Bulqiza me Pedonale të re dhe Unazë, Gjermeni inspekton punimet. Por sfidë mbetet papunësia

    466
    Ministrja e Zhvillimit Urban, Eglantina Gjermeni ka inspektuar sot nga afër projektin e infrastrukturës rrugore të Pedonales së qytetit të Bulqizës dhe unazës së poshtme. Mësohet se për vitin 2014 dhe 2015 Bashkia Bulqizë ka përfituar në total fondin rreth 173 millionë Lekë, për Sistemim-asfaltim rruge blloku i poshtem, lagja Gjeologu – 303 metër rrugë, realizuar në masën 100% në vitin 2014 me vlerë 23,381,340 lekë dhe Pedonalja e qytetit dhe Unaza e Poshtme, realizuar në masën 99.5%, me vlerë 101,550,698 lekë, Rruga pedonale, lagjia Minatori, Faza 2, kontratat e nënshkruar në 24.12.2015, vlera e projektit 48,642,308 lekë – Aktualisht punimet janë ndërprerë për shkak të kushteve të vështira atmosferike. “Më vjen mirë të shikoj transformimin që ka pësuar tashmë qyteti i Bulqizë falë zbatimit të këtij projekti të financuar në vitin 2015 nga Fondi i Zhvillimit të Rajoneve me vlerë 100 milionë Lekë.
    Projekti i zbatuar ka konsistuar në rehabilitimin e plotë të lagjes duke filluar nga asfaltimi i rrugës, ndriçimi, vendosja e sinjalistikës rrugore, trotuaret dhe lulishtet për banorët e të gjithë qytetit por jo vetëm. Më vjen mirë që vi në Bulqizë për të inspektuar punimet e dy projekteve tashmë të përfunduara të cilat pas as më të voglin dyshim i ka dhënë një ndryshim qytetit dhe ka rikthyer shpresën te banorët e Bulqizës”,- tha Gjermeni. Më tej ajo shtoi se, “folëm me Kryetarin edhe për projektin tjetër të financuar nga Fondi i Zhvillimit të Rajoneve në vitin 2015, “Rruga Pedonale në Lagjen Minatori” punimet e të cilit janë pezulluar për shkak të kushteve të vështira atmosferike. Jam e bindur që me një angazhim maksimal qoftë nga bashkia por edhe firma zbatuese dhe duke uruar që moti të na mbështesë në këtë angazhim tonin brenda qershorit të këtij viti edhe ky projekt do të ketë përfunduar.
    Sigal

    Sfidat me të cilat do të përballet pushteti vendor pas ndarjes së re

    Më tej ministrja foli edhe për sfidat me të cilat përballet zona. “Ndër problematikat kryesore të zonës mbetet papunësia, që shkon në rreth 40 për qind të fuqisë punëtore, po të kemi parasysh këtu edhe trendin e kohëve të fundit të kthimit të emigrantëve nga vendet fqinje në krizë. Ndërtimi i një impianti për trajtimin e ujërave të zeza dhe menaxhimin e mbeturinave urbane, veçanërisht për qytetin e Bulqizës mbeten sfida për bashkinë e re. Si një zonë malore, Bulqiza ka problem mbrojtjen dhe rigjenerimin e pyjeve, gjë që mund të ndihmojë për shfrytëzimin e shumë maleve aktualisht të shkreta në ndihmë të banorëve. Turizmi malor dhe ndërtimi i rrugëve që ndihmojnë udhëtimin në këto zona si edhe vënia në eficencë e vjeljes së të ardhurave nga industria krom-nxjerrëse në rrugë ligjore do të ndihmonin në rigjallërimin e qytetit. Disiplinimi i shfrytëzimit të rezervave të kromit si dhe transferimi i pjesës që i takon me ligj bashkisë së re mund të shërbejë për të fuqizuar buxhetin e kësaj bashkie. Mbështetja me subvencione e fermerëve dhe blegtorëve, duke përmirësuar dhe infrastrukturën që lidh zonat e largëta me qendrën e Bulqizës konsiderohen gjithashtu nisma të rëndësishme për t’u ndërmarrë. Hapja e një qendre sociale për të moshuarit dhe invalidët, ngritja dhe funksionimi i fushës së futbollit si dhe e një aneksi sportiv për grup-moshat do të përmbushnin disi shërbimet sociale në dobi të banorëve”