BE planifikon rikthimin e vizave për shqiptarët

1438
Sigal

BE ka vendosur që nga janari 2021 shtetasit e “vendeve të treta” që janë të përjashtuar nga regjimi I vizave të BE-së –përfshirë Shqipërinë, Maqedoninë, Bosnjen, Malin e Zi dhe Serbinë do të hyjnë me autorizim në Zonën Shengen. Qytetarët nuk mund të udhëtojnë pa aplikuar online dhe plotësuar një formular. Nëse merë aprovimin duhet të bëhet edhe një pagesë bankare. Ja detajet

Duke filluar nga viti 2021, për shtetasit e të ashtuquajturave “vende të treta” që janë të përjashtuar nga regjimi i vizave të Bashkimit Europian – përfshirë Shqipërinë, Bosnjën dhe Hercegovinën, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut dhe Serbinë – BE planifikon të prezantojë një sistem të ri autorizimi për hyrjen në Zonën Shengen.

Sistemi Europian i Informacionit dhe Autorizimit të Udhëtimit, ETIAS, është një program për heqjen e vizave që synon “forcimin e kufijve të zonës Shengen duke kontrolluar paraprakisht të dhënat e udhëtarëve para se ata të hyjnë në zonë”, sipas faqes së internetit të ETIAS.

“Do të duhen vetëm disa minuta për të plotësuar një aplikim online, i cili në shumicën e rasteve (mbi 95 për qind) do të rezultojë në aprovim automatik”, tha për BIRN nëpërmjet emailit Katarzyna Kolanko, zyrtare për shtyp e Komisionit Europian.

Aplikantët duhet t’i përgjigjen një sërë pyetjesh duke futur informacione themelore siç janë emri i tyre, adresa, data e lindjes dhe detajet e pasaportës. Do të ketë gjithashtu disa “pyetje që lidhen me shëndetin dhe sigurinë”.

Një tarifë prej shtatë eurosh do t’i dërgohet aplikuesit elektronikisht pasi të jetë aprovuar.

“Pasi një qytetar të marrë një OK për një kontroll sigurie, ky kontroll sigurie do të jetë i vlefshëm për tre vjet për një numër të pakufizuar udhëtimesh në vendet e BE-së. Kjo do të thotë, deri në fund të vlefshmërisë së pasaportës nëse një pasaportë është e vlefshme për më pak se tre vjet”, tha për BIRN Almir Sahoviç, ndihmës ministri i jashtëm i Bosnjës.

Qytetarët boshnjakë që folën për BIRN thanë se janë pak të shqetësuar se procedura mund të mos jetë aq e thjeshtë, edhe pse të rinjtë ishin më pak të shqetësuar për këtë.

“Është një shqetësim i vogël, por nuk mendoj se do të më shkaktojë shumë komplikime. Unë e përdor çdo ditë kompjuterin dhe internetin, për punë dhe çështje personale, blej gjëra në internet… Por e kuptoj që kjo mund të jetë një problem për të moshuarit”, tha Branimir Plavsiç, një ekonomist nga qyteti i Banja Lukës.

Njerëzit që nuk dinë të përdorin teknologjinë moderne mund të duhet të kërkojnë ndihmë për plotësimin e pyetësorit.

“Nuk do të dija si ta plotësoja këtë pyetësorin për të cilin po flisni”, tha Petar, një postier në pension. “Do të më ndihmojë im bir me këtë”, tha tha Petari, djali i të cilit u nis për në Gjermani dy vjet më parë me familjen e tij. Petari e ka vizituar atë disa herë.

Pavarësisht shqetësimeve të tilla, ka mjaftueshëm kohë që njerëzit të përgatiten për sistemin e ri.

“ETIAS nuk është vizë”

Komisioni Europian theksoi se autorizimi ETIAS nuk është vizë.

“Udhëtarët nga vendet që përfitojnë nga udhëtimi pa viza në BE, përfshirë ata nga rajoni i Ballkanit Perëndimor, do të vazhdojnë ta bëjnë këtë. Ky është thjesht një hap i vogël procedural për udhëtarët e përjashtuar nga vizat për t’i ndihmuar ata të shmangin burokracitë dhe vonesat në kufijtë e BE-së”, tha Kolanko.

Ajo shtoi se njerëzit gjithashtu do të duhet të aplikojnë për autorizimin ETIAS nëse planifikojnë të vizitojnë vendet jo-Shengen të BE-së si Kroacia, Qipro, Bullgaria dhe Rumania.

Bashkimi Europian ka vendosur të ndjekë modelin e Shteteve të Bashkuara dhe të prezantojë këtë sistem të ri të kontrollit të pasagjerëve që mbulon rreth 60 vende, shtetasit e të cilëve mund të hyjnë në BE pa vizë, përfshirë vendet e Ballkanit Perëndimor.

“ETIAS u ndërtua në përvojën që ata patën pas dhe gjatë krizës së emigrantëve. Jo në aspektin e kontrollit të emigrantëve, por për kontrollin e kontrabandistëve dhe ata që kalojnë në mënyrë të paligjshme pikat e kalimit kufitar”, tha për BIRN Milan Igrutinoviç nga Instituti për Studime Europiane me qendër në Beograd.

Përveç ETIAS, Bashkimi Europian aktualisht është duke zhvilluar një sistem të ri që do të lexojë të dhëna biometrike, me qëllim modernizimin e mënyrës së menaxhimit të kufijve të jashtëm të BE-së.

“Sistemi do të kontrollojë të dhëna të tilla si emri, dokumenti i udhëtimit dhe biometrika (gjurmët e gishtërinjve dhe fytyrën),” tha Kolanko.

“Megjithatë, biometrika do të mblidhet vetëm një herë – herën e parë që një shtetas jo i BE-së kalon kufirin e BE-së, sapo sistemi të fillojë të funksionojë. Prandaj, kjo nuk duhet të shtojë asnjë barrë më shumë për udhëtarët që kalojnë kufijtë e BE-së, përkundrazi, kalimi duhet të jetë i shpejtë dhe i lehtë”, shtoi ajo.

Një sistem hyrje-daljeje ose EES duhet të jetë funksional nga viti 2022 dhe do të zëvendësojë vulosjen manuale të pasaportave nga rojet kufitare me regjistrimin elektronik të hyrjes dhe daljes së një shtetasi jo të BE-së që hyn në BE.

Danijel Kovacevic