Çfarë fshihet pas ndikimit në rritje të Kinës në Ballkan

770
Sigal

Ndikimi i Pekinit në Ballkan vazhdon të rritet, por ne nuk duhet ta krahasojmë atë me Rusinë. Ndikimi kinez ndryshon si në motivet që ata kanë, si në mjetet që përdorin për ta rritur atë më shumë, shkruan Matej Šimalčík, Drejtor Ekzekutiv i Institutit të Studimeve Aziatike, një institucion me qendër në Bratislavë, Sllovaki. Vitin e kaluar, Përfaqësuesja e Lartë e BE-së, Federica Mogherini, theksoi se rajoni i Ballkanit po shndërrohet në një lojë shahu, ku një prej lojtarëve më të mëdhenj duket se është Kina. Ndikimi i kinezëve në Ballkan është rritur që nga viti 2012, kohë kur u krijua edhe platforma 16 + 1. Që nga ajo kohë, Kina ka investuar shumë në rajonin e Ballkanit në infrastrukturë, industrinë r çelikut, etj. Blerja e Smederevos, fabrikës së çelikut, ndërtimi i hekurudhës Budapest-Beograd, autostrada Beograd-Bar dhe Ura e Pelješacit janë disa prej shembujve të investimeve kineze në Ballkan.

Ndihmë financiare apo kurth borxhesh?

Kohët e fundit, investime të shumta kineze janë akuzuar si kurthe borxhi. Një rast i tillë është porti i Hambantota në Sri Lanka. Efekte të ngjashme ka pasur edhe në Europë. Edhe pse në dy prej studimeve të fizibilitetit rezultuan se projekti nuk ishte i pranueshëm, qeveritë e Serbisë dhe Malit të Zi vendosën të vazhdojnë ndërtimin e një autostrade që lidh bregdetin malazez me Beogradin, duke u financuar nga një kredi kineze. Marrja e huasë e çoi borxhin publik të Malit të Zi në nivele të larta. Për të menaxhuar financat e vendit, qeveria u detyrua të rriste taksat, të mos rriste pagat e sektorit publik dhe të ndërpriste pagesën e përfitimeve të lindjes. Nëse Korporata kineze e Rrugëve dhe e Urave (CRBC) do të përfundojë me sukses të gjithë projektin, ajo do të fitojë një vlerësim të mirë në drejtim të të gjitha prokurimeve të ardhshme të infrastrukturës në Europë. E njëjta gjë vlen edhe për ndërtimin e urës së Pelješacit, e cila ka rëndësi strategjike për qeverinë kroate. Duke qenë se deri më tani nuk ka qenë e suksesshme në ndërtimin e ndonjë rruge brenda BE-së, Kina ka shumë për të fituar nga ndërtimi i autostradës. Të shumtë janë ata që ende e kujtojnë projektin e dështuar të ndërtimit të autostradës në Poloni, ku COVEC fitoi prokurimin me një ofertë që u nënvlerësua me 50% dhe më pas nuk arriti të paguajë nënkontraktuesit e saj.

Urë për në Europën Perëndimore?

Kur flitet për ndikimin kinez në Europë, të shumtë janë ata që mendojnë se në thelb, është e njëjta gjë me ndikimin rus. Por ky është një supozim i pasaktë pasi Kina, ndryshe nga Rusia, ka shumë për të fituar nga integrimi dhe stabiliteti i vazhdueshëm në BE, pasi BE-ja është partneri i saj më i madh tregtar. Në vitin 2010, këshilltari i shtetit kinez, Dai Bingguo, përmendi një nocion “interesash thelbësore” që motivojnë politikën e jashtme kineze. Sipas tij, tre interesat kryesore janë siguria e regjimit, sovraniteti dhe zhvillimi ekonomik. Të tria prej këtyre interesave janë të ndërthurura reciprokisht me një qëllim të vetëm, sigurimin e mbijetesës së sistemit politik të Kinës, me Partinë Komuniste në krye të saj. Tregu i rajonit të Ballkanit nuk shihet me ndonjë interes të madh nga firmat kineze në drejtim të tregtisë apo të investimeve. Por kur bëhet fjalë për të bërë biznes, BE-ja perëndimore ngjall më shumë interes për kompanitë kineze. Këtu qëndron rëndësia paradoksale e Ballkanit për zhvillimin e lidhjeve ekonomike me BE-në (Perëndimore) dhe në këtë mënyrë, sigurimin e zhvillimit ekonomik të Kinës. Ballkani është një rrugë e rëndësishme tregtare që lidh Portin grek të Pireut me pjesën tjetër të BE-së. Ai është një zonë ku kompanitë kineze mund të testojnë aftësitë në tregun europian dhe të fitojnë besimin e nevojshëm, që do t’u mundësojë atyre më pas zgjerimin në BE. Së dyti, është edhe varësia në rritje e rajonit të Ballkanit ndaj parave kineze. Tajvani, Hong-Kongu, Tibeti, Xinjiangu dhe Deti i Kinës Jugore shpeshherë etiketohen si interesat me të rëndësishme të Kinës, ku kjo e fundit nuk do të toleronte asnjë veprim nga shtetet e huaja.

