Diaspora i dërgon letër kryeministrit: Nuk dialogojmë, nëse nuk marrim trajtimin dhe respektin nga shteti

1176
Sigal

“Nuk do dialogojmë me kryeministrin, nëse nuk marrim trajtimin e duhur nga shteti”

Diaspora, letër Kryeministrit Rama: Kërkojmë qartësim për situatën politike dhe ekonomike të vendit

Zoti kryeministër, unë jam një mjek shqiptar, që bëj pjesë në diasporën shqiptare, sepse jetoj ne Francë, që nga viti 1992. Dua të përfitoj nga demokracia shqiptare, që në prag të Takimit të dytë të Diasporës në Tiranë, të shpreh mendimin tim, me shpresë se ai do t’i bëjë mirë kësaj nisme, tashmë të zyrtarizuar të shtetit. Ndjej kënaqësi kur shikoj që shteti ynë bën përpjekje për t’u lidhur me diasporën, aq më shumë, kur kujtoj diapazonin e gjerë dhe tejskajet e shpirtdërmimit të saj, që fillon nga çrrënjosja nga atdheu, tek vështirësitë e fëmijëve, që përpiqen të mbajnë me vështirësi dy identitete, e deri tek shqiptari i diasporës, që kur kthehet në Shqipëri, e ndjen veten përpara administratës shqiptare, si imigrant në vendin e tij. Mora pjesë në Takimin I në 2017 dhe e ndoqa këtë takim me shumë dëshirë. Në fund, i pranova të gjitha mungesat, që spikatën në këtë takim, sepse mendova se ishte hera e parë dhe se herën e dytë do të bëhej më mirë. Mirëpo, meqë nuk gjej ende atë që kërkova herën e parë, vendosa t’ju shkruaj.

Vështrimi im në marrëdhënien e Shtetit me Diasporën e saj, del jashtë shpirtit partiak, të majtë ose të djathtë. Vështrimi im përqendrohet në dy aspekte: në besimin midis diasporës dhe shtetit dhe në mënyrë të veçantë në besimin reciprok të tyre, në mbrojtje të interesave të kombit. Pa besim nuk merr jetë asnjë projekt njerëzor, asnjë lidhje njerëzore e qëndrueshme, sidomos aty ku kërkohet vullneti, si i pari element i domosdoshëm, ndryshe nga ndjenja e detyrës, që mund të ecë edhe pa vullnet të plotë. Por kam vënë re se administratat në përgjithësi mund të masin çdo gjë, por harrojnë shumë herë të masin besimin, që është vlera më e madhe njerëzore. Kuptohet, këtu bëhet fjalë për besimin e thjeshtë që rrjedh gjatë komunikimit të dy palëve, e nuk bëhet fjalë për një besim vote elektorale; as diaspora nuk ka zgjedhur qeverinë as qeveria nuk ka zgjedhur diasporën. Aktiviteti i shtetit shqiptar në marrëdhënien me diasporën është ende i ri. Sado mirë të jetë organizuar shteti, në lidhje me objektivin e tij mbi diasporën, niveli i parë i besimit do të vendoset nëpërmjet komunikimit. Këmbëngul tek cilësia e komunikimit, sepse është një moment vendimtar i besimit dhe do të jetë elementi bazë i lidhjes së diasporës me çdo qeveri, sido që të jetë ajo, e majtë apo e djathtë. Këmbëngul tek komunikimi i shtetit me diasporën, sepse diaspora ka shumë nevojë për informacion. Ajo ka vetëm një informacion fragmentar për shkak se: Së pari, ajo është larg vendit dhe, së dyti, ajo është e lidhur njëkohësisht edhe me problemet e vendit mikpritës dhe nuk mund të ndjekë në vazhdimësi gjërat që thuhen dhe që ndodhin në vendin tonë. Është në boshllëqet e informacionit fragmentar, që krijohen keqkuptimet dhe keqinterpretimet. E këto krijojnë dhe fuqizojnë, shqetësimin dhe ankthin e saj për vendin. Besimi ka nevojë për një fjalë po aq të qartë sa dhe vepra. Mirëpo kur futesh në sitin internet të Ministrisë së Diasporës, për të mësuar se cilat janë objektivat dhe strategjia e shtetit mbi Diasporën, përveç gëzimit që krijon serioziteti i një dokumentacioni shumë të gjerë e të organizuar në shumë kapituj, ndjen dhe zhgënjimin që krijon moskuptimi i një frazeologjie burokratike e të komplikuar, ndjen vështirësinë, që do të përballonte një njeri që viziton çdo proces industrial të një fabrike, pa ditur e pa kuptuar se cili është produkti që del prej tij.

