Besnik Imeri: Qyteti i Vlorës, lulëzon në verë dhe kutërbon në dimër

1357
Sigal

Vlorën e ka zënë halli si puna e asaj “nuses në kalë”, që është e zbukuruar mbi vete dhe e menderosur nën vete

Vjen behari dhe Vlora lulëzon, vjen dimri dhe Vlora kutërbon      

Në fillim të viteve 1900 Vlora ishte një lagunë e madhe, ku në Skelë, tek Kalaja Veneciane futeshe me anije   

N’rrugë të gënjeshtërt e suell bukurija

E t’mirave, që janë veç n’duk të hieshme,

Që premtojnë shumë e paktë tue qenë dobija

(Komedia Hyjnore-Dante Aligeri)

      Vlora (Vlona), e vluara e banorëve të saj, ajo që “valon” nga dashuria për atdhe dhe që në gegërisht quhet Avlon (asht tue vlue, vlon); ajo ku përherë “valon” flamuri i lirisë; të kujton perëndinë pellazge, Peresefonën, që rilindte në pranverë dhe rivdiste në dimër. Vjen behari dhe Vlora lulëzon, vjen dimri dhe Vlora kutërbon. Por nëqoftëse Persefona në dimër futej në “Dhe” tek Hadi, Vlora bëhet pis dhe përmbytet nga një Had tjetër, mbi tokë, nga “Hadi i pushtetit”. Tek “Albano dhe Romina”, Biblioteka, Skela dhe pjesë të tjera të qytetit vuajnë përmbytjet deri në 1 metër ujë. Ujërat e zeza dhe gjirizet fitojnë “lirinë”, shpërthejnë nga pusetat dhe “përqafojnë” qytetin, fillojnë tek “Kapelja” dhe përfundojnë në Skelë. Vlorën e ka zënë halli si puna e asaj “nuses në kalë”, që është e zbukuruar mbi vete dhe e menderosur nën vete.

Qytetarët e Vlorës pyesin veten:

A e di këtë qeveria dhe bashkia? Nuk ka mundësi që të mos e dinë, pasi ne na qeverisin njerëz me një barrë mend. Po si ka mundësi atëhere që kanë hedhur dhjetra milionë Euro për ta zbukuruar Vlorën nga lart, vetëm për behar dhe vetëm për turistët; ndërkohë që në dimër banorët e saj “heqin picirën”?!!! Po mirë, thonë përsëri këta qytetarët vlonjatë, të cilët  si zevzekë që janë, nuk rrinë rehat; Këtë qeveri dhe këtë bashki kush e voton, ne që jetojmë këtu, apo “kalanderët” e beharit. Po ua jap unë një përgjigje në vend të qeverisë dhe në vend të bashkisë: Ju atë detyrë keni që të votoni dhe të vuani; ndërsa ata, “beharxhinjtë”; që të vijnë, të bëjnë qejf bashkë me qeverinë dhe bashkinë dhe të kërcasin dhe të ikin.

Pak histori

Tani sa për histori, se si kryeministri, ashtu edhe kryetari i bashkisë, janë të vegjël dhe nuk e dinë. Në dimrin e vitit 1962-1963, ku këta që zura në gojë më lart nuk kishin lerë, Vlora pësoi një përmbytje të madhe dhe të paparë. Ujërat, nga shiu rrebesh dhe i pandërprerë, një pasdite, vërshuan që nga kodrat si lumenj dhe Sheshi i Flamurit u kthye në lumë, shtëpitë përdhese në Muradie u mbytën me ujë deri afër tavanit. Skela, nuk diskutohet që u bë bashkë me detin. Mirëpo atij qerata diktatori i erdhi keq për Vlorën dhe filloi sistemimin e ujërave të shiut në qytet; Ndërsa lart në kodrat, duke filluar që nga Spitali dhe deri tek “Shtatë Pallatet” ndërtoi kanalet e ujërave të larta që rregullonin ujërat e shiut që vërshonin në qytet. Ndërtoi edhe dy kanale shkarkues të mëdhenj: Atë nga Spitali deri tek “Dega” dhe tjetrin nga “Fabrika e Çimentos” deri në Skelë.

“E bukura demokraci”…

Mirëpo erdhi e bukura demokraci dhe ruralët e pagdhendur i prishën kanalet dhe mbi to, në kohën e regjimit berishian, ndërtuan shtëpitë. Që nga ajo kohë Vlora filloi të përmbytej. Kanë kaluar shumë kryetarë bashkish dhe shumë qeveri dhe kanalet e ujërave të larta, nuk i zuri njeri me dorë. Kur po ndërtohej “Lungomarja”, urbanistët dhe arkitektët vlonjatë, në vërejtjet e tyre për projektin, midis shumë të tjerave, zunë në gojë edhe kanalet e ujërave të larta. Për të mos ngrënë hakun, kryeministri i dëgjoi, por vetëm për pjesën e “Lungomares”, ku për hir të së vërtetës, poshtë saj bëri kanale të mëdhenj të shkarkimit të ujërave të shiut në det. Por vetëm kaq, pasi nga kodrat e lagjes “10 Korriku”, ose Çmendina, siç e njohin vlonjatët, si dhe nga të gjitha kodrat e tjera të qytetit, sa herë që bie shi i rrëmbyeshëm, prej tyre vërshojnë përrenjtë më ujë dhe me baltë dhe përmbytin rrugët e qytetit.

