DPT: Paguani tatimin për shtëpitë që jepni me qera, 15% të të ardhurave

178

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ka bërë një njoftim sot për personat e paregjistruar në lidhje me detyrimin për të deklaruar dhe paguar tatimin mbi të ardhurat e përfituara nga dhënia me qira e shtëpive apo apartamenteve.

Gjatë sezonit turistik, Administrata Tatimore i ka kushtuar vëmendje të veçantë, garantimit të përmbushjes vullnetare të këtij detyrimi nga ana e individëve, të cilët shfrytëzojnë këto mjedise për pushimet verore. AT, në bashkëpunim edhe me institucione të tjera, do të shfrytëzojë çdo burim informacioni për të identifikuar këto transaksione.

Individi, përfitues i të ardhurave është i detyruar të deklarojë dhe të paguajë në organin tatimor përkatës tatimin në masën 15% të të ardhurave të realizuara, jo më vonë se data 20 e muajit që pason muajin në të cilin është kryer pagesa.

Deklarimi kryhet vetëm elektonikisht, sipas hapave të mëposhtëm:

Hyni në faqen zyrare: www.tatime.gov.al
Në menynë “e-Shërbime” zgjidhet rubrika “individët”, në të cilën klikohet për të aksesuar llogarinë e deklarimit elektronik.
Hapni dritaren e aksesimit në llogari, ku si emër përdoruesi vendoset numri personal (sipas Kartës së Identitetit dhe jepet fjalëkalimi përkatës).
Për të aksesuar llogarinë, duhet të zgjidhet: “E lexova dhe bie dakord me termat dhe kushtet”.
Me hyrjen në llogari, në menynë “Deklarata” zgjidhet “Tatimi në Burim”.
Tek rubrika “Deklarata të padorëzuara” listohen deklaratat, që duhet të plotësohen.
Zgjidhet periudha për të cilën do të kryhet deklarimi.

Individi përfitues i të ardhurave, plotëson rubrikën 15 “Pagesat për qiratë” të deklaratës së tatimit të mbajtur në burim, duke hedhur shumën mujore të përfituar nga qiratë dhe tatimin e llogaritur në masën 15%.

Duke klikuar butonin “Dorëzo”, deklarimi përfundon dhe dorëzohet në Administratën Tatimore.

Pas dorëzimit, deklarata mund të printohet për efekt dokumenti, duke klikuar butonin “Printo”.

Për kryerjen e pagesës, individi, përfitues i të ardhurave, në menynë “Deklarata të dorëzuara”, zgjedh periudhën përkatëse dhe shtyp butonin “Printo Urdhër Pagesë”. Ky urdhër i printuar shërben për të kryer pagesën në sportelet e bankave të nicvelit të dytë, përfundon DPT.