Dyfishohen kërkesat për informacion mbi tenderimet nga qytetarët, mediat dhe OJF-të

768
Sigal

Me miratimin e Ligji Nr. 119/2014 “Për të drejtën e informimit”, Agjencia e Prokurimit ka pasur një numër të konsiderueshëm kërkesash për informacion. Në funksion të informimit të publikut, APP u ka kthyer përgjigje, brenda afateve të parashikuar nga legjislacioni në fuqi, kërkesave të shumta për informacion të qytetarëve në formë të shkruar ose në formë elektronike, në varësi të përzgjedhjes që kanë bërë këta të fundit. Gjatë vitit 2018, janë trajtuar dhe u është përcjellë informacioni i kërkuar 27 kërkesave drejtuar koordinatorit për të drejtën e informimit, elektronikisht apo në rrugë shkresore. Në një vështrim krahasimor, rezulton të ketë një rritje të numrit të kërkesave për të drejtën e informimit, pasi gjatë vitit 2017, APP ka marrë në shqyrtim 17 kërkesa. Pjesa më e madhe e kërkesave për të drejtën e informimit të paraqitura pranë APP, kanë qenë të iniciuara nga qytetarët, por vihet re një rritje e numrit të kërkesave të paraqitura nga OJF dhe media. Konkretisht, nga 27 kërkesa të paraqitura pranë APP për periudhën Janar-Dhjetor 2018, 17 janë kërkesa të paraqitura nga individë, 6 kërkesa janë paraqitur nga media (emisione investigative), si dhe 4 kërkesa janë depozituar nga OJF. Rritja e numrit të kërkesave është një tregues pozitiv, që ka të bëjë me ndërgjegjësimin lidhur me efektivitetin e ligjit për të drejtën e informimit. Gjatë vitit 2018, nuk rezulton t’i jetë kufizuar apo refuzuar dhënia e informacionit ndonjë subjekti të caktuar. Në disa raste, kur objekti i kërkesës ka qenë i paqartë, APP i është drejtuar kërkuesit të informacionit për plotësimin apo saktësimin e objektit të kërkesës. Në zbatim të Ligjit Nr. 119/2014 “Për të drejtën e informimit”, APP mban dhe bën publik Regjistrin e kërkesave dhe përgjigjeve, ku pasqyrohen të gjitha kërkesat për informim dhe informacionet e dhëna në përgjigje të tyre. Ky regjistër përditësohet çdo 3 muaj dhe publikohet në faqen zyrtare të APP. Gjithashtu, me anë të Vendimit të Këshillit të Ministrave Nr.145, datë 13.03.2018 “Për krijimin e bazës së të dhënave shtetërore “Regjistri elektronik i kërkesave dhe i përgjigjeve për të drejtën e informimit” është miratuar krijimi i Regjistrit Qendror të Kërkesave dhe Përgjigjeve. Ky regjistër është instaluar dhe në APP. Numri i kërkesave për informacion publik të trajtuara nëpërmjet sistemit është 15 për periudhën Qershor – Dhjetor 2018. Në mbështetje të transparencës, me qëllim garantimin e njohjes së publikut me informacion publik, APP ka vijuar punën për përmirësimin e procedurave për shqyrtimin e kërkesave për të drejtën e informimit duke bërë të mundur që informacioni i kërkuar, të bëhet i disponueshëm në mënyrën më praktike të mundshme për të gjithë subjektet e interesuara.