Duke u nisur nga subjektet më të rrahura në biseda midis shqiptarësh jashtë shtetit, mund të nxjerrim pesë shqetësime themelore në lidhje me kombin tonë. Këto përbëjnë edhe pesë tematika, për të cilat Diaspora ka nevojë për shpjegime të qarta dhe qëndrime të qarta, përpara se të fillojë një dialog me qeverinë e vendit të saj. Pa qartësinë e tyre, do të ketë ngurrim dhe mungesë motivimi për të kontribuar qoftë dhe me dhënien e një mendimi, për të mos shkuar më larg. Më vjen mirë qe ju kërkoni të merrni mendimet e diasporës. Atje ku nuk u morën, si p.sh. në Rumani, diaspora arriti të organizojë demonstrata të fuqishme kundër korrupsionit. Këto pesë shqetësime tejkalojnë tendencat partiake, që në eksperiencën shekullore të Shqipërisë janë kthyer në tendenca subjektive individuale të shefave të partive, të cilët kanë devijuar nga rruga e mbrojtjes së interesave të kombit dhe që janë kthyer një zakon në vendin tonë. Përgjigjja për këto pesë shqetësime nuk mund të dalë nga vetëm një njeri. Ato kërkojnë mendimin kolektiv të të gjithëve, historianëve, sociologëve, diplomatëve e politikanëve. Ndërsa shteti duhet t’i drejtohet diasporës për të shprehur qëndrimin e tij në një dokument të veçantë për diasporën.

Do jenë apo jo, këto pesë hallka, fusha bashkëpunimi me diasporën, kjo mund të diskutohet gjatë një Takimi, por ajo që ka rëndësi është komunikimi i qartë, i paraqitur me anë të një dokumenti bazë, që do t’i shërbejë diasporës gjithë kohën. Ai mund të redaktohet në një formë të thjeshtë dhe të kuptueshme për fëmijët dhe nipat tanë.

Për mendimin tim, këto tema janë:

  1. Politika e shtetit mbi interesat e kombit

Kjo temë kërkon një trajtim të kujdesshëm, sepse që nga vendosja e demokracisë e deri më sot, shumë pikëpyetje kanë lindur mbi ngjarje të caktuara, që kanë vënë në dyshim të madh interesat e kombit dhe qëndrimin e Shtetit shqiptar ndaj këtyre interesave. Opaciteti, më shumë se sa transparenca, ka mbuluar këto ngjarje.

  1. Politika e shtetit në ruajtjen e pavarësisë optimale politike dhe ekonomike, në kuadrin e marrëdhënieve me fqinjët dhe në kuadrin e globalizmit ekonomik.

Cila është politika ekonomike mbi Borxhet dhe mbi Punën që nxjerr prodhimin shqiptar në Shqipëri. Cili është raporti i borxheve me prodhimin e brendshëm bruto dhe cila është lista e organizmave, që i kanë dhënë borxh Shqipërisë?

  1. Politika e shtetit në raport me fenë

Përse Shqipëria, si shtet laik, duhet të jetë anëtare e Konferencës Islamike? Përse duhen pranuar dhuratat ekonomike të investuara në kulturën fetare? Sa është raporti i tyre me dhuratat në kulturën laike?

  1. Politika e shtetit ndaj organit të pavarur të Drejtësisë, papastërtia e të cilit ka penguar investimet (edhe të diasporës), si dhe barazinë e qytetarëve përpara ligjit

Cili është mendimi dhe lufta e shtetit për realizimin e vettingut dhe luftën kundër korrupsionit? Cili është afati i mbarimit të këtij kapitulli, pa përfundimin e të cilit, të gjitha shifrat bëhen të parëndësishme, pa përfundimin e të cilit, as ju, as ne, nuk mund të mbajmë kokën lart me dinjitet përpara vetes dhe botës. Cilat janë forcat që e pengojnë? A ka forca të tilla brenda shtetit?

  1. Hallkat e kontrollit të funksionimit të shtetit ligjor dhe të qeverisë

Kjo pikë më shumë se me shtetin, ka të bëjë me parlamentin dhe me respektimin e kushtetutës së Republikës Demokratike, me vizionin e drejtë apo të shtrembër, që fusin logjikat partiake në respektimin ose jo të Kushtetutës.

