Dështon mbledhja e Këshillit Bashkiak Kamëz, mijëra qytetarë pa ndihmë ekonomike

    450
    Ka dështuar për herë të tretë mbledhja e Këshillit Bashkiak Kamëz. Shkak për këtë siç deklaron Basshkia e Kamzës “janë bërë këshilltarët e koalicionit të majtë, të cilët janë kthyer në vegla të verbra politike, duke lënë kështu pa miratuar dhënien e ndihmës ekonomike, si dhe ndihma të tjera për mijëra qytetarë të Kamzës dhe Paskuqanit”. Sot në orën 10:00 duhet të mblidhej Këshilli, por të pranishëm në sallë kanë qenë vetëm 18 anëtarët e koalicionit të djathtë, pa krijuar kështu kuorumin e nevojshëm për zhvillimin e mbledhjes. Që nga data 23 shtator, u bënë tri herë që kërkohet të zhvillohet mbledhja e Këshillit Bashkiak. Kërkesës së bërë në datë 23 shtator nga kryetari i Bashkisë, z. Xhelal Mziu, kryetari i Këshillit Bashkiak, z. Asllan Neziri, ka kthyer përgjigje negative me anë të një letre të mbushur me shkrim dore, me argumente që nuk janë serioze. Më datë 25 shtator është thirrur sërish mbledhja nga kryetari i Bashkisë për t’u zhvilluar në datën 30 shtator, por këshilltarët e majtë nuk kanë ardhur, duke mos plotësuar sërish kuorumin e nevojshëm për zhvillimin e mbledhjes ku do të kalonin projektvendime të rëndësishme për qytetarët. Bashkia Kamëz u kërkon ndjesë qytetarëve për këtë sjellje të këshilltarëve të majtë, që janë kthyer në vegla të verbra politike në dëm të qytetarëve të Kamzës dhe Paskuqanit.

    “Çudia është se herën e tretë mbledhja është thirrur nga kryetari i Këshillit (pjesë e koalicionit të majtë), i cili e ka firmosur shkresën përkatëse, që njoftonte këshilltarët për mbledhjen e sotme. Në tri herë që është kërkuar mbledhja e Këshillit, në të tria herët ka dështuar për shkak të mosparaqitjes së këshilltarëve të majtë, pa paraqitur asnjë argument. Ndërkohë, këshilltarët e majtë vazhdojnë të bëjnë mbledhje në selitë e degëve të LSI-së dhe PS-së. Kjo situatë e krijuar nga sjellja e papërgjegjshme e të majtëve krijon një kosto sociale e cila rëndon mbi qytetarët dhe sidomos mbi ato familje në nevojë për t’iu akorduar dhënia e ndihmës ekonomike, dhënia e ndihmës emergjente etj. Në këto kushte, kryetari i Bashkisë po kërkon çdo instrument e mundësi për t’u ardhur në ndihmë qytetarëve e të mos vuajnë këtë handikap politik, për shkak të kësaj kapriçoje të periferisë politike të të majtëve”,- sqaron ajo. Bashkia sqaron se është e angazhuar maksimalisht për të gjetur të gjithë instrumentet për t’u ardhur në ndihmë mijëra qytetarëve të Kamzës dhe Paskuqanit, për të mos lejuar vonesa të tjera që janë në dëm të tyre. Ndërkaq, një tjetër mbledhje është thirrur për ditën e martë, datë 6 tetor. Bashkia Kamëz dhe kryebashkiaku Mziu shpresojnë që kësaj radhe të përgjigjen pozitivisht dhe të mos bllokojnë kalimin e projektvendimeve në dobi të qytetarëve të Kamzës dhe Paskuqanit.
    Sigal