Ass. Av. Sazan GURI: Kufijtë detarë, kufij midis drejtësisë, ndershmërisë dhe etikës së dy shteteve

752

Marrëdhëniet për kufirin detar midis shtetit shqiptar dhe atij Italian janë rregulluar pikërisht të orientuar nga neni 6 i kësaj Konference që thotë në pikën 1 se: Kur raporti i njëjtë kontinental është ngjitur me territoret e dy ose më shumë shteteve, brigjet e të cilave janë përballë njëri-tjetrit, kufiri i Shelfit Kontinental që i përket këtyre shteteve përcaktohet me marrëveshje ndërmjet tyre. Në mungesë të marrëveshjes dhe nëse një vijë tjetër kufitare nuk justifikohet nga rrethana të veçanta, kufiri është vija mesatare, çdo pikë e së cilës është e barasvlershme nga pikat më të afërta të vijave bazë nga të cilat matet gjerësia e detit territorial të secilit shtet. Dhe kështu është bërë me këtë shtet, ndarje më se e rregullt, ku baraslargësia, gjetja e kufijve të Shelfit Kontinental dhe ndershmëria mbizotëroi në këtë marrëveshje. Në fakt kishte hapësirë edhe më se të mjaftueshme detare për tu marrë vesh. Kujtojmë se delegacioni italian në marrëveshjen detare me të përbëhesh prej 35 personave, ndërsa ekipi shqiptar, jo më shumë se 10 veta. Por, ajo që vlen për t’u theksuar është se ekipi italian kishte në radhë të parë gjeneralët ushtarakë, sikundër edhe pala shqiptare, por në radhë të dytë, ndryshe nga pala shqiptare, kishte gjeneralët e naftës që udhëzonin nga pas ata të rreshtit të parë. Gjithsesi, ishte një ballafaqim ndryshe nga marrëveshja aktuale me palën greke, sepse mbizotëronte më shumë profesionisti sesa politika, ku ata (profesionistët) nuk duan, nuk dinë dhe nuk mund të bëjnë pazar. Aman tmerr?! Koncepti sa more dhe sa më dhe për kufijtë e një vendi, nuk ka më të ulët se ajo e të bërit Pazar. Me që jemi te diskutimi me shtetin italian, të dyja palëve iu është dashur nëntë vite diskutime, ndërkohë që me shtetin jugor (Greqinë), dy herë nga dy muaj.

Marrëdhëniet midis shtetit grek dhe atij Italian – me 24 Maj, 1977 bëhet e mundur që të nënshkruhet marrëveshja për ndarjen e zonave të Shelfit Kontinental midis këtyre dy shteteve, pikërisht në Detin Jon, duke formuluar edhe Hartën Detare me Kufirin e Shelfit Kontinental Greqi-Itali. Në këtë marrëveshje janë përcaktuar të drejtat e palëve, kur vija ndarëse kalon midis burimeve që do të gjenden apo kompensimin e barabartë edhe për ato të shfrytëzuara më parë.1

 Marrëdhëniet midis shtetit grek dhe atij shqiptar duhet të rregullohen sipas asaj që porositë paragrafi 2 e këtij neni, ku thotë se: kur i njëjti Shelf Kontinental është ngjitur me territoret e dy shteteve përbri, kufiri i Shelfit Kontinental përcaktohet me marrëveshje ndërmjet tyre. Në mungesë të marrëveshjes, dhe nëse një vijë tjetër kufitare nuk justifikohet nga rrethana të veçanta, kufiri përcaktohet me anë të zbatimit të parimit të barazimit nga pikat më të afërta të vijave bazë, nga të cilat matet gjerësia e detit territorial të secilit shtet. Në përcaktimin e kufijve të Shelfit Kontinental sipas paragrafit 3 të këtij neni, çdo linjë që hiqet2 duhet të përcaktohet, duke iu referuar hartave dhe tipareve gjeografike që ato ekzistojnë në një të dhënë të veçantë dhe referencat duhet të bëhen për pikat e fiksuara të qëndrueshme dhe të identifikueshme në tokë. Shqipëria me Greqinë, ndryshe nga ajo me Italinë që kishte 15 pika thyerje për të matur për shkak të aksidenteve të shumta të relievit në hartë, ka jo më pak se 200 pika matje.

Fig. – 3 Pamje e një figure gjeo-tektonike që mund të përkojë për nga veriu edhe si ndarje natyrore gjeografike, ndërsa nga lindja me ekuidistanca midis 200 pikave thyerje të relievit midis rivierës së qëndrueshme shqiptare dhe Korfuzit ishull të palëvizshëm.

