Blenard Nona: Në spitalin ku lind jeta dhe mbrohet jeta e nënave, rilind shërbimi me pajisje moderne

    598
    Prej 17 muajve, Spitali Obstetrik Gjinekologjik “Mbretëresha Gerladinë”, po përjeton “rilindjen” graduale, duke u kthyer në një qendër moderne shërbimesh me pajisje bashkëkohore, shoqëruar me drejtimin efiçent dhe shërbimin e kompletuar e cilësor prej punonjësve, duke i dhënë përkushtimin dhe vlerësimin e duhur kësaj qendër ku lind jeta dhe ku kërkohet kujdesi maksimal për jetën e nënave. Lidhur me “riformatimin” pajisjeve, shërbimit dhe kualifikimin e punonjësve, flet Drejtori i Maternitetit “Mbretëresha Geraldinë”, zoti Blenard Nonaj. Në intervistën e dhënë për “Telegraf”, drejtori Nonaj, foli konkretisht për “rilindjen” e punëve në spitalin që drejton prej 17 muajsh. Ndërsa sa i përket, lindjeve, drejtori i maternitetit “Mbretëresha Geraldinë” u shpreh se gjatë vitit 2014-2015, është konstatuar një rritje e numrit të lindjeve, si dhe është ulur parametri i vdekshmërisë foshnjore. 
    Në spitalin që drejtoni ju, ka informacion, se ka nisur një “ofensivë” punësh e ndryshimesh, që përmenden edhe prej qytetarëve?
    Është e vërtetë, që kemi nisur “aksionin” për të ndryshuar punët dhe shërbimin në spital. Jo se nuk ka pasur ndryshime, por duhen bërë modernizime, duhen bërë ato zgjidhje, që kërkon pacienti. Ne kemi nisur ta arrijmë këtë objektiv që kemi vendosur kur morra drejtimin e spitalit dhe këtë detyrim që spitali ynë ka ndaj qytetarëve që kërkojnë shërbim. Po e përmbledh me pak fjalë, me disa tregues shabllon: Janë bëre investime të rëndësishme e janë shtuar pajisje (aparatura) të reja për shërbime cilësore e komplekse në shërbim të pacientëve, investime të cilat duhet theksuar, se janë realizuar me fonde dytësore të maternitetit “Mbretëresha Geraldinë”. Në fillim të vitit 2015 në saj të një menaxhimi të mirë të punës si dhe me realizimin e të ardhurave dytësore janë kryer investime në blerjen e disa aparaturave si Ultrasound System ECHO-4D në vlerën 4.654.800 lekë dhe në blerjen e disa aparaturave mjekësore të tjera në vlerën 2 mbi milionë lekë. 

