Çfarë fshihet pas miliardave të Super-Inceneratorëve

1281
Sigal

Kapaciteti përpunimit të plehrave është planifikuar 4 herë më i lartë se në Itali. Ndërtimi i Elbasanit dhe Fierit kushtojnë rreth 80 milionë euro, ndërsa i Tiranës 128 milionë euro. Nis shpronësimi, ja 95 parcelat që marrin 322 mln lekë

Inceneratori i Tiranës tashmë është në një fazë të re dhe gjithmonë e më afër realizimit në kushtet kur Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka kërkuar vijimin e procesit të shpronësimit për pasuritë që preken nga ky projekt. Në një kërkesë të firmosur nga zëvendësministri Artan Shkreli renditen edhe emrat e personave që shpronësohen, sipërfaqet si dhe detajet për funksionon e truallit. Në total janë të paktën 95 parcela që preken nga procesi me një vlerë prej 322 milionë lekë. “Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë shpall kërkesën për shpronësim, për interes publik të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga realizimi i projektit, ‘Për ndërtimin e landfillit, inceneratorit dhe rehabilitimin e venddepozitimeve ekzistuese Tiranë dhe prodhimin e energjisë elektrike’. Subjekti kërkues i këtij projekti është shoqëria koncesionare ‘Integrated Eregy BV SPV’ sh.p.k. Me anë të këtij publikimi, kërkojmë të vëmë në dijeni personat të cilët preken nga ky shpronësim, për masën e vlerësimit të llogaritur në bazë të vendimit nr. 89, datë 3.2.2016, “Për miratimin e hartës së vlerës së tokës në republikën e Shqipërisë”, për llogaritjen e vlerës së ‘tokë arë’, për pronarët sipas listës emërore bashkëlidhur. Vlera totale e shpronësimit është 322 585 280 (treqind e njëzet e dy milionë e pesëqind e tetëdhjetë e pesë mijë e dyqind e tetëdhjetë) lekë” thuhet në kërkesën që mban datën 10 gusht 2018. Nga listat e shpronësimeve bashkëngjitur kërkesës së ministrisë rezulton që të paktën 60 parcela të jenë me detaje të sakta mbi pronësinë, kufizimet apo orientimin e përdorimit të truallit ndërkohë që për pjesën e mbetur prej 35 nuk ka informacion mbi pronësinë. Inceneratori i Tiranës u dha si projekt koncesionar vitin e kaluar në një garë ku fituese u shpall ‘Integrated Eregy BV SPV, kompania zotërohet në 100 për qind të aksioneve nga Integrated Energy B.V. e regjistruar në Holandë. Kompania fitoi në garën për koncesionin e nderimit të landfillit, inceneratorit dhe rehabilitimit të vend depozitimeve ekzistuese në Tiranë me një ofertë 128 milionë euro pa TVSH. Afati i koncesionit është 30 vjet. Inceneratori i Tiranës është një nga tre projektet e kësaj natyre në vendin tonë ku i  pari ishte ai i Elbasanit, i Albtek Energy me një kosto totale prej 5.3 miliardë lekë tashmë në gjendje pune, i dyti inceneratori i Fierit me një kosto 3.97 miliardë lekë. Kapaciteti total mesatar i përpunimit për të tre inceneratorët llogaritet në rreth 1000 tonë në ditë, ose rreth 130 kg për frymë në vit duke e renditur Shqipërinë në vendet me nivelin më të lartë të përpunimit por më të ulët të gjenerimit të mbetjeve që janë lënda e parë e inceneratorëve. 

Çfarë fshihet pas super-inceneratorëve: Kapaciteti për frymë në Shqipëri, 4 herë më i lartë se në Itali