Në këtë drejtim, në mandatin e tyre të radhës, si kryeministri, ashtu edhe kryetari i bashkisë i “sapo zgjedhur”, mbase do të kujtohen për Vlorën dhe do ta shpëtojnë. Kjo kërkon një studim dhe investim serioz. Përsëri, sa për histori dhe kryesisht për këta që na qeverisin, në fillim të viteve 1900 Vlora nuk ishte kjo që është sot. Ajo ishte një lagunë e madhe, ku në Skelë, tek Kalaja Veneciane (Atje ku sot është Pallati i Sportit, “Kulla Ferhati”, Stadiumi, etj) futeshe me anije. Gjithashtu, deri tek “Bishti i Kalldrëmit”, ku fillonin kodrat e Kaninës, tek ish fabrika e Çimentos, deti hynte dhe dilte, dhe kuptohet, si lagunë që ishte, deri atje duhej të shkoje me barkë. Rruga Vlorë-Skelë, në fillim të viteve 1900, ishte si një digë në mes të ujit. Ashtu siç ishte Trans-Ballkanikja deri në vitet 1960, ku uji vinte deri tek ish Fabrika e Orizit, si dhe deri afër shkollës “Ali Demi”. Në atë kohë tek Trans-Ballkanikja kishte rosa të egra, bajza. Pra Vlora ishte nën ujë. Që ajo të shpëtojë nga ai, kërkon kanale të mëdhenj me ngritje që shkarkojnë në det me ndihmën e pompave të fuqishme. Çdo zgjidhje tjetër do të ishte gjysmake. Kaq me ujin dhe baltën.

        Tani të kthehemi pak nga bashkia.

Çfarë bëri ajo në mandatin e parë, 2015-2019. Ja, ja u them unë: Ngriti pemën më të lartë të vitit të Ri në Skelë, që nuk e kishte ngritur asnjë kryetar bashkie më parë; Mbolli shkurre për herë të parë tek Varrezat e Dëshmorëve, që nuk i kishte mbjellë asnjë kryetar bashkie më parë. Ngriti “Lekanet” në Skelë. Prishi 1 miliard lekë tek “Fabrika e Orizit”, ish “Shelgu”, për dy ndarje pallatesh, ku në vend që të mbillte pemë dhe vendoste stola për pensionistët, vendosi rrotullame betoni dhe rrotullame hekuri. Tek kafe “Shelgu” pensionistët pinin kafe nën hijen e shelgjeve. Por tani ku të rrinë në beton. Bashkia preu shelgjet dhe nuk mbolli asnjë pemë, me përjashtim të nja dy goricave që nuk bëjnë hije as për një breshkë, jo për njerëzit. Lulishten tek “Tri Racat” e ktheu në një shesh betoni. Kudo në qytet preu pemët dhe hoqi stolat që kishin vendosur paraardhësit e tij. Ku? Tek “Avni Rustemi”, “Industrialja”, “Shelgu”, “Tri Racat”, “Aulona”, madje dhe tek minilulishtja e “Uji të Ftohtë” ku njerëzit e presin urbanin në këmbë si pulat dhe gjelat, etj, etj. Ky kryetar bashkie do të mbahet mend si kryetari bashkisë që u hoqi stolat dhe hijet pensionistëve dhe për këtë do  të marrë mallkimin e tyre. Por jo vetëm kaq. Ky kryetar bashkie do  të mbahet mend si kryetari i bashkisë që nuk ngriti një shkollë, një kopsht, një çerdhe për fëmijët. Madje edhe tek dy shkollat e mesme që “rikonstruktoi”, nuk shtoi të paktën një kat, që të shtonte kapacitetin e tyre. Një vit ndenji firma e ndërtimit tek “Ali Demi”, vetëm për suva dhe dritare. Ky kryetar bashkie do të mbahet mend si kryetari bashkisë që nuk ndërtoi një kënd lodrash për fëmijët  e qytetit dhe për këtë do të marrë mallkimin e tyre. Ky kryetar bashkie do të mbahet mend si kryetari bashkisë që nuk ndërtoi një park me pemë në ndonjë lagje të qytetit ku të qëndrojnë banorët. Shpëtim Gjika bëri mjaft të tillë në kohën e tij. Po pse nuk merr shembull nga Erion Veliu i Tiranës xhanëm?!!!

-Vijon nesër-