Politika kineze në Ballkan

Në rajonin e Ballkanit, politika kineze ka marrë mbështetjen e saj më të madhe nga Serbia, që e mbështet Kinën si në çështjen e Tibetit, edhe në atë të Xinjiangut. Sipas disave, mbështetja e Serbisë ndaj Kinës lidhet me faktin se kjo e fundit nuk e ka njohur shtetin e Kosovës. Të tjerë mendojnë se ajo lidhjet me mbështetjen e madhe ekonomike që merr nga Pekini. E gjithë situata mund të shfrytëzohet nga Kina për të rritur propagandën e madhështisë jashtë kufijve të vet, duke legjitimuar në këtë mënyrë forcën e Partisë Komuniste Kineze. Prandaj BE-ja duhet të veprojë sa më parë të jetë e mundur dhe të rishikojë politikën e saj të investimeve në rajonin e Ballkanit. Për të kundërshtuar ndikimin në rritje të Kinës në rajonin e Ballkanit, BE mund të ndërmarrë disa hapa. Së pari, shtetet e Ballkanit që nuk janë pjesë e BE-së, duhet të kenë një rrugë sa më të qartë drejt anëtarësimit në të. Arsyeja kryesore e pranimit të fondeve të investimeve nga Kina, është se pjesa më e madhe e këtyre vendeve të rajonit të Ballkanit, nuk kanë shumë mundësi për të hyrë në fonde të lira (madje pa pagesë) të BE-së në drejtim të projekteve të infrastrukturës. Së dyti, disa nga fondet e paraaderimit duhet të jepen për investime në infrastrukturë. Së treti, duhet të nxiten investimet nga kompanitë europiane në Ballkan. Duke kontribuar në uljen e shkallës së papunësisë në rajonin e Ballkanit, imazhi i BE-së mund të përmirësohet. Së fundmi, rregullat e BE-së për prokurimet publike duket se janë një instrument efektiv në bllokimin e propozimeve të investimeve që nuk janë aq të favorshme për vendet pritëse. Hekurudha Budapest-Beograd është një shembull në këtë drejtim. Pjesa e ndërtimit të hekurudhës nga ana e Hungarisë u vonua për shkak të hetimit të Komisionit, nëse projekti po zbatonte rregullat e prokurimit të BE-së. Ndërsa në pjesën e Serbisë, e cila nuk është e detyruar të ndjekë rregullat e prokurimit të BE-së, ndërtimi ka filluar me firmat dhe punëtorët kinezë. OJQ-të dhe gazetarët mund dhe duhet të luajnë një rol në monitorimin e ndikimit kinez në rritje. Çështja e ndikimit kinez në Europë është komplekse. Prandaj duhet të ketë bashkëpunim më të madh midis ekspertëve të Kinës, institucioneve dhe gazetarëve. Ky bashkëpunim duhet të mbulojë të gjithë BE-në dhe Fqinjësinë Europiane. Partneritete të tilla do të na bëjnë të kuptojmë më mirë interesin e Kinës dhe instrumenteve të përdorur prej saj për t’i realizuar dhe për t’i arritur ato. Ndërsa organizatat mund të komentojnë mbi kontekstin e marrëdhënieve me Kinën dhe rreziqet që mund t’i shoqërojnë ato, gazetarët mund të hedhin dritë mbi këtë çështje. Tema të tilla duhet të kenë mbulim më të mirë mediatik dhe analiza politike më të detajuara.