Deri në këto përcaktime, nuk ka sens moskuptimi midis dy shteteve përbri, ku ‘delimitimin’ në gjuhën juridike ose përvijimin (heqjen e kufijve) ta japin paragrafët e mësipërm, por ndoshta ta rrëmbejë më i forti midis shteteve, kur njeri është më i dobët apo i kthen kurrizin popullit të vet. Të dy palët, si pala shqiptare dhe ajo greke, kanë rënë dakord që në marrëveshjen e mëparshme është përdorur teknologjia e gabuar. Deri më sot, marrëveshja mbi detin midis Republikës së Shqipërisë dhe Republikës Helene, e vitit 2009, e hedhur poshtë nga Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë, nuk është bërë ende publike. Vetëm dimë se marrëveshja nga pala shqiptare nuk kishte aktin e përputhshmërisë që del nga Presidenti i Republikës, e cila për pak apo desh u harrua edhe kësaj radhe, nëse nuk do të kishim ndërhyrjen civile të qytetarëve, të vetë Presidentit aktual, etj. Por nuk na është thënë se në këtë palë shteti Grek nuk zbaton të njëjtat standarde, si ato me shtetin italian, siç janë detyrimet që dalin nga nenet e Konventave ndërkombëtare për detin, sidomos ajo e Montego Bay. Neni 15 i Konventës së Montego Bay, përcakton se kufijtë mbi dete përcaktohen lehtësisht me marrëveshje midis tyre, ku në raportet midis fqinjëve përballë ose në krah, në varësi të relievit natyror dhe të konfiguracionit gjeografik, zbatohet parimi i baraslargësisë (ekuidistancës) ose/dhe i ndershmërisë-drejtësisë (etikës). Përndryshe, nuk mund të pranohet që Greqia të shtrijë gjerësinë e ujërave të saj territoriale nga bregu i Korfuzit në drejtim, le të themi, të Ksamilit, në 12 milje detare. Së pari, nuk ka hapësirë të mjaftueshme për këtë gjerësi dhe së dyti, në bazë të nenit të lartpërmendur të Konventës, këtë të drejtë e ka në të njëjtën masë edhe Shqipëria. Sigurisht, si çdo çështje, edhe këtu ka thembër akili, që kufiri do të ndahet midis vijave të qëndrueshme bregore kontinentale, si ajo midis Shqipërisë dhe Korfuzit apo midis një vije kontinentale e qëndrueshme e banueshme si riviera shqiptare dhe një vije të paqëndrueshme e pabanueshme, siç është ajo e ishujve Othonoit dhe Erikoussas, që me të drejt koncepti juridik i shtetit Italian i quan shkëmbinj në det, dhe jo territore tokësore, nga ku mund të masësh tiparet e një Shelfi Kontinental dhe të Zonës Ekonomike Ekskluzive (ZEE) që folëm në fillim apo më lart, e cila ndodhet në kanalin e Otrantos në kufirin që bashkon tre shtetet. Kufizimi i Shelfit Kontinental midis Shteteve me brigje të kundërta ose ngjitur, si rasti me shtetin grek do të bëhet me marrëveshje në bazë të së drejtës ndërkombëtare, siç referohet në nenin 38 të Statutit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, me qëllim të arritjes së një zgjidhjeje të barabartë. Por, kujdesi në marrëveshje për ndarje kufijsh ka sa matematikë, sa pjesë ligjore aq edhe orekse, sepse nuk ka mundësi që aq sa merr Karaburuni kontinental, aq të marr edhe Othenoi ishullor apo shkëmbor, që hyn e del si delfini në det, aq herë sa tërmete bien. Ukraina dhe Rumania për një shkëmb, nëse është ishull apo kujt i takon ngeli me dekada në diskutim për ndarje kufiri me njeri tjetrin?Me palën greke është rënë dakord që për llogaritje të merren “Vijat e Mesit” dhe “Parimi i baraslargësisë, si metodë bazë për heqjen e kufijve detarë, të përcaktuara në mënyrë ‘strikte’, duke garantuar një rezultat të ndershëm (Equity) dhe të drejtë, sic njihet nga jurisprudenca ndërkombëtare. Asgjë më shumë dhe asgjë më pak se ajo që shteti jugor yni (Greqia) bërë me shteti perëndimor të saj dhe tonin (Italinë). Sikundër është shprehur edhe vetë z. Koci se ‘I njëjtë është rasti në marrëdhëniet tona me Italinë, me të cilën marrëveshja e parë për ZEE dhe Shelfin Kontinental është gati”3, duke deklaruar qarte se ‘Marrëveshja mbi Shelfin Kontinental është dicka tjetër. Te marrëveshja mbi detin midis Republikës së Shqipërisë dhe Republikës Së Greqisë të vitit 2009 nuk janë përdorur kriteret e përcaktuara për ndarjen e Shelfit Kontinental sipas Nenit 76 të Konventës së Komisionit të Kombeve të Bashkuara mbi Kufijtë e Shelfit Kontinental, si dhe të Deklaratës së Mirëkuptimit te 29 Gushtit 1980, sikundër pala greke e ka bërë me palën italiane. Ndaj, kur na thuhet se pala shqiptare nuk ka përmbushur marrëveshjet ose ka refuzuar të përmbushë dispozitat e ligjit ndërkombëtar nuk qëndron.

