Berat Luzha: Dukati – fshati më i madh, nga territori, në Shqipëri

2954
Sigal

Shtegtime nëpër Atdhe/ ‘Fshatin Dukat, sipas Pukëvili e ka themeluar Mihal Duka

DUKATI – FSHATI MË I MADH, NGA TERRITORI, NË SHQIPËRI

Berat Luzha

Duke udhëtuar nga Vlora drejt Llogarasë, sapo rruga lë prapa fushën dhe fillon të ngjitet përpjetë, në shpatin tjetër, nga ana e majtë, të zë syri shtëpi, që duken si të ngulitura në mal dhe të zhytura në gjelbërim. Vetëm pak po t’i shmangesh rrugës kryesore dhe të kthehesh rrugës së ngushtë gjarpëruese për Dukat, do të befasohesh me bukuritë e shumta fantastike, çfarë nuk ke pasur mundësi t’i hasësh gjetiu.

Fshati Dukat, për të cilin Pukëvili ka thënë se e ka themeluar Mihal Duka, sigurisht është fshati më i madh, për nga sipërfaqja, në Shqipëri. Ka rreth 250 km katrorë dhe përbën 1/5 e Rrethit të Vlorës dhe 1/100 e tërë territorit të Republikës së Shqipërisë. Evlia Qelebia ka shkruar se ka kaluar nëpër Dukat dhe se Dukati kishte 100 fshatra.

Dukati i vjetër ndodhet në një grykë të thellë të maleve Paliskë e Qore, pjesë e malit të Vetëtimës (Akrokeraunte), në jug të Gjirit të Vlorës, në afërsi të qytetit të Orikut (Orikum). Kufizohet me Tragjasin, Tërbaçin dhe Palasën. Tërë gadishulli i Karaburunit, duke përfshirë edhe Llogaranë, është pjesë e territorit të Dukatit. Territori i këtij fshati laget nga dy detëra; Adriatiku dhe Joni. Në afërsi të Dukatit të vjetër, në fushën poshtë tij, është ndërtuar Dukati i ri, i quajtur Dukati-Fushë.

Dukati përmendet që në lashtësi. Në shek. III p.e.r. këtu është zbuluar një varrezë ilire. Në vitin 48 Perandori romak, Cezari kaloi këndejpari, u kërkoi banorëve ndihmë për ushtrinë dhe krijoi një kamp në Orik, në rrugë për t’ia zënë pritën ushtrisë tjetër romake, në krye me Pompeun. Në vitin 1920 këtu mbahet Kuvendi i Barçallasë, ku vendoset të fillonte lufta për çlirimin e Vlorës me rrethinë nga pushtuesit italianë.

Fshatit, që përbëhet nga shtatë lagje, tashmë pothuaj i braktisur, natyra i ka falur pasuri të mëdha në bimësi, burime uji, lëndë drusore e minerale. Shtëpitë janë tipike të stilit të vjetër autokton. Dallohet kulla apo kompleksi ndërtimor i Dervish Aliut. me vlera të larta historike e arkitektonike, e shpallur monument i trashëgimisë kulturore, që përbëhet nga kulla e vrojtimit, kulla mbrojtëse, divani, shtëpia e bukës dhe oda e miqëve.

Mos mbetshi pa e vizituar edhe këtë fshat!