Dështon bashkëqeverisja: “Shqipëria që duam”

829
Sigal

Nga Maksim Rushi

Zyra e platformës bashkëqeverisëse fshehu aferat korruptive të denoncuara nga Shoqata e Personave të Paaftë

Drejtoria e Kontrollit të Automjeteve në Fier, nuk njeh librezën e anëtarëve të ShShPP dhe për pasojë ata nuk mund të përfitojnë nga përjashtimi i taksës për kontrollin e automjeteve.

Edhe zyra e bashkëqeverisjes “Shqipëria që duam”,  e trumbetuar si një nga praktikat më të mira të bashkëpunimit me qytetarët, nisi të zhgënjejë; kjo është për të ardhur keq, pasi zyra në fjalë deri më tani ishte parë si një mundësi reale për zgjidhjen e problemeve të zvarritura në kohë e të mbetura pa përgjigje. Nisur nga emri i mirë që kishte krijuar kjo zyrë, Shoqata Shqiptare e Personave të Paaftë, para pak javësh, pati një bashkëpunim të parë me bashkëqeverisjen “Shqipëria që duam”, dhe mbetëm mjaft të kënaqur nga përgjigjet që morën dhe puna e kryer prej saj. Kjo gjë na nxiti të drejtohemi sërish bashkëqeverisjes “Shqipëria që duam” për denoncimin e aferave korruptive që ndodhnin në Drejtorinë e Shërbimit të Transportit në qarkun e Fierit, dhe ndërsa prisnim të merrnim përgjigje të vërteta për verifikime të kryera, morëm një përgjigje që nuk jepte asnjë përgjigje. “Shqipëria që duam” kishte dështuar.

Denoncimi i Shoqatës Shqiptare të Personave të Paaftë

Denoncimi ynë ishte ky: Drejtoria e Kontrollit të Automjeteve në qarkun e Fierit, nuk njeh librezën e anëtarëve të Shoqatës Shqiptare të Personave të Paaftë dhe për pasojë ata nuk mund të përfitojnë nga përjashtimi i taksës për kontrollin e automjeteve. Dhe afera korruptive nuk përfundon këtu: Drejtuesit e Drejtorisë së Kontrollit të Automjeteve të qarkut Fier u ofrojnë anëtarëve të shoqatës tonë një opsion tjetër, edhe ky opsion tejet korruptiv: ata udhëzojnë anëtarët e shoqatës tonë të shkojnë në Lushnjë dhe të pajisen me librezën e shoqatës “Në mbështetje të grupeve vulnerabël”, dhe vetëm pas kësaj, iu ofrojnë shërbimin e kërkuar. Madje  Drejtoria e qarkut Fier është kaq e interesuar të pajisë anëtarët e shoqatës tonë  me librezën e shoqatës “Në mbështetje të grupeve vulnerabël”, sa nuk harron t’u shpjegojë se zyra e kësaj shoqate ndodhet pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Lushnjë. Dhe afera korruptive vijon edhe më tej: përveç shpenzimeve vajtje-ardhje Fier-Lushnjë-Lushnjë-Fier, anëtarët e shoqatës tonë detyrohen të bëjnë edhe noterizimin e fotokopjes së librezës duke paguar një shumë prej 1000 lekësh të rinj. Pse janë kaq të interesuar drejtuesit e Drejtorisë së Kontrollit të Automjeteve të qarkut Fier të pajisnin anëtarët e shoqatës tonë me librezën e një shoqatë tjetër, e dinë vetëm ata. Nëse zyra e Bashkëqeverisjes “Shqipëria që duam”, do t’u kishte shkuar punëve deri në fund dhe me përgjegjësi, do të kishte evidentuar edhe personat përgjegjës. Por kjo nuk ndodhi.

Dhe aferat korruptive nuk përfundojnë këtu!

Dhe aferat korruptive nuk përfundojnë këtu. Përgjigjja që morëm vetëm përgjigje nuk i jepte shqetësimeve tona, madje bie në sy përpjekja për t’iu fshehur së vërtetës. Sipas përgjigjes së kthyer nga platforma e bashkëqeverisjes “Shqipëria që duam”, e cila i referohet Drejtorisë së Përgjithshme të Transportit Rrugor – Drejtorisë Ekonomike -, na bën me dije se kategoritë që përfitojnë nga taksat kombëtare janë: 1) Invalidë  pune; 2) Të verbër; 3) Paraplegjikë dhe tetraplegjikë, që në zbatim të ligjit nr. 9975, datë 28.07. 2008 “Për taksat kombëtare” (i ndryshuar) dhe të Udhëzimit të Ministrisë së Financave nr. 26 datë 04.09.2008 “Për taksat kombëtare”, (i ndryshuar), përjashtohen nga pagesa e taksës vjetore të mjeteve të përdorura…”.  Pra, kjo është përgjigjja e “Bashkëqeverisjes me qytetarët”, kurse pyetja jonë është kjo: Po shoqata “Në mbështetje të grupeve vulnerabël”, me cilin ligj bëhet përfituese nga përjashtimi i taksave kombëtare?! Në  renditjen që u keni bërë kategorive përfituese, kjo shoqatë nuk përmendet, atëherë pse i detyroni anëtarët e shoqatës tonë të pajisen me librezën e një shoqatë që nuk figuron si përfituese?! Mirëpo realiteti është ndryshe:  Shoqata “Në mbështetje të grupeve vulnerabël” jo vetëm që është përfituese e taksave kombëtare, por ka edhe mbështetjen e  Drejtorisë së Kontrollit të Automjeteve të qarkut Fier, ku kjo e fundit  detyron dhe anëtarët e Shoqatës Shqiptare të Personave të Paaftë tonë të shkojnë në Lushnjë.

