Bashkia e Pogradecit lan borxhet e ish-Kryebashkiakut, Artan Shkëmbi

918
Sigal

Që nga dorëheqja e ish-kryetarit të Bashkisë Pogradec, Artan Shkëmbi, në prill të vitit 2015-s e deri më sot kanë kaluar 4 vjet, por borxhet e pashlyera të lëna prej tij, vijojnë ta ndjekin Bashkinë në fjalë dhe qytetarët e saj, hap pas hapi, sepse detyrimet duhen larë, dhe kushdo që ofroi shërbimin e vet duhet të paguhet për punën e kryer. Qeverisja, duhet të tregojë përgjegjshmërinë e vet ndaj qytetarëve, ashtu siç qytetari paguan çdo taksë, tarifë apo detyrim që i vihet mbi supe. Për sa i përket Bashkisë Pogradec mësohet se janë bërë përpjekje serioze për shlyerjen e borxhit, por pa mundur ta shlyejë tërësisht atë, sepse mundësitë e saj përballë borxhit të krijuar, nuk janë të mjaftueshme. Ndërkohë nga Qeveria nuk është dhënë asnjë ndihmesë, edhe pse borxhi u krijua gjatë viteve kur Pogradeci qeverisej prej njerëzve të saj. Artan Shkëmbi dha dorëheqjen pas tre mandateve, por me një borxh të akumuluar ndër vite që rëndon edhe sot mbi pogradecarët. Borxhi i krijuar

Sipas burimeve pranë Bashkisë Pogradec, përpjekjet për shlyerjen e borxhit nuk munguan asnjëherë. Që nga viti 2015 e deri më sot është punuar për shlyerjen e tyre. Likuidime janë bërë nga viti në viti. Fillimisht borxhi ishte 4.7 miliardë lekë (të vjetër), të cilat i përkisnin Bashkisë Pogradec. Me përfundimin e reformës territoriale, borxhi u rrit sërish. Komunat që iu bashkuan Bashkisë së Pogradecit sollën borxhet e tyre. Në total shuma e detyrimit shkoi në 5.4 miliardë lekë (të vjetër). Sipas Kontrollit të Lartë të Shtetit, shkeljet ligjore me dëm ekonomik, ishin të shumta, ku bie në sy dhënia e lejeve në zonën e qendrës së qytetit, sheshe ndërtimi në mungesë të Planit të Përgjithshëm Rregullues dhe të Studimit Urbanistik Pjesor të qendrës së qytetit, të miratuar në KRRTRSH-së; studime Urbanistike Pjesore dhe leje ndërtimi në shkelje të kondicioneve urbanistike; dhënie leje ndërtimi për pistë, të shfrytëzueshme në pronë publike (liqen) etj., etj. Pra, kjo mënyrë qeverisje çoi në një dëm prej 46,4 milionë lekë, (të rinj), ose siç e thamë më sipër, rreth 4.7 miliardë lekë (të vjetër), të cilat ende nuk po i lajnë dot qytetarët e Bashkisë Pogradec.

Shlyerja e borxhit

Aktualisht mësohet se borxhi i viteve të shkuara, falë përpjekjeve të Bashkisë, ka nisur të pësojë rënie. Në vitin 2018, borxhi i prapambetur prej 5.4 miliardë lekë (të vjetër) zbriti në 4.3 miliardë lekë. Gjithashtu përgjatë vitit 2018, u shlye edhe një shumë prej rreth 700 milionë lekë (të vjetër), kryesisht për investime, procese gjyqësore, blerje mallrash dhe shërbime të tjera të këtij lloji. Këto shuma kaluan në llogari të subjekteve, ku Bashkia ishte debitore me ta dhe që s’mund t’i linte pa i paguar, pasi përgjegjësia ndaj investitorit dhe qytetarit duhet të jetë në plan të parë. Aktualisht, sipas burimeve pranë Bashkisë Pogradec, borxhi ka zbritur në nivelin e 346, 295.000 lekëve të reja, ose në 3.5 miliardë lekë (të vjetër). Të gjithë këto janë likuiduar me mundësitë e veta të Bashkisë. Megjithatë, në analizën vjetore të Bashkisë u bë e ditur se është parashikuar edhe një shlyerje tjetër e mundshme e borxhit për vitin 2019, por ndërkaq nga këshilltarët e Këshillit të Bashkisë u pa e udhës t’i kërkohet ndihmë edhe qeverisë, pasi qytetarët nuk mund të mbahen peng nga një borxhi që as nuk e meritonin dhe as nuk u solli ndonjë të mirë. Veç kësaj, në kushtet e borxhit Bashkia e ka të pamundur të krijojë borxhe të reja në prokurime apo tenderime për vepra publike, sepse ligji nuk lejon, nëse fondet nuk janë në dispozicion; prokurimi publik duhet të jetë me ritmin e shlyerjes së borxheve. E gjendur në këto kushte, kërkesa e Bashkisë për ndihmë drejtuar qeverisë mund t’i jetë dërguar, ndërsa pritet të mësohet cili do të jetë qëndrimi i saj.

Në rast se nuk do të ketë ndihmë, qytetarëve të Pogradecit do t’u duhen edhe 3-4 vjet të tjera për ta shlyer plotësisht atë.