Sigal

Koreanojugorja Yura Corporation, mund të tërhiqet nga plani i saj i biznesit në Shqipëri me investim 6,5 milionë euro dhe 516 të punësuar

Qeveria “përzë” investitorët e industrisë automotive, sepse procedurat “ngrijnë” për muaj të tërë në burokraci

Shqipëria ka sot shansin që të rreshtohet në krah të Maqedonisë dhe Serbisë, duke i dhënë përparësi industrisë automotive, ose të qëndrojë në vendnumëro. Kompanitë, që kanë interes për të investuar në këtë sektor duket se nuk mungojnë, por zvarritja e procedurave mund t’i largojë, një precedent që e kemi parë dhe më herët. Koreanojugorja Yura Corporation, që prodhon pjesë për KIA dhe Hyundai konfirmon se mund të tërhiqet nga plani i saj i biznesit në Shqipëri, duke qenë se prej 5 muajsh procedurat janë të ngrira. Ajo parashikon një investim 6.5 milionë euro dhe 516 të punësuar në një fabrikë në Fier, por problemet me pronësinë mund ta lënë në letër këtë projekt. E ndërkohë që ne jemi në fazën e strategjive për rritjen e IHD-ve, Serbia është ylli në ngjitje në këtë industri

Shqipëria është shumë më e vështirë, si nga ana procedurale edhe nga aspektet rregullative

Të paktën 10% e eksporteve të Serbisë vijnë nga industria automotive e instaluar në këtë vend. Ky sektor punëson mbi 40 mijë njerëz dhe zë 14% të vlerës totale që kanë investimet e huaja. Janë 60 kompani nga Evropa, Amerika dhe Azia që kanë shpenzuar më shumë se 2 miliardë euro deri më tani. Të gjitha këto shifra janë dhënë nga Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë e Serbisë në tetor dhe publikuar nga financialobserver.eu, që e cilëson Serbinë një yll në rritje në industrinë automotive. E përballë kësaj panorame kemi një tjetër, atë të Shqipërisë, e cila deri më tani numëron vetëm një rast suksesi me kompaninë Forschner, e cila prodhon pajisje kabllore për Mercedez Benz dhe është vendosur në një fabrikë në Vaqarr. Por duket se ky mund të mbetet suksesi i vetëm, pasi Shqipëria nuk është aq e thjeshtë të investosh. Jo të pakta janë rastet kur ka pasur interes për të hyrë në vendin tonë dhe indiferenca apo barrierat kanë bërë që kompanitë të largohen. Së fundmi, është një tjetër kompani që prej më shumë se një viti ka nisur negociatat për të ndërtuar një fabrikë në Fier dhe që prej 5 muajsh procedurat i mbahen pezull. Koreanojugroja Yura Corporation e cila prodhon pajisje kabllore dhe artikuj të tjerë të lidhur me to kryesisht për KIA dhe Hyundai, prej shtatorit 2017 shfaqi interes për të zgjeruar aktivitetin e saj në vendin tonë, pas disa të tjerave që ka në Serbi, Çeki, Poloni, Tunizi apo Marok. E nga shtatori deri më tani është gjetur vetëm terreni diku në Fier, por prej 5 muajsh nuk ka asnjë lëvizje. Përfaqësuesi i kompanisë Lucas Nam konfirmon se, nëse situata vazhdon kështu, ndoshta do të tërhiqen nga plani i biznesit që kanë në vendin tonë. Në krahasim me vendet e tjera, sipas Nam, të hapësh një biznes në Shqipëri është shumë më e vështirë, si nga ana procedurale, edhe nga aspektet rregullative. Sipas tij, Shqipëria i ka shanset që të jetë një zinxhir ditor furnizimi për biznesin automotiv europian, por që kjo të ndodhë ka nevojë për përmirësime.

