Bastet dhe kazinotë vijojnë gjyqet kundër Autoritetit Mbikëqyrës të Lojërave të Fatit

577
Sigal

Qeveria në fund të vitit të kaluar mori një vendim për të mbyllur aktivitetin e basteve sportive dhe kazinove që operonin në vendin tonë, duke nisur që prej 1 janarit të vitit 2019. Edhe pse ky vendim hyri në fuqi dhe në tërësi duket se llotot e kazinotë, të paktën zyrtarisht, e kanë përfunduar aktivitetin e tyre, sërish këto kompani kanë vijuar betejat gjyqësore kundër Autoritetit të Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit. Këto çështje lidhen kryesisht me gjoba të vendosura nga AMLF gjatë kohës që aktiviteti i basteve sportive ishte ende i ligjshëm. Gjatë javëve të fundit, pranë Gjykatës Administrative të Apelit, janë depozituar tre çështje nga tre kompani të ndryshme që lidhen me gjoba që u janë vendosur përgjatë vitit 2018. Kështu e para është çështja e depozituar nga shoqëria tregtare “TIRANA” Sh.p, e cila ka paditur Autoritetin e Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit, Komisioni e Apelimit të Gjobave dhe Ministrinë e Financave. Në objekt të çështjes së saj është sigurimi i padisë dhe pezullimi i zbatimit të aktit administrativ për një gjobë në qershor 2018. Në çështje kërkohet edhe konstatimi si i pavlefshëm i vendimit të Komisionit të Apelimit të gjobave pranë Ministrisë së Financave. Çështja e dytë e depozituar së fundmi është ajo nga ” Universe” sh.a, e cila ka paditur gjithashtu Autoritetin e Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit dhe Komisionin e Apelimit të Gjobave. Në objekt të padisë është shfuqizimi i akteve administrative, procesverbalit të gjobës së vendosur në qershor 2018 si dhe vendimi që ka marrë Komisioni në gusht 2018. E fundit është “Top Start” sha, e cila ka paditur Autoritetin e Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit dhe Komisionin e Apelimit të Gjobave. Në objekt është shfuqizimi i një gjobe në qershor 2018 dhe një vendimi të Komisionit në gusht po të vitit të kaluar.