 

  

Fig. – 4 Pamje e një harte gjeologjike që tregon se zona ekskluzive detare në kuadrat mund të jetë po aq e pasur me hidrokarbure sa ajo e zonave naftëmbajtëse në tokën shqiptare, apo në ZEE në Qipro apo në Izrael.

Pikërisht këto, Konventa t’i jep si parim drejtësie që shpesh nuk mjaftojnë për rregullim kufijsh midis shteteve.4 Duhen dhe ato të moralit dhe të etikës, madje marrëdhëniet historike midis vetë këtyre shteteve, sepse historia është shkollë është ‘lesson to learn’ – mësime nga pësime, dhe jo burg, dhe tjetra është se nuk ka gogol grek, aq më tepër as gogol shqiptar. Në ZEE, shteti bregdetar ka të drejta sovrane, me qëllim të kërkimit dhe shfrytëzimit, ruajtjen dhe menaxhimin e burimeve natyrore, qofshin ato jetësore apo jo të gjalla, të ujërave që mbizotërojnë në shtratin e detit dhe të tokës, madje edhe të nëntokës së tij, dhe në lidhje me aktivitetet e tjera për shfrytëzimin ekonomik dhe eksplorimin e zonës, siç është prodhimin e energjisë nga uji, rrymat dhe erërat. ZEE nuk duhet të shtrihet përtej 200 milje detare prej linjave bazë, nga të cilat matet gjerësia e detit territorial. Gjerësia e detit territorial, zonës së afërt, zonës ekonomike ekskluzive dhe Shelfit Kontinental duhet të matet nga vijat bazë të arkipelagjeve të nxjerra në përputhje me nenet e konventës të mësipërme.5 Sistemi i bazave të tilla nuk duhet të zbatohet nga një Shtet arkipelag në mënyrë të tillë që të shfaros nga zona ekskluzive ekonomike një det territorial të një shteti tjetër. Nëse, një pjesë e ujërave arkipelagjike të një shteti arqipelegjik shtrihet midis dy pjesëve të një shteti fqinjë, të drejtat dhe të gjitha interesat e tjera të ligjshme që ky shtet i fundit tradicionalisht ka ushtruar në këto ujëra dhe të gjitha të drejtat e përcaktuara me marrëveshje ndërmjet tyre do të vazhdojnë të respektohen. Mirëpo ç’ndodh, nëse shteti përbri, si ai arqipelag grek6 me 14,000 ishuj kërkon heqjen e kufijve me bazë ishujt e tejskajshëm të arqipelagut të Korfuzit.7 Dihet që sovraniteti i një shteti arqipelagjik shtrihet në ujërat e mbyllura nga bazat arkipelagjike, të përshkruara si ujërat arqipelagjike, pavarësisht nga thellësia ose distanca e tyre nga bregu. Ky sovranitet shtrihet edhe në hapësirën ajrore mbi ujërat arkipelagjike, si dhe në shtratin dhe nëntokën e tyre, si dhe burimet që përmbahen aty.

Ajo që mungon në marrëdhëniet detare me shtetin fqinj, aq më tepër me shtete që ekspansionin e kanë pjesë të natyrës së vet shtetërore, (nuk kam faj që na mëson historia kështu) është se pala shqiptare vete pothuajse e papërgatitur. Si do ishte një gatitje paraprake e Qeverisë shqiptare.

Së pari do sqaronte kufijtë e Shelfit Kontinental, me anë të një grupi gjeologësh dhe gjeomorfologësh (gjeografë).

Së dyti do të bënte të mundur me anë të të një grupi kërkimor gjeologësh, vendas kryesisht, të dinte e të zotëronte pasuritë nëntokësore që me shumë gjasa i bie të ketë sasi jo të vogla hidrokarbure.

