Arben Malaj: Kriza e Italisë është jo vetëm e saj

1198
Sigal

Prof. Dr Arben Malaj

Msc. Vjoldi Danaj – studiues i ekonomisë

“Qeveria e re italiane kërkon të zbusë problemet e mprehta të papunësisë dhe pabarazisë, ky është një objektiv fisnik. Ajo synon ta fitojë këtë sfidë kryesisht duke rritur deficitin dhe borxhin publik, kjo është jo produktive dhe e thellon krizën.” Malaj

Pa u mbyllur mirë pasojat negative të krizës 2008-s, pa u konsoliduar disa arritje në uljen e papunësisë dhe rikthimit në rritjet ekonomike, BE dhe eurozona në veçanti, po kalojnë momente të vështira edhe për shkak të krizës shumë dimensionale në Itali. Retë e një krize të re globale po shfaqen në horizont. BE argumenton që vendet e saj dhe, në veçanti, Italia, duhet që nëpërmjet reformave strukturore të rritin produktivitetin e ekonomisë dhe të qëndrueshmërisë së financave publike. Vendosja e disiplinës në menaxhimin e financave publike në Itali, krijon një impakt pozitiv si në raport me institucionet e BE –së dhe në tregjet e kapitaleve. E kundërta është jo produktive dhe e rëndë për qeveritë, të cilat vazhdojnë të rrisin deficitin buxhetor dhe borxhin publik. Në këtë rast institucionet e BE-së bëhen më radikale në qëndrimet e tyre kushtëzuese dhe imponuese. Gjatë përplasjeve publike midis një vendi të BE-së dhe institucioneve të saj, të parët që zgjasin kthetrat për fitime janë agjentët e tregjeve të kapitaleve. Sa më shumë pasiguri prodhon një vend, aq më shumë rritet risku i tij në tregjet e kapitaleve, aq më shtrenjtë ai e blen financimin e ekonomisë së tij. Sa më e ashpër të jetë “lufta midis vendeve të dobëta të BE-së me institucionet e saj dhe sa më shumë të zgjasë ajo aq më të larta do të jenë kostot për taksa-paguesit e tyre. Në këtë aspekt kriza italiane ngjan me krizën greke për nga mënyra e debatueshme që nisi dhe për pasojat që solli debatet e ashpra me institucionet e BE-së. Periudha e “përplasjeve publike” konkludoi me një krizë më të thellë për ekonominë greke dhe kosto më të rënda për taksapaguesit grekë. Italia sot përballet me disa sfida :

  • ka rritje ekonomike anemike vetëm 1.2% nga 2 % rritja mesatare në zonën euro;
  • ka rritje të papunësisë në 32.6% të të rinjve 15-24 vjeç dhe 26.4% për të rinjtë 25-34 ;
  • ka zhgënjim dhe largim të të rinjve duke dëmtuar kapitalin social, në 2017 janë larguar 114 mijë të rinj 24-44 vjeç;
  • produktiviteti i ekonomisë Italiane rezulton më i vogël në krahasim me vendet e tjera të BE-së konkretisht 0.3% kundrejt 1.5% të Gjermanisë, 1.5% të Mbretërisë së Bashkuar dhe 1.4% të Francës.

Disa nga këto probleme kanë përkeqësuar vlerësimin ndërkombëtare për Italianë. Agjencitë e ratingut Fitch dhe S&P kanë përkeqësuar vlerësimin e Italisë. Kjo rrit koston e borxhit publik të saj dhe e bënë të vështirë dhe me kosto sociale të lartë rikthimin e qëndrueshmërisë së financave publike. Pa ndërprerë këtë cikël negative ekonomia italiane ecën drejt përkeqësimit duke krijuar efekte zinxhir negativ edhe në ekonominë e BE-së. Italia është një ekonomi e madhe, ky është edhe dallimi thelbësore me rastin e Greqisë, pesha e Greqisë në PBB-në e BE-së është vetëm 2% , ndërsa ajo Italisë rreth 11.2%. Por ndërsa në rastin e Greqisë ekzistonte edhe opsioni që Greqia mund të dilte jashtë zonës euro pa e kërcënuar ekzistencën e euros, në rastin e Italisë ky opsion nuk ekziston, pasi dalja e Italisë nga eurozona mund të përshpejtoj shpërbërjen e saj. Politikanët italianë e njohin dhe ndoshta disa abuzojnë me këtë “avantazh”. Disa politikanë italianë dhe opinioni publik ne Itali shpesh kanë bërë përgjegjës aplikimin e euros për problemet e tyre ekonomike, sociale dhe buxhetore. Në fakt historia e politikave monetare të BE-së përpara aplikimit të euros vërtetojnë se ekonomia italiane ka qenë e dobët, inflacioni ka qenë më i madh se në çdo vend tjetër, deficiti buxhetor dhe borxhi publik kanë qenë më të mëdha se vendet e tjera të BE-së, për pasojë edhe kostoja e financimit të ekonomisë italiane, ka qenë rreth 400% më e lartë se ajo e borxhit të Gjermanisë. Për të ndihmuar Italinë të ristrukturonte ekonominë e saj drejt një produktiviteti më të lartë dhe konkurrues BE dhe historikisht ka ndjekur një politikë graduale kushtëzuese për të ulur inflacionin, deficitin dhe borxhin. Për një kohë jo te shkurtër brenda eurozonës ekonomia italiane edhe pse me një borxh të lartë, dhe produktivitet të ulët, është financuar me kosto të ulët, afërsisht të barabartë me atë gjerman. Analizat e thelluara profesionale argumentojnë se Italia ka me sistemin e saj bankar probleme më të mprehta se disa vende te BE-së, ku vlerësohet se keq përdorimi i disa prej tyre e ka bërë të kushtueshme për taksa paguesit italiane koston e ristrukturimit të këtyre bankave. Në indeksin global të konkurrencës (GCI-Davos) dhe indeksin e talenteve, Italia ka një renditje jo ambicioze. Italia nuk po investon mjaftueshëm në ekonominë e dijes. Situata politiko-ekonomike e Italisë dhe parashikimet për vitin 2019 rrezikojnë ta fusin Italinë në një spirale të vështirë duke krijuar një mosbesim tek investitorët vendas dhe të huaj. Kjo spirale pesimiste do të kishte efekte negative si:

  • rritja ekonomike do të ngadalësohej më tej;
  • punësimi ulet ;
  • papunësia rritet;
  • konsumin përgjithshëm tkurret;
  • të ardhurat buxhetore ulen;
  • shpenzimet sociale për të zbutur papunësinë dhe varfërinë rriten dhe
  • deficiti buxhetorë, borxhi publik dhe kosto e tyre do të rriten. Pavarësisht faktorëve të rënies së krizës shumë dimensionale të Italisë, ajo nuk mund ta kapërcejë e vetme dhe në kohë të shkurtër këtë krizë.

Ndërsa përkeqësimi i krizës italiane rrezikon të shkaktojë kosto jo të lehta për vetë BE-në. Kostot e panikut dhe mungesa e optimizmit për të ardhmen prodhojnë risqe më të mëdha se çdo kosto tjetër. Italia nuk mund të lihet e vetme dhe aq me pak të braktiset, ajo duhet të asistohet dhe suportohet për ristrukturimin produktive të ekonomisë së saj dhe rikthimin gradual të stabilitetit të financave publike.