Shqipëria është një ndër vendet që ka gjenerimin më të ulët të plehrave për frymë në Evropë, por edhe të procesit të ndarjes së mbeturinave në burim. Niveli i ulët i zhvillimit industrial ka bërë që Shqipëria të gjenerojë 373 kg/banor mbetje në vitin 2016. Sipas INSTAT, në një kohë që mesatarja e Bashkimit Evropian është 480 kg/frymë, sipas të dhënave të fundit të Eurostat. Nivel më të ulët të gjenerimit të mbetjeve se Shqipëria kanë Serbia, me 268 kg/frymë dhe Kosova, me 220 kg/frymë. Pavarësisht nivelit të ulët të mbetjeve të gjeneruara dhe të përpunuara, qeveria ka plane ambicioze për ndërtimin e tre inceneratorëve, me kapacitete të larta përpunuese, përmes projekteve koncesionare të formës së partneritetit publik-privat. Koncesioni i trajtimit të mbetjeve Elbasan (Albtek Energy), me kosto totale prej 5.3 miliardë lekësh është tashmë funksional. Kapaciteti përpunues do të jetë rreth 120-140 ton/ditë, sipas deklarime zyrtare në kontratë. Inceneratori i Trajtimi i mbetjeve Fier (“Integrated Technology Waste treatment Fier”) ka një kosto totale prej 3.97 miliardë lekë. Kapaciteti përpunues do të jetë rreth 180-200 ton/ditë. Ky projekt nuk ka nisur ende, për shkak të protestave të vazhdueshme të banorëve të fshatit Verri, të cilët nuk pranojnë ndërtimin afër zonës së tyre, teksa i tremben ndotjes së ajrit dhe produkteve bujqësore. Projekti i tretë është Trajtimi i mbetjeve Tirane (“Integrated Energy B.V shpk”), me kosto totale 31.17 miliardë lekë dhe kapacitet përpunues do të jetë rreth 550-800 ton/ditë. Projekti nuk ka filluar ende nga ndërtimi. Nëse të tre inceneratorët do të viheshin në punë, kosto totale në buxhet do të arrinte në rreth 40 miliardë lekë dhe kapaciteti total mesatar i përpunimit në rreth 1000 ton në ditë, ose rreth 130 kg për frymë në vit. Nëse krahasohet me të dhënat e Eurostat për shtetet e BE-së, rezulton se vetëm vendet e zhvilluara kanë një kapacitet më të lartë. Gjermania e ka kapacitetin për frymë të përpunimit të mbetjeve përmes inceneratorëve 474 kg/frymë në vit; Franca 205 kg/frymë në vit dhe Austria me 380 kg/frymë/vit. Të tre këto shtete kanë një nivel gjenerimi të paktën dyfish të plehrave për frymë, në krahasim me Shqipërinë. Por, nëse krahasohemi me shtet fqinjë rezulton se Shqipëria nëse i ndërton të gjithë inceneratorët që ka në plan, do të ketë një kapacitet tepër të lartë. Në Itali, sipas të dhënave të Eurostat, sasia e plehrave që përpunohet përmes procesit të incenerimit është vetëm 35 kg për frymë, pra katër herë më e ulët se në Shqipëri. Në Greqi është 12 kg për frymë. Serbia e ka akoma edhe më të ulët, në 6.3 kg për frymë. Sipas Eurostat, në përgjithësi në BE në vitin 2016, 30% e mbetjeve u riciklua, 27% u dogjën, 25% u inceneruan dhe 17% u kompostuan. Në Shqipëri, kapaciteti i inceneratorëve, nëse do të ishin funksionalë, do të ishte sa 35% e totalit të mbetje, pra më e lartë sesa mesatarja e Bashkimit Evropian. Por, për çfarë e do Shqipëria gjithë këtë kapacitet të lartë përpunues të inceneratorëve, kur procesi i rikuperimit të mbetjeve në burim si dhe të të gjithë procesit të menaxhimit të mbetjeve, tek ne ende nuk është eficient?! Iljaz Mehmeti, përfaqësues i Shoqatës Shqiptare të Riciklimit, në një analizë që ka bërë për inceneratorin e Elbasanit, publikuar në Gazetën e Dhomës së Tregtisë Durrës ka marrë në krahasim Italinë një vend ku eficienca e procesit të rikuperimit me diferencim të mbetjeve është në nivelet mesatare të BE. Autori i referohet të dhënave të entit italian ISPRA, dhe dedukton sasinë optimale të mbetjeve solide të vlefshme për incenerim për stabilimentin e Elbasanit. “Praktikisht, ne Itali, sipas ISPRA, vetëm 20% e mbetjeve urbane inçenerohen, ndërkohë që këtu në Shqipëri presupozohet të incenerohet (digjet) çdo gram mbetje”, thotë z.Mehmeti. Ai shton se nga studimi rezulton qe inceneratori i Elbasanit do mund të djegë mbetje për një popullsi prej: 130,000 kg / 0.05 kg = 4,333,333 frymë, ose sa popullsia e Shqipërisë dhe e Maqedonisë të marra së bashku. Pasi të djegin mbetjet e Ballkanit, me çfarë lënde të parë do të punonin dy inceneritorët e tjerë, në Fier dhe Tiranë, pyet Z.Mehmeti?!

Reagimi i qytetarëve:  Ne bëmë mbi 1 vit dhe qindra protesta për inceneratorin e Fierit, sepse është shkatërrues për mjedisin dhe jetën tonë dhe se fundmi i kemi paditur në gjykatë në Vlorë pavarësisht se gjykatat nuk funksionojnë, ndërsa Tirana pak nga mos informimi dhe pak nga mungesa e mos organizimit me qëllim mbrojtjen e jetës hesht, por deri kur….?!