Çdo dy ditë, një shqiptar vdes në aksident rrugor

635
Sigal

Çdo dy ditë, një shqiptar vdes në aksident rrugor. Të dhënat e fundit të Institutit të Statitikave, tregojnë për një numër të lartë aksidentesh, pavarësisht tendencës në rënie. Sipas INSTAT-it, gjatë periudhës janar-maj të këtij viti u shënuan 583 ngjarje të tilla, me pasojë vdekjen e 76 personave dhe plagosjen e 697 personave. Në 87% të rasteve, shkaktarë të aksidentit janë drejtuesit e mjeteve. Eksperienca e viteve të kaluara ka treguar se numri i aksidenteve pëson rritje gjatë muajve të verës për shkak të shtimit të mjeteve në qarkullim, nga ardhja e emigrantëve, por edhe turistëve të huaj.

Statistikat

Sipas INSTAT, në muajin Maj 2019 numërohen 115 aksidente rrugore, nga 155 aksidente të ndodhura në Maj 2018, duke u ulur me 25,8 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Numri i aksidenteve, në pesëmujorin e parë të vitit 2019, është 583, nga 659, duke u ulur me 11,5 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2018.

Në maj 2019, numri i të aksidentuarve (të vrarë dhe të plagosur) është 143 persona, nga 201 që ishte një vit më parë, duke u ulur me 28,9 %. Numri i të aksidentuarve në pesëmujorin e parë të vitit 2019, është 773 persona, nga 852 persona, duke u ulur me 9,3 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të 2018.

Në muajin maj 2019, numri i të vdekurve nga aksidentet rrugore është 14 persona, nga 17 persona të vdekur në Maj 2018. Në pesëmujorin e parë 2019, numri i të vdekurve nga aksidentet rrugore është 76 persona, nga 78 persona, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Në maj 2019, aksidentet rrugore, në 87,0 % të rasteve, kanë ndodhur si pasojë e sjelljes së drejtuesit të mjetit. Numri më i lartë i aksidenteve në këtë periudhë është kryer nga grup mosha 25 –35 vjeç, duke zënë 27,0 % të numrit të aksidenteve gjithsej. Aksidentet në këtë grup moshe janë ulur me 24,4 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Në pesëmujorin e parë 2019, aksidentet rrugore, në 15,4 % të rasteve, kanë ndodhur si pasojë e sjelljes së këmbësorit. Gjatë kësaj periudhe, numri i aksidenteve sipas sjelljes së këmbësorit është ulur 30,2 %, krahasuar me një vit më parë.