Përgjigjja i fshihet së vërtetës, mbron aferat korruptive

Përgjigjja e ardhur nga zyra e Bashkëqeverisjes “Shqipëria që duam” tenton t’i fshihet së vërtetës, tregon se nuk ka guxim t’u shkojë punëve deri në fund. Ja përgjigjja që morëm prej saj, e cila në këtë rast i referohet Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor:  “Për sa i përket pretendimit që ka kjo shoqëri (Shoqata Shqiptare e Personave të Paaftë), për një opsion tjetër korruptiv, që detyrojmë anëtarët e kësaj shoqate, të shkojnë në Lushnjë dhe të pajisen me librezën e Shoqatës Kombëtare në Mbështetje të Grupeve Vulnerabël, nuk është e vërtetë, pasi qytetari është i lirë të jetë anëtar i cilësdo shoqatë të krijuar në bazë të ligjit nr. 7889, datë 14.12.1994 “Për statusin e invalidit të punës, ndryshuar neni 4 (bashkëlidhur praktika invalidësh) dhe nuk kemi asnjë lloj interesi të aluduar nga kjo shoqatë”.

Mirëpo e vërteta është ndryshe, anëtarët tanë e pohojnë…

Anëtarët e  Shoqatës Shqiptare të Personave të Paaftë janë udhëzuar nga drejtues të Drejtorisë së Kontrollit të Automjeteve në qarkun e Fierit të shkojnë në Lushnjë nëse duan të përfitojnë nga taksat kombëtare. Dhe kjo është kaq e vërtetë sa nuk mund të bëhet dot ndryshe. Ne siguruam emrat e disa anëtarëve të shoqatës tonë në Fier, të cilët pohojnë se janë dërguar në Lushnjë, pasi në të kundërt nuk u ofrohej shërbimi i kërkuar nga kjo drejtori. Anëtarët tanë që e pohojnë këtë të vërtetë të pamohueshme, janë:

  1. Dea Lako, njësia Administrative, Dermenas, Bashkia Fier.
  2. Ervis Aliaj, njësia Administrative, Portas, Bashkia Fier.
  3. Kristjan Bekteshi, njësia administrative, Zharrzë, Bashkia Patos.
  4. Agron Zenaj, njësia Adminstrative, Kuman, Bashkia Rroskovec.
  5. Fredi Osmani, njësia Administrative, Levan, Bashkia Fier.
  6. Ramiz Delilaj, njësia Administrative, Kutë, Bashkia Ballsh.

Dhe këta persona, zotërinj të “Shqipërisë që duam”, nuk janë të shoqatës “Invalid pune”, por të Shoqatës Shqiptare të Personave të Paaftë. Gjithashtu, këta persona nuk shkojnë në Lushnjë të regjistrohen në një shoqatë tjetër “Invalid Pune”, por në shoqatën kombëtare “Në mbështetje të grupeve vulnerable”. Pra, nga sa shihet, afera korruptive nuk mund të fshihet dot. Jo vetëm kaq: ne kemi të skanuara edhe librezat, që janë marrë në qytetin e Lushnjës tek shoqata “Në mbështetje të grupeve vulnerabile”.

Shoqata jonë e barasvlershme me shoqatat e tjera

Shoqata Shqiptare e Personave të Paaftë është krijuar më 4 dhjetor 2012 me vendim nr. 3457 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë dhe ka gjashtë vjet që ushtron veprimtarinë e saj të ligjshme në gjithë hapësirën e Republikës së Shqipërisë. Është e pajisur me NIPT L44011191R. Qëllimi parësor i saj është kujdesi për kategorinë e qytetarëve me dëmtim fizik e pluridifekt, të cilët janë persona që nuk janë mbuluar nga skema e sigurimeve shoqërore, pasi këta individë, ose kanë lindur të tillë, ose janë aksidentuar gjatë jetës. Sipas Ligjit Nr. 93/2014 “Për përfshirjen dhe akseset e personave me aftësi të kufizuar”, nën kategorinë e personave të paaftë përfshin invalidët e punës dhe të luftës, paraplegjikët dhe tetraplegjikët, personat që nuk dëgjojnë dhe nuk shikojnë dhe çdo kategori tjetër e personave me aftësi të kufizuar, përfshi këtu edhe personat që kanë lindur të tillë ose janë aksidentuar gjatë jetës së tyre. Atëherë pse detyrohen anëtarët e shoqatës tonë të pajisen me librezat e shoqatave të tjera për të përfituar nga taksat kombëtare?! Bëjmë me dije edhe një herë se Shoqata Shqiptare e Personave të Paaftë është në përputhje të plotë me ligjet e shtetit shqiptar dhe konventat kombëtare e ndërkombëtare. Madje, ashtu si gjithë shoqatat e tjera të paaftësisë, edhe anëtarët e shoqatës tonë janë të pajisur me të gjitha dokumentet që kërkon ligji, përfshi këtu edhe vërtetimin e lëshuar nga Komisioni Mjekësor i Caktimit të Aftësisë për Punë (KMCAP), gjë që e bën të barasvlershme me të gjitha shoqatat e tjera të përmendura më sipër.

Kryetari  kombëtar i Shoqatës Shqiptare të Personave të Paaftë