    Cilat janë disa nga investimet kryesore në këtë spital, gjatë periudhës 17 mujore që ju e drejtoni? 
    Dinamika e dy viteve të fundit 2013-2014 është lehtësisht e identifikueshme dhe bën diferencë. Kemi bëre investime të rëndësishme në spitalin tonë dhe kemi mundësuar aparatura të ndryshme nëpërmjet donatorëve të ndryshëm. Përsa i përket të ardhurave dytësore, ka një rritje të tyre prej 1.7 % që prej dhjetorit 2013 dhe vazhdon tendenca në rritje për vitin 2014 dhe në vazhdim. Falë të ardhurave dytësore, të cilat gati janë dyfishuar nga viti 2013 (nga 10 milion në 2013 në 18 milion te reja në 2014), materniteti u pajis me Ekografinë e re 4-dimensionale “Açuvix XG, Samsung” të vitit 2015, kjo ekografi 4D me 3 sonda abdominale-vaginale-3/4D, standardizon rritjen e cilësisë së ekzaminimit të diagnozës perinatale në nivel bashkëkohor. Me këto pajisje bashkëkohore bëjmë të mundur që mjekët specialistë të jenë më të saktë dhe më të sigurt në diagnozat që japin në javët 21-24 të shtatzënisë me EKO-t morfologjike për të përcaktuar në mënyrë më të drejtë dhe më optimale gjendjen e fetusit. Ndërkohë në janar 2015 u përurua Reparti i Gjinekologjisë ku u rikonstruktuan dy sallat ekzistuese dhe u hap një sallë e re operatore. Në këtë repart kishte dy salla gjinekologjie, të cilat kishin shumë vite që nuk ishin rikonstruktuar, dhe ishin në kushte jo shumë të favorshme për punën. Duke parë fluksin e pacientëve, ishte shumë e nevojshme që të shtohej dhe një sallë e re. Me rikonstruksionin e dy sallave aktuale të gjinekologjisë, si dhe me hapjen e një salle të re, arritëm që të ulim radhën për ndërhyrjet gjinekologjike dhe t’iu shërbejmë pacientëve në një periudhë kohore më të shpejtë dhe sigurisht dhe me cilësi më të mirë. Këto salla janë të pajisura me të gjitha mjetet e standardeve europiane, me sistemin e duhur kirurgjikal, si dhe janë të kompletuara me ajër të kondicionuar dhe me respirator. Me përmirësimin e kushteve mund të themi që kemi arritur standardet botërore në komplikacionet postoperate, pra kemi jashtëzakonisht pak komplikacione postoperatore. Me sallat e reja sterile është eliminuar akoma më shumë marrja e infeksioneve gjatë operacioneve duke u ulur dhe qëndrimi i pacienteve në maternitet ne 4-5 ditë. Repartit të Terapisë Intensive në Shërbimin e Neonatologjisë i janë shtuar 6 inkubatorë të rinj të ardhur nga Ministria e Shëndetësisë. Janë inauguruar gjashtë aparaturat e reja laboratorike ekzaminuese, të cilat u mundësuan si pjesë e programit të ndihmës për sistemin e kujdesit shëndetësor shqiptar nga Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA). Me futjen në punë të këtyre gjashtë aparaturave të reja u shtua gama e analizave laboratorike duke përmirësuar shërbimin laboratorik në aspektin cilësor dhe sasior. Po përmendim edhe një fakt: Për mbulimin e nevojave si rezultat i ngarkesës që duhet të përballojë materniteti. Gjithashtu, janë kaluar disa pajisje mjekësore nga Shërbimi Spitalor Laç. Pajisjet mjekësore janë si më poshtë: Aparat Anestezie, Aspirator për salla operatore, Fototerapije, Elektrobisturi, Krevat Lindjeje, Analizator Spektrofotometër dhe disa sete kirurgjikale për Obstetrikë –Gjinekologji. 
    Pas ndryshimeve të bëra në pajisje (aparatura) dhe në kualitetin e shërbimit, a ka rritje kërkesash për shërbime, a ka raste të rënda me humbje jetë nënash e fëmijësh? 
    Vlen për t’u theksuar se gjatë vitit 2014-2015 kemi pasur një rritje të numrit të lindjeve, si dhe është ulur parametri i vdekshmërisë foshnjore. Gjithashtu nuk kemi pasur asnjë vdekshmëri amtare, gjë e cila është edhe si rezultat i punës së gjithë stafit të Spitalit Obstetrik Gjinekologjik “Mbretëresha Geraldinë”. Po të vazhdojmë të punojmë me këtë qasje, besoj se do të mund të arrijmë, që të bëjmë një shërbim shumë të mirë, nëpërmjet edhe mundësive shtesë që na vijnë nga fondet dytësore. Për sa kohë ky kontribut është real, për sa kohë kjo dinamikë realizohet në terren, ne do të vazhdojmë të bëjmë më të mirën e mundshme për institucionin tonë.

    Cila është gjendja e medikamenteve dhe higjenës në shërbim? 
    Vlen për t’u theksuar se prej më se një viti në spitalin tonë nuk mungon asnjë medikament, vaksinë apo material mjekësor. Një ndër sfidat kryesore për këtë spital është edhe higjena, të cilën kemi arritur ta mbajmë në maksimum. Materniteti “Mbretëresha Geraldinë” ka edhe një Komitet për Higjenën, i cili çdo muaj shikon ku është ngarkesa mikrobike më e lartë, dhe më pas merren masat për dezinfektimin e këtyre ambienteve ku mendohet se ka probleme. 
    Sigal