Së treti, pastaj me anë të një grupi historianësh, arkeologësh e gjuhëtarësh do të bënte të mundur zotërimin e pasurisë historike, sepse shtetet fqinj nuk na duan vetëm shkëmbinjtë me pasuri natyrore, por më shumë na i duan për pasuri historike që ne shqiptarët sipas thënies së Sami Frashërit, nuk dimë t’i vlerësojmë. Së treti, do hynin në lojë juristët dhe ekonomistët, të cilët do gatisnin fizibilitetet përkatëse të pasurive të vendosura në korniza ligjore sipas marrëdhënieve e Konventave ndërkombëtare. Të parafundit vijnë qytetarët shqiptarë që me intuitë kuptojnë se ç’bëhet në dobi dhe në të mirë të tyre, dhe së fundi vijnë pashallarët politikanë që veçse firmosin e vulosin.

Në mungesë të këtyre marrëdhënieve, sigurisht që pala tjetër mund të gjejë shesh e të bëj përshesh. Jo më kot, në kërkim të parametrave të kufijve të Shelfit Kontinental dhe të zonës ekonomike ekskluzive detare, ai shtyhet drejt veriut në marrëdhënie me Shqipërinë dhe drejt veriperëndimit në marrëdhënie me Italinë, (bosi i API-t dikton për 6 milje nga ishujt), ku Shqipëria del më e humbura në këtë mes, që do të thotë përfitim të pjesës më të madhe me pasuri hidrokarbure të patkoit të Korfuz-Himarës, e quajtur zona C sipas figurës së vetme të paraqitur në këtë shkrim. Tjetra, me anë të akaparimit që shteti grek i bën kësaj çështjeje kufitare me shtetin shqiptar krijon siparin për ndarje me shtetin Turk. Nëse nesërdej, ky shtet hedh bazat që të kërkoj kufirin qendër Epir të Veriut, në tokë me ushtarë e varre në Dragot dhe në det me naftë nëndetare. Por sot ka aq shumë ligje e konventa sa edhe po të duash t’i shkelësh nuk mundesh. Madje, nëse, asnjë marrëveshje nuk mund të arrihet brenda një periudhe të arsyeshme kohore, shtetet e interesuara duhet të zbatojnë procedurat e parashikuara në pjesën XV, ku palët i drejtohen Gjykatës së të Drejtës Ndërkombëtare, por nuk mund të mos merren vesh dy popuj historikisht fqinj. Shpresoj se kjo nuk do të ndodhë.

1 Limits in the Seas N0 96 Continental Shelf Boundary: Greece-Italy June 6, 1982 United States Department of the State Bureau of Intelligence and Research.

 

2 Në përputhje me parimet e përcaktuara në paragrafët 1 dhe 2 të këtij neni
3 [1]The same is the case in our relations with Italy, with which the first agreement on the Economic Exclusive Zone and continental shelf is ready – Foreign Minister Kotzias’ speech at the SEESOX Annual Lecture at St Antony’s College, Oxford University 10 June 2015 – Fjalimi i Ministrit te Jashtem Kotzias ne Leksionin e Pervitshem ne Sesoks, Kolegji Shenjt Antoni, Universiteti i Oksfordit, 10 Qershor, 2015.

 

4 Neni 56, Të drejtat, juridiksioni dhe detyrat e shtetit bregdetar në ekskluzivitet ekonomike – Zonë ekskluzive ekonomike është një zonë përtej dhe ngjitur me detin territorial, në varësi të regjimit ligjor specifik të vendosur në këtë pjesë, sipas të cilit të drejtat dhe juridiksionin e shtetit bregdetar dhe të drejtat dhe liritë e shteteve të tjera rregullohen nga dispozitat përkatëse të kësaj Konvente.
5 [1] Neni 47 I kësaj Konvente
6 Për qëllimet e kësaj Konvente: (a) “Shtet arkipelagjik” do të thotë një shtet i përbërë tërësisht nga një ose më shumë arkipelagë dhe mund të përfshijë ishuj të tjerë; (b) “arkipelag” nënkupton një grup ishujsh, duke përfshirë pjesët e ishujve, ujërat e ndërlidhura dhe karakteristikat e tjera natyrore të cilat janë aq të ndërlidhura ngushtë që ishuj, ujëra dhe karakteristika të tjera natyrore formojnë një gjeografik, ekonomik dhe politik të brendshëm njësi, ose që historikisht janë konsideruar si të tillë.
7 Një Shtet arkipelagjik mund të tërheqë vijat e drejtpërdrejta arkipelagjike që bashkohen me pikat më të largëta të ishujve më të largëta dhe shkëmbinj nënujorë me kusht që brenda këtyre bazave të përfshihen ishujt kryesorë dhe një zonë, në të cilën raporti i zonës së ujit në zonën e tokës, duke përfshirë atollet, është midis 1 dhe 1 dhe 9 deri në 1.