Kështu, pyetjet që dalin në këtë fushë mbajnë më të madhin shqetësim, atë të zbatimit të Kushtetutës dhe shtetit të së Drejtës. Populli dhe diaspora guxojnë të shqetësohen, sepse kushtetuta e deklaron popullin sovran, prej të cilit del pushteti i tij. Prandaj shteti demokratik ka vendosur Gjykatën Kushtetuese, që të kontrollojë respektimin e saj. Të gjithë njerëzit e diasporës dhe populli shprehin keqardhjen më të madhe që kjo gjykatë është në gjendje jo funksionuese. Prandaj populli dhe diaspora kërkojnë vullnetin e parlamentarëve, që të mendojnë për dinjitetin e kombit, para dinjitetit të partive, sepse Kushtetuta është vlera më e lartë e republikës demokratike.

Zoti kryeministër, lexova me vëmendje mesazhin tuaj në letrën ftesë që i dërgoni Diasporës. Një frazë e juaja në këtë letër më tërhoqi vëmendjen: «Udhëtimi i Odisesë drejt Itakës është një imazh shprehës se si kombi, një bashkësi gjithmonë në rrugëtim, është po ashtu një nocion dhe koncept në shndërrim të vazhdueshëm». Sigurisht në një letër ftesë, ju nuk mund të zhvilloni tezën tuaj mbi shndërrimin e vazhdueshëm të nocionit dhe konceptit të kombit. Ka gjëra që për të ndryshuar, duan një sekondë dhe ka gjëra që për të ndryshuar duan dekada, shekuj e mijëvjeçarë, e deri në gjërat, që në sytë e njerëzimit nuk kanë ndryshuar ende. Dikur nuk kishte kombe. Sot ka kombe. Pyetja që shtrohet në kontekstin historik dhe ekonomik të Shqipërisë, në marrëdhënie me fqinjët dhe aleatët, duke marrë nxitje nga teza juaj se koncepti i kombit është në shndërrim të vazhdueshëm është: «A janë këto shndërrime të tilla, që të prekin bërthamën e kombit?» Ndoshta pyetja ime mund të bëhej ndryshe. Debati le të jetë i hapur, por ai nuk duhet të qëndrojë i hapur për shumë kohë. Shpresoj që opinioni shqiptar dhe mediat shqiptare do të jenë të vëmendshëm për përgjigjen ndaj tezës tuaj, ilustrimin e së cilës, ju e keni marrë nga udhëtimi i Odiseut në rrugën e kthimit për në shtëpinë e tij. Mendimi im është, se i vetmi ndryshim që po u ndodh kombeve sot, përjashtuar influencat e kulturave, është fakti, që të gjithë kombet janë futur në borxhe, në institucione që nuk njohin kombin, në fushën e tyre të veprimit. Në këtë moment, pavarësia ekonomike e kombeve është kthyer në një ndërvartësi ekonomike midis midis tyre. Por nocioni i kombit nuk ka ndryshuar. E, ndërsa nga njëra anë, ai është relativizuar përballë vlerave universale të njerëzimit dhe globalizimit ekonomik, nga ana tjetër ai shpreh prirjen që të ruajë veten nga sulmi i interesave ekonomike të kapitaleve të huaja, të cilat me mekanizmin e borxheve, krijojnë pasiguri dhe frikë.

Diaspora e Shqipërisë, diplomatja e padeklaruar, po i njeh mirë këto procese, duke punuar e përkushtuar, pranë popujve të tjerë. Është shumë e rëndësishme t’i krijohet asaj besim te shteti, sepse ajo mban në shpirtin e saj në ekuilibër vlerat universale me vlerat e kombit. Në të njëjtën kohë, që jeton në shtete të së drejtës, ajo shqetësohet për Drejtësinë në vendin e saj dhe jo vetëm në mënyrë ideale. Ajo vazhdon të ketë edhe interesa njerëzore e materiale në Shqipëri. Sa ç’është ajo produkt i globalizimit, po aq ajo shqetësohet për kombin e saj, që ai të mos humbë në xhunglën ekonomike, duke ruajtur konceptin e kombit, së pari me gjuhën, së dyti me dinjitetin e etikës, që gjinia njerëzore ruan akoma me xhelozi e me sukses, kundër sulmit zhvleftësues që i bën paraja, motor i botës moderne, jo vetëm në ekonomi, por edhe në fe, në kulturë e politikë. Të mos harrojmë se, në kushtet aktuale, nëse shtetet e mëdha kanë mjete kompensuese për të ruajtur pavarësinë e vendeve të tyre, pavarësisht nga borxhet e thella që ka secili, Shqipëria më duket tepër e varfër për të pasur këto mekanizma kompensuese dhe pavarësia e saj në raste krizash ekonomike, apo politike të botës, mund të futet në rrezik, në një të ardhme të afërt ose të largët. Dhe ne shqiptaret e sotshëm do të mbajmë pjesën e përgjegjësisë përpara brezave, që do të vijnë. Sado borxhe të kenë vendet e huaja, sado borxhe të ketë Shqipëria, nocioni dhe koncepti i kombit nuk do të ndryshojë, as për ata, as për ne Shqiptarët. Për sa kohë që do të ekzistojë pabarazia ekonomike midis shteteve të botës, njerëzit do të kenë tendencë të ruhen me idenë e kombit. Këtu qëndron edhe konflikti i botës moderne: Midis globalizimit dhe kombit. Kjo përbën sfidën më të fortë, prandaj nevoja e një strategjie kombëtare në planin ekonomik dhe politik do të ishte detyra, që kërkon angazhimin kolektiv të popullit e partive, së bashku me diasporën shqiptare. Dhe në këto kushte, kjo nuk nënkupton mbyllje në vetvete. Kjo nënkupton një fuqizim të mjeteve në dispozicion, sepse krizat e tjera ekonomike, asnjë mendje më e zgjuar nuk i ka përjashtuar deri më sot. Në qoftë se Shqipëria nuk do të punojë dhe prodhojë, e ardhmja e saj është e pasigurt në kohë krizash. Qytetërimi romak u shua, sepse Roma nuk prodhonte më. Për Romën punonte i gjithë pellgu mesdhetar. Ky mësim i historisë duhet të na bëjë të mendojmë seriozisht për punën në Shqipëri. Diaspora shqiptare është modeste dhe e përulur përpara realiteteve shqiptare.

