Bombola e gazit prej 1000 litrash, mes 4 pallateve, rrezikon jetën e 200 familjeve

556
Sigal

Nga Vepror Hasani

Nëse nuk merren masa sa më shpejt, qeveria do të mbledhë vetëm kockat tona

Bombola e gazit prej 1000 litrash, e vendosur nga një biznesmen mes katër pallateve, rrezikon jetën e 200 familjeve. Bombola është vendosur mbi sipërfaqen e tokës, poshtë ballkoneve dhe dritareve të banorëve. Sipas banorëve, vendosja e bombolës nuk plotëson asnjë nga kushtet e sigurisë. Ajo është e rrethuar vetëm nga disa tela. Por rreziku është i madh, ashtu sikurse edhe tmerri është i justifikuar, sepse disa tela rrethues nuk mund të konsiderohen kurrsesi si masa sigurie. Bombola i ngjan një bombe të fuqishme me sahat që mund të shpërthejë nga çasti në çast. Për të gjitha arsyet e mësipërme, jeta e banorëve ndihet e pasigurt, madje, gra e fëmijë burra dhe pleq, ndihen të tmerruar sa herë që vështrimi i tyre ndesh me bombolën prej 1000 litrash.  Gjithkush prej tyre e e mendon sheshin mes pallateve të mbushur nga eshtrat e tyre. Madje një nga banorët u shpreh. “Nëse institucionet përgjegjëse vonojnë, atëherë qeveria do të ketë rast të vijë të mbledhë kockat tona. Vendndodhjen tonë mund ta gjejnë shumë shpejt, jetojmë në lagjen nr. 6 që tashmë na është kthyer në një varrezë.”

Policia dhe bashkia qëndrojnë të heshtura

Banorët e 4 pallateve bënë me dije se që nga momenti kur bombola prej 1000 litrash u vendos mes katër pallateve, u vunë në lëvizje për shkak të panikut që u përhap mes tyre. Shkuan në Polici ku bënë me dije shkakun dhe rrethanat pse jeta e tyre nuk ishte më e sigurt, por nga ana e policisë nuk pati asnjë lëvizje. Banorët pohuan gjithashtu se shkuan edhe në Bashki, por edhe kjo e fundit, qëndroi në heshtje. Mosveprimi nga ana e Policisë dhe Bashkisë la të befasuar banorët e 4 pallateve, pasi biznesi i një biznesmeni po vlerësohet më tepër se jeta e 200 familjeve. Për jetën e fëmijëve të tyre nuk po tregohet asnjë lloj kujdesi dhe shqetësimi. Mbi të gjitha, sipas banorëve, bombola e gazit ishte vendosur arbitrarisht, pa u pyetur dhe pa marrë pëlqimin e tyre. E gjitha kjo tregon se vendosja e bombolës ishte parashikuar ditë apo kohë më parë, duke menduar se banorët të gjendur para faktit të kryer do të qëndronin të heshtur. Mirëpo, siç u shprehën banorët, veprojnë apo nuk veprojnë institucionet përgjegjëse, ata do të bëjnë të pamundurën që bombola e gazit të largohet prej andej, madje theksuan bindjen e tyre se nuk do ta lejojnë bombolën e gazit mes katër pallateve. “Bombolën e gazit do ta heqim prej aty me çdo kusht”, pohuan banorët.

Banorët: Bombola u vendos me leje apo pa leje, nuk e dimë

Gjithashtu, banorët pohuan se kishin marrë takim edhe me biznesmeni që ushtron aktivitetin e tij në katin e parë të një prej 4 pallateve, për t’i kërkuar që ai ta hiqte bombolën prej andej dhe njëkohësisht për të mësuar, nëse vendosja e bombolës ishte bërë me dijeni të institucioneve. Por, pavarësisht këmbënguljes së tyre, nuk kishin mundur të informoheshin saktësisht, nëse bombola ishte vendosur me leje apo pa leje, apo gjithçka kishte qenë iniciativë e tij. Ndërkaq i kishin kërkuar ta largonte sa më parë bombolën e gazit, pasi ata nuk do ta lejonin në asnjë mënyrë. Por edhe pse kundërshtimi i banorëve kishte qenë i ashpër, as biznesmeni nuk u tërhoq nga këmbëngulja e vet për ta mbajtur bombolën e gazit aty. “Kur nuk vepron as Policia dhe as Bashkia, shpjeguan banorët, atëherë edhe biznesmeni ka arsye të bëjë të fortin pa pyetur për shqetësimin dhe tmerrin tonë”. Vendosmëria e banorëve u deklarua dhe nga administratori i pallatit, Mbarim Gramo, i cili bëri me dije se 200 familjet kanë firmosur një peticion, të cilin do t’ua drejtojnë edhe institucioneve më  lart për të mos lejuar  bombolën e gazit prej 1000 litrash, e cila mund të shndërrohet në ferr për jetën e tyre.