; historianët, studiuesit apo udhëtarët e ndryshëm (qoftë ata të huaj ose grekë), e kanë njohur Epirin si një vend jo grek por si një vend Pellazgo-Ilir (pellazg) në kohët antike dhe si një vend shqiptar në kohët moderne, vend i banuar kënd e kënd nga shqiptarët. Vetë grekët në revolucionin e tyre, kundër turqve, revolucion që ata e fituan sidomos në sajë të trurit, gjakut dhe burrërisë së shqiptarëve, kur parashtruan kërkesat e tyre të para tokësore e vunë kufirin e tyre ekstrem verior deri afër Artës dhe Agrinjos. Aso kohe atyre do t’u dilte shkuma një pëllëmbë mbi kurriz dhe sikur ta shihnin në ëndërr Shkumbinin tonë, shtrirjen e kufijve të Greqisë deri në Shkumbinin e Shqipërisë, siç filluan të kërkonin më vonë kur u erdhi oreksi për të ngrënë”.

Ultra nacionalistët grekë që nuk duan ta pranojnë realitetin, pretendojnë në mënyrë të moderuar ose hapur për territor nga pjesa shqiptare e asaj zone që e quajnë “Vorio Epir” (Epiri i Veriut), duke e emërtuar “Tokë Greke”. Një nga arsyetimet e tyre është statusi i pronësisë mbi ҫifliqet (tokat, kullotat) e kësaj zone para Reformës Agrare të pas Luftës së Dytë; duke supozuar se ato i përkisnin në shumicë popullsisë me kombësi Greke. Në se ky do të ishte kriteri, nuk besoj se iu leverdis.

-Ç’mund të thoshim ne për tokat e shqiptarëve në Greqi (mund t’i referohemi listës me pupullsisë shqiptare-arvanite në Greqi)?

Por edhe në mënyrë analitike, në atë zonën (që shumë veta gabimisht ndruhen ta quajnë Epiri i Veriut, se në fakt na mungon Epiri i Jugut) dihet se pronësia mbizotëruese e tokave kanë qenë të pronarëve me kombësi shqiptare. Për të marrë një “shije minimale” të përafërt shqyrtojmë tabelën e formuar nga disa dokumente pronësie që disponojmë rastësisht. Behet fjalë për regjistrime të pronave në tre fshatra të Vurgut të Delvinës, të nxjerra nga Arkivat Shtetërore Shqiptare. Dokumentet i referohen:

  • (Ish) “Prefektura Gjirokastër,
  • N/Prefektura Delvinë,
  • Katundaria Qendër” F.610, V.1928, D.84, f.1

Nga veprime të thjeshta aritmetike rezulton (për rastin konkret) që shuma totale e tokave në këto 3 fshatra është 5730 dynym. Nga këto në emër të pronarëve myslimanë janë 4600 dynymë dhe1130 në emër të pronarëve ortodoksë. Komentet janë të tepërta.

Kjo është një pasqyrë e një pjesë të tokës në Jugun e vendit në tre fshatra si Finiq, Karahaxh dhe Shijan. Një analizë e tillë i duhet bërë gjithë asaj pjese tjetër që ka qenë pronë e bejlerëve dhe agallarëve myslimanë të Libohovës, Gjirokastrës, Delvinës etj.

Nëse do të duhet të quhet “tokë greke” vetëm për faktin se grekët kanë ardhur si argatë në këto toka apo se ushtarët grekë u vranë duke ndjekur gjermanët në territorin shqiptar; kjo është e papranueshme dhe manipulim historik që nuk e meriton të merresh. Por edhe pretendimi se këto toka kanë qenë në shumicë në pronësi të popullsisë minoritare nuk qëndron. Mjafton t’i referohet dikush regjistrave të pronësisë pranë Arkivit të Shtetit do të bindet për të kundërtën. Nëse qeveritë shqiptare heshtin para teorive të tilla, atëherë kësaj do të duhet t’i thuhet – tradhti e interesave Kombëtare, aq më tepër që një kryeministër shqiptar shkon në Greqi dhe nuk zë në gojë problemet që kanë lidhje me këto realitete dhe me kauzën e Çamërisë, që po ky kryeministër i ka bërë publike në një televizion grek para nja dy vitesh. Ndër kohë qeveritarët grekë ndërhyjnë pa të keq në punët e brendshme të Shqipërisë, duke u interesuar, gjoja për shkeljen e të drejtave të pronësisë se bashkëkombësve të tyre. Qytetarët e Shqipërisë (minoritare apo shqiptare) i mbron Kushtetuta e Shtetit pa dallim.