Ajo vuan kur shikon parlamentarët në debate tejet vulgare e banale;

ajo vuan po aq sa edhe populli nga ideja që vendi i tyre radhitet midis vendeve me korrupsion më të lartë;

ajo vuan nga ideja që ky korrupsion ka gangrenizuar drejtësinë dhe instancat shtetërore; ajo vuan kur shikon mungesën e qytetarisë midis nesh,

por ajo nuk bëhet asnjëherë arrogante dhe të mendojë se është pjesa më e mirë e kombit. Pjesa më e mirë e kombit ndodhet tek rinia shqiptare që jeton në vend, sepse aty është edhe e ardhmja e tij. Prandaj ajo shqetësohet akoma më shumë, sepse kërkon që kjo rini të futet në rrugën e dinjitetit, nëpërmjet studimit dhe punës. Ftesa drejtuar diasporës është një gjest shpresëdhënës. Diaspora nuk është e një partie. Prania dhe zëri i diasporës në Shqipëri, do të nxjerrë në pah çështjet qendrore që e shqetësojnë sot popullin dhe diasporën. Shtypi duhet të bëhet përçues i shqetësimeve dhe mendimeve të diasporës, duke mos hezituar të paraqesin mendimin e tyre me vërtetësi. Unë i bëj thirrje pronarëve të gazetave, që të çlirojnë veten dhe gazetat e tyre nga lobimi partiak, për interesin e kombit, sepse siç thoshte Jasques Prevert «Kur e Vërteta nuk është e lirë, as Liria nuk është e vërtetë». Shpirti partiak ka rezultuar shpesh herë i dëmshëm për kauza të përbashkëta. Ky është një ndër mësimet kryesore, që na la shekulli i shkuar. Ndarja në popullsi me «ky është me Edin, ky është me Lulzimin ose Saliun», është një mbeturinë e regjimit të vjetër, që përfundon për ne shqiptarët në «ose me mua, ose kundra meje» dhe kështu harrohen çështjet themelore të demokracisë e të kombit dhe në këtë mënyrë, nuk ka më asgjë të përbashkët. Dhe më e keqja është se edhe kombi duket se nuk është më i përbashkët. Vetëm ankesat e qarjet janë të përbashkëta. Kjo sjellje fëminore në politikë, nuk do të na lejojë të ngrihemi deri tek dinjiteti. Mungesa e dinjitetit i shkakton edhe dhembje edhe tallje edhe dëshpërim popullit dhe diasporës.

Zoti kryeministër, unë ju falënderoj personalisht për nismën për të thirrur Diasporën në bashkëbisedime në Shqipëri. Le të mos e kthejmë këtë nismë në një formalitet shtetëror. Le të jemi transparentë me njeri tjetrin. Vetëm kështu ne mund t’i japim kuptim këtij bashkëpunimi, që do të shtrihet deri tek e drejta e diasporës për votë në Shqipëri kudo që të jetë ajo, asnjë pjesë e saj nuk është më e privilegjuar se tjetra. Barazia përpara ligjit duhet të shtrihet edhe brenda diasporës.

Me Respekt, Kujtim Drishti