Alarmante! Popullsia e qarkut Korçë po pakësohet me shpejtësi

106

Lindjet në rënie drastike, vdekjet në rritje, emigrimi maksimal

 

Situatë alarmante në qarkun e Korçës: popullsia po pakësohet me shpejtës; lindjet po pësojnë rënie të frikshme nga viti në vit; vdekjet po tejkalojnë numrin e lindjeve; braktisja e qarkut vazhdon me ritme të larta; norma e fertilitet (numri mesatar i lindjeve për grua), po zbret në minimum; numri i të rinjve po bëhet gjithnjë edhe më i vogël; për të moshuarit nuk ka kush të kujdeset; akomodimi në azil është jo i lehtë dhe me kosto të lartë; papunësia po shënon rekorde të reja; njerëzit rrezikojnë të mbeten pa pension pleqërie. Zyrtarisht qarku i Korçës për vitin 2018 ka shënuar rënien më të thellë në shkallë vendi për numrin e lindjeve. Ku po shkon qyteti i Korçës dhe qarku i Korçës është e vështirë të parashikohet. Në variantin më te keq, braktisja e trojeve do të jetë masive; në rastin më të mirë e di vetëm Zoti. Në vitin 1923, qyteti i Korçës kishte 25.598 banorë, ishte qyteti më i madh i Shqipërisë, popullsia shënonte rritje nga viti në vit. Tashmë gjithçka ka ndryshuar për keq; qarkun e Korçës nuk e ka më zili askush. Shifrat negative nuk janë rastësi, krahasuar me vitet e mëparshme, humnera bëhet edhe më e madhe dhe më e frikshme. Rënia ka vite që ka nisur dhe nuk po ndalet, shifrat negative janë në rritje. Të gjitha këto mësohen nga të dhënat e publikuara së fundmi nga Instituti i Statistikave.

Lindjet po pakësohen, qarku i Korçës në vend të parë

Sipas të dhënave të Institutit të Statistikave për vitin 2018, qarku i Korçës shënoi rënien më të thellë të numrit të lindjeve në shkallë