Ambiente mbytëse për të gjithë fëmijët që e frekuentojnë

    424
    Janë shumë fëmijë që punojnë në kushte tepër të rënduara, të cilët duke frekuentuar kurset në Qendrën Kombëtare Kulturore të Fëmijëve, rrezikojnë nga momenti në moment jetën në një ndërtesë plot lagështirë dhe me elektricitet të dobët. Në ato ambiente ekziston mundësia që fëmijët të ftohen dhe ata shprehen se nëse do të kishin kushte normale gjithçka do ishte ndryshe. Gjithashtu fëmijët thonë se ajri aty është i domosdoshëm dhe në momentin që nuk ka ajër duhet të hapësh dyert, por klasa është shumë larg derës, kështu që është e pamundur që ambienti të ajroset. Kështu që ndodh që era e rëndë e lagështirës të jetë mbytëse. Sipas njërës prej mësueseve të kësaj qendre frekuentimi nuk ka rënë, sepse në këtë qendër vetëm në kursin e saj janë rreth 60 -70 fëmijë, të ndarë në tri grupe. “Ajo që është shqetësuese është se ka mungesë ambientesh, dhe që kushtet e tyre lënë për të dëshiruar. Në ish-Pallatin e Pionierëve zhvilloheshin të gjithë kurset, gjuhët e huaja, ekzistonin rrethet teknike, aktivitetet sportive, alpinizmi, por sot, këto janë reduktuar”, thotë ajo. “Ka fëmijë që kanë shfaqur shenja të alergjisë, apo të astmës, por dhe fëmijë që kanë pasur dhimbje koke, të cilët ne dhe pse i kemi nxjerrë tek dera, ata nuk kanë vazhduar të frekuentojnë më qendrën”, shprehet mësuesja. Qëllimi kryesor i këtyre punonjësve është që të prezantojnë punët e fëmijëve si brenda dhe jashtë vendit, por ata përballen çdo ditë me probleme jetike. Jeta e tyre është në rrezik. “Sa herë që largohemi nga puna themi: “Edhe sot shpëtuam”, përfundon mësuesja e pikturës. QKKF fillimisht quhej Pallati i Pionierëve, i cili ishte pranë Kinema Mileniumit. Me ardhjen e familjes së Mbretit Zog në Shqipëri në vitin 2007, në këtë pronë u vendos familja mbretërore. Kjo shtëpi është ndërtuar në vitin 1947 me fonde shtetërore e destinuar për fëmijët. Pas largimit nga ish-Pallati i Pionierëve, fëmijët janë zhvendosur te Piramida, më pas pranë Bashkisë së Tiranës, nga aty te Drejtoria e Burgjeve, derisa prej tre vjetësh ndodhen te “21 Dhjetori”. Punonjësit ndihen të mbajtur peng, nuk u është bërë i ditur asnjë lloj ndryshimi për vendqëndrimin përfundimtar, por ata ende kanë shpresë dhe janë në pritje të ndërrimit të zyrave nga Ministria e Kulturës. Të paktën kësaj here mendojnë se kërkesa e tyre nuk do të ngelet në letër, por Qeveria do t’u përgjigjet për të dalë nga gjendja ku është futur QKKF-ja. Përgjegjësi i Bibliotekës së QKKF-s, tregon se ambientet e punës në këtë qendër janë të pamjaftueshme sepse duhet të kishte dhoma dhe për klasa të tjera. Gjithashtu edhe drejtoresha artistike tregon për vështirësitë që ka kaluar ky institucion dhe për kërkesat e njëpasnjëshme që janë bërë për ndryshimin e këtyre ambienteve. “Fillimisht, kemi mbyllur zyrën time sepse rridhte ujë. Kjo ka më shumë se një vit që ka dalë jashtë funksionit, por ato që kanë rëndësi janë klasat e punës”. Sipas saj, duke qenë në një bodrum problemet nisin me radhë. “Pjesa e kabinës është pjesa më e rrezikshme e institucionit, ne nuk kemi asnjë dalje veç derës. Nëse ndodh diçka, ky është rrezik i madh për jetën e fëmijëve”, thotë drejtoresha. Fillimisht, kur janë zhvendosur në këtë institucion, gjendja nuk ka qenë kaq problematike, por duke ardhur e duke u rënduar më tepër. “Kemi bërë shumë kërkesa për të lëvizur, të gjithëve u jemi lutur që të vijnë e t’i shikojnë ambientet, por nuk kemi marrë asnjë përgjigje konkrete për propozimet që kemi bërë. Situata është thënë dhe nga drejtori i mëparshëm. Kur erdhëm këtu kemi qenë me thasë në krahë dhe normalisht ose duhet të vazhdonim, ose duhet të mbyllim qendrën fare. Ky ambient ka qenë një mjet shpëtimi i përkohshëm, kështu ka qenë ideja fillestare, por ne vazhdojmë ende prej tre vjetësh të jemi këtu”, vijon ajo. Fëmijët freskohen ose ngrohen me rezistenca ose freskuese të improvizuara dhe nuk arrijnë të kuptojnë situatën ku gjenden, rëndësi për ta ka argëtimi me bashkëmoshatarët dhe frekuentimi i lëndës që kanë dëshirë. Për këtë pjesë ankohen prindërit, pasi vetëm ata e kuptojnë më mirë situatën se ku fëmijët e tyre përgatiten. 
    Sigal