Dhori Spirollari: Tërmeti dhe premtimet e qeverisë

677
Sigal

Prefekti Dhori Spirollari: Përmbushim premtimin e qeverisë për ndërtimin nga e para të shtëpive të shkatërruara

 

Vijon ndërtimi i shtëpive të dëmtuara nga tërmeti në qarkun e Korçës

 

Nga Vepror Hasani

Aktualisht në qarkun e Korçës vijon puna për rindërtimin e shtëpive të dëmtuara nga tërmeti i 1 qershorit të këtij viti. Fillimisht puna nisi në fshatin Floq ku numri i shtëpive të dëmtuara është më i madh dhe, më pas, në fshatin Qafëzez të Kolonjës dhe në Vidohovë të rrethit Devoll. Pra, jemi duke përmbushur premtimin e qeverisë për kthimin e banorëve në shtëpitë e tyre të rindërtuara pa filluar shirat e vjeshtës. Për të mbërritur deri këtu, – tha më tej prefekti i qarkut Korçë, Dhori Spirollari, – u desh realizimi i një sërë proceseve parapërgatitore: Vlerësime dhe rivlerësime me qëllim që procesi të ishte objektiv dhe i drejtë për çdo familje të dëmtuar. U përcaktua dëmi për çdo banesë, u hartuan projekte dhe preventiva, u gjet zgjidhje prej bashkive, donatorëve dhe kompanive që morën përsipër ndërtimin e banesave; plotësuam në kohë kërkesat që na vinin nga Qeveria dhe Drejtoria e Përgjithshme e Emergjencave Civile, Ministria e Mbrojtjes dhe, ndërkaq dorëzuam dokumentacionin e nevojshëm për financimin e banesave të dëmtuara. Veç sa më sipër, tre ekipe nga Instituti i Ndërtimit punuan në terren për hartimin e projekteve për rikonstruksionin e 80 banesave në qarkun e Korçës. Mbi këtë bazë këshillat e bashkive përkatëse (Korçë, Kolonjë dhe Devoll), përgatitën listat e vlerave sipas dëmeve dhe dokumentacionin tekniko-ligjor për ofrimin e ndihmave për çdo familje të dëmtuar nga tërmeti. Edhe gjatë kësaj kohe familjeve të mbetura pa shtëpi u është siguruar strehimi, ushqimi, veshmbathja, ngrohja, tualeti, dushi dhe shërbimi mjekësor.

Financimi për shtëpitë që do të ndërtohen nga e para është kryer

Financimi i shtëpive që do të ndërtohen nga e para është kryer, – shpjegoi prefekti i qarkut Korçë, Dhori Spirollari. Ndërtimi i disa banesave ka përfunduar dhe familjet u kthyen në banesat e tyre; vijon puna për ndërtimin e shtëpive të tjera. Ndërkohë janë të garantuara fondet për 31 objekte të dëmtuara, të cilat kanë nevojë për ndërhyrje të thella. Gjithashtu është miratuar edhe lista me 295 objekte që kanë pësuar dëmtime të pjesshme; financimi do të bëhet nga organet përkatëse. Për Bashkinë Korçës vlera totale e dëmit që do t’u paguhet familjeve të dëmtuara shkon në 26,663,137 lekë; vlerë kjo e përcaktuar mbi bazën e verifikimeve të kryera nga Komisioni i Verifikimit të dëmeve. Për bashkinë në fjalë, si banesa të jetueshme për t’u shpërblyer u përcaktuan 136, të cilat gjenden në fshatrat: Floq, Dvoran, Drenovë, Mborje, Moravë, Lumalas, Gjanç, Boboshticë, Kamenicë, Ravonik, Qatrom, Polenë, Voskop, Pulahë, Dërsnik dhe Çiflig. Ndërsa vetëm për qytetin e Korçës rezultuan 162 banesa të dëmtuara; gjithsej 298 familje. Për ndërtimin e shtëpive të dëmtuara nga tërmeti puna ka filluar edhe në fshatin Qafëzez të rrethit Kolonjë, ku rezultojnë 3-4 shtëpi të dëmtuara tërësisht, dhe 20 të tjera që kanë nevojë për rikonstruksion të thellë. Në javën e parë të tetorit edhe shkolla e Qafëzezit do të jetë e liruar nga banorët e strehuar aty. Në shtëpitë e tyre do të kthehen edhe ata që jetojnë në çadra apo kontejnerë. Premtimi i bërë nga qeveria po shkon drejt realizimit të plotë. Në Kolonjë janë edhe 160 banesa të tjera me dëmtime të lehta të cilat do të trajtohen me dëmshpërblim sipas VKM-së 329. Në gjithë Kolonjën numërohen 246 banesa të dëmtuara lehtë, të cilat do të trajtohen me dëmshpërblim. Ndërkohë Bashkia Kolonjë ka nisur procedurat për trajtimin e familjeve me qira sociale dhe banesa sociale.

Premtim i përmbushur

Gjatë vizitës që pati kryeministri Rama në fshatrat Floq dhe Qafëzes, të dëmtuara nga tërmeti ndër të tjera tha: “Kjo është një e keqe që nuk e ndalonim dot, por që do të vijë me të mirën e vet, sepse do t’i rindërtojmë shtëpitë dhe me siguri do të jenë më të mira nga ç’ishin përpara se të ndodhte kjo. Do ta bëjmë shpejt, kemi bërë inventarin e të gjithë dëmeve, kemi bërë gati edhe planin për rindërtimin, kështu që objektivi është që brenda verës ju të futeni në shtëpi… ne duam që gjithë të jenë në shtëpi para shirave, kështu që s’ka diskutim që do ta bëjmë këtë gjë, edhe patjetër që do t’u ndihmojmë edhe për pjesën që kanë të bëjnë me orendi e elektro-shtëpiake”.

“Gjithashtu, – tha prefekti i Korçës, Dhori Spirollari, – më duhet të them se banorët e dëmtuar nga tërmeti patën edhe ndihmën e komuniteteve fetare. Së fundi Myftinia Korçë shpërndau ndihma në çanta shkollore edhe për fëmijët e Vidohovës në rrethin e Devollit. Projekti i shpërndarjes përfshiu të gjithë fëmijët e fshatit të nivelit 9-vjeçar. Më parë kishin ofruar ndihma edhe për fshatin Floq. Gjithashtu, e kam thënë edhe më parë, të mbështetur kemi qenë edhe nga Fondacioni “Kryqi i Kuq”, “Kenedi”, “Karitasi”, bizneset, por edhe nga kompania TAP. Tashmë jemi të sigurt që ia dolëm mbanë, banorët e mbetur të pastrehë, po kthehen në shtëpitë e tyre të reja.