Forschner, plan zgjerimi por ende mbetet pezull

Në janar të këtij viti, kompania gjermane Forschner bëri të ditur se falë ecurisë së mirë që pati kompania e parë e saj në Shqipëri në zonën e Vaqarrit, po shihej mundësia e zgjerimit me një tjetër fabrikë në zonën e Spitallës. Në atë kohë, përfaqësues të kompanisë thanë se fabrika e dytë do të kishte sipërfaqe 25 – 30 mijë metra katrorë me një investim, që pritej të ishte në total rreth 13.5 milionë euro (7.5 milionë euro për ambientet dhe pjesa tjetër për pajisjet), që do të hapë edhe 1200 vende të tjera pune. Kompania aplikoi për skemën ‘1 euro’ dhe nga qeveria u ofruan terrene në disa zona. Forschner zgjodhi Spitallën, duke e menduar si një variant më të mirë që do t’i krijonte mundësi të gjente më lehtë edhe forcën punëtore. Por nga janari deri më tani, mësohet se planet e kompanisë nuk kanë avancuar shumë për të ndërtuar fabrikën e re, edhe pse nga kompania nuk pati një reagim në lidhje me arsyet.

Investitorët që kanë tentuar të hyjnë në Shqipëri dhe janë larguar

Procedurat e zvarritura në shumë raste janë bërë shkak që Shqipëria të humbasë shanse në ngritjen e industrive domethënëse apo emrave shumë të njohur që sjellin, mes të tjerash, punësim dhe “know how” (njohuri, përvojë). Një rast i tillë është ai i Lear Corporation, kompania amerikane tashmë është vendosur në zonën industriale të Tetovës në Maqedoni, pas asaj të Gostivarit që ka 300 të punësuar. Por përpara se të hidhte sytë nga Maqedonia, Lear Corporation mori në konsideratë edhe Shqipërinë, por që favorizimet që kishte Maqedonia rezultuan më joshëse, përfshi këtu edhe forcën punëtore të kualifikuar. Prodhuesi amerikan i tekstileve në industrinë e automobilave ka investuar 15 milionë euro në fabrikën e Tetovës dhe fillimisht ka punësuar 520 persona, ndërsa synon të punësojë deri në 3,000 persona. Ky nuk është rasti i vetëm kur kompani të huaja të rëndësishme zgjedhin fqinjët para Shqipërisë. Edhe dy kompani të tjera, Johnson DOEL (prodhues i katalizatorëve) dhe CapCon (prodhues i airbag), që punojnë për industrinë mbështetëse të makinave, ndonëse kanë parë me interes edhe Shqipërinë, kanë zgjedhur Maqedoninë për investimet e tyre. Politika agresive e lehtësimeve fiskale dhe ulja e burokracive që ka ndjekur fqinji ynë duket se kanë rezultuar më eficiente, duke tërhequr një industri fitimprurëse, që gjeneron punësim të lartë dhe ka peshë të konsiderueshme në eksporte. Shqipëria, ndërkohë, mbetet në rrethin vicioz të strategjive dhe ndryshimit të vazhdueshëm të kuadrit ligjor për nxitjen e investimeve, por ende nuk po njohin rezultat. Prej vitesh nuk rezulton asnjë emër i madh i futur në tregun shqiptar për të investuar, ndërkohë që udhëheqjen e Investimeve të Huaja Direkte kanë vijuar të mbajnë gazsjellësi Transadriatik TAP dhe investimi që po kryhet nga Devoll Hydropower në HEC-in e Moglicës, të dy drejt fundit.

Rajoni drejt makinave dhe teknologjisë, Shqipëria në vendnumëro

Është e thjeshtë të shohësh se ku po orientohet ekonomia e fqinjëve dhe ajo shqiptare dhe për këtë mjaft të shohësh kompanitë më të mëdha të renditura sipas qarkullimit vjetor. Një raport i SEE News, një kompani bullgare e inteligjencës, tregon se rajoni po del nga “gracka” e naftës dhe gazit, duke shkruar drejt industrisë automotive dhe teknologjisë. Kjo nuk është rastësore ndërkohë që shumica e kompanive që janë top performues kanë pronësi të huaj, çka ju garanton atyre akses në tregje të mëdha. Shtatë nga dhjetë kompanitë më të mira në renditjen e EJL për vitin 2016 janë në pronësi të huaj. Fituesi, Automobile Dacia, në Rumani, eksporton 93% të prodhimit të saj. Për kompanitë me pronësi të huaj, kapaciteti për të punuar përtej kufijve është vendimtar për të kompensuar kufizimet e madhësisë së vogël të tregjeve vendase. Serbia ka në listën e saj të kompanive me qarkullimin më të lartë, emra si FCA SRBIJA D.O.O. KRAGUJEVAC, me gati 1 miliard euro të ardhura, që është prodhuesi i makinave FIAT dhe që renditet e treta ndërkohë që nuk mungojnë ato të prodhimit të gomave. Maqedonia ka gjithashtu në listën e saj prodhuesit e automjeteve me kompani amerikane dhe perëndimore. Të paktën tre prej tyre që kanë gjeneruar edhe punësim të lartë, me një investim modest, janë në listën e top performuesve. I pari Johnson Matthey DOOEL, prodhuesi maqedonas i katalizatorëve dhe pjesëve të makinave, vijon të jetë më i madhi i Maqedonisë, me të ardhura 1.5 miliardë euro në 2017-n, dhe rreth 800 të punësuar. KROMBERG & SHUBERT MAKEDONIJA DOOEL Bitola, me aktivitet në prodhimin e sistemeve elektrike për automjetet, kishte të ardhura prej 150 milionë eurosh dhe renditej në vend të shtatë në 2017-n. Kompania ka më shumë se 4300 të punësuar. Fabrika e re e autobusëve të Van Hool në Shkup, e përuruar në vitin 2014, renditet në vendin e 10, me të ardhura prej 135 milionë eurosh tre vjet pas hapjes së aktivitetit. Një porosi e madhe nga tregu amerikan për 500 autobusë nxiti prodhuesin belg të autobusëve të investonte 25 milionë euro në Maqedoni. Shqipëria, sipas të dhënave të përpunuara nga “Monitor”, ka 4 ndër 10 kompanitë më të mëdha të tregtimit të naftës dhe gazit ndërkohë që një tjetër është nxjerrës i tyre. Nga ana tjetër, në listën e 200 sipërmarrjeve më të mëdha, të paktën 32 janë investitorë në sektorin e ndërtimit ose të lidhura me të, po ashtu 40% e hyrjeve të reja. Zhvillimi i industrisë së automjeteve ka nxitur eksportet e vendit. Eksportet e mallrave dhe shërbimeve në Maqedoni ishin gati sa 50% e Prodhimit të Brendshëm Bruto në 2016-n, referuar të dhënave të Bankës Botërore, ndërsa në Shqipëri, ky tregues është gjysma, rreth 27%.

Pse Serbia është vërtet një yll në ngjitje në industrinë automotive

Serbia është ndoshta vendi që shihet më pozitivisht nga kompanitë europiane dhe globale lidhur me stabilitetin e politikave të saj, pozicionin shumë të mirë gjeografik dhe kushtet e eksportit. Janë këto arsyet se pse sidomos kompanitë gjermane, por jo vetëm, po orientohen gjithmonë e më shumë drejt këtij vendi. Por cilët janë në fakt emrat që mbizotërojnë. Një nga investitorët më të mëdhenj në sektorin automotiv serb është FIAT që përfaqësohet nga Fiat Chrysler Automobile. Sipas shifrave të bëra publike, kompania prodhon 100 mijë mjete në vit dhe eksporton në tregjet evropiane dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Nga viti 2005 e në vazhdim, Serbia ka parë vetëm rritje të interesit nga investitorë të këtij sektori, ndërkohë që proceset e punës janë bërë më komplekse, duke krijuar kështu edhe kthim më të lartë. Sot kompanitë prodhojnë pjesë të motorit të makinave, bateri dhe disqet e frenave. Procesi nuk është më tek pajisjet kabllore, që është ndoshta A-ja e këtij sektori. Që Serbia ka këtë lloj zhvillimi, sigurisht që po e ndihmojnë dy kushte shumë të favorshme. Kushti i parë, marrëdhënia që ka me tregun rus si dhe ajo me Bashkimin Evropian. Serbia ka mundësi që në BE të hyjë pa doganë apo tarifa, kurse në pjesën e ish-Jugosllavisë dhe Rusisë, shifrat zyrtare tregojnë se 31% e eksporteve shkojnë pikërisht në këto destinacione. Gjysma e kompanive në sektorin automotiv në Serbi janë të mëdha, kurse ato të mesme zënë 38% të totalit dhe vetëm 14% e prodhimit kryhet nga biznesi i vogël. Dy të tretat e kompanive kanë aksionerë lokalë apo vendas. Mes gjithë investitorëve ndërkombëtarë financialobserver.eu raporton se sllovenët janë më aktivë, të ndjekur nga Gjermania dhe Franca. Avantazh tjetër që duket se ka favorizuar Serbinë është e kaluara e saj historike, e lidhur me industrinë automotive që nis në vitet 1930, kur kishte një interes lokal për të zhvilluar këtë sektor dhe Zastava, një prodhues lokal i motorëve prodhoi automobilin e parë nën licencën e marrë nga FIAT. Më pas, Serbia u bë një destinacion për Mercedes, Ford, Opel dhe prodhues të tjerë. Gjithsesi, situata politike në vitet 1990 dhe ndarja e ish-Jugosllavisë uli prodhimin dhe kapitalin e huaj. Gjërat gjithsesi ndryshuan nga vitet 2000 dhe deri në 2009, industria automotive konsistonte në gjashtë kompani që prodhonin motoçikleta dhe rreth 70 furnizues të pjesëve. Serbia ndërkohë nuk ka njohur qëndrim statik apo rënie. Ajo ka vazhduar vit pas viti rritjen e saj, duke rritur paralelisht edhe aftësitë prodhuese, zhvillimin e strategjive dhe mundësive në sektor, në veçanti përmes bashkëpunimit me vende të tjera.

Gjermania e para? Gjermania është tregtari kryesor i huaj me Serbinë dhe kompanitë gjermane kanë plane për të ndërtuar dy njësi prodhimi në vend. Kompania gjermane ZF, një lider ndërkombëtar në boshte, shasi dhe teknologjinë e sigurisë, do të hapë një fabrikë në zonën industriale të Pancevo, duke punësuar 1 mijë persona. Vorwerk Autotec gjithashtu do të ndërtojë një fabrikë në Serbi në Cacak. Prodhuesi i kabllove dhe fijeve elektrike Leoni, që ka investuar tashmë 75 milionë euro në Serbi, ka vendosur që të hapë një fabrikë të katërt, po si njësi prodhimi në Nish, me një forcë punëtore 1250 punonjës, duke u bërë punëdhënësi më i madh në vend. Edhe Britania e Madhe pritet të bëjë investimin e saj të tretë të madh në Serbi, nga krijimi i një fabrike të re në Ruma përmes prodhuesit të pajisjeve për motorë nga Albon. Prodhuesi francez i pjesëve të makinave Le Belier hapi një njësi të re të derdhjes së aluminit në Kikinda, në veri të Serbisë, në qershor, duke investuar 7.5 milionë euro në këtë projekt. Kjo fabrikë e re i shtohet asaj ekzistuese në Kikinda, që është në operim që nga viti 2003. Ndërkohë, kompania italiane Plastikcam East ka hapur një fabrikë të përpunimit të termoplastikës në Subotica, ndjekur nga një investim tjetër në zhvillim, me një vlerë prej 3 milionë eurosh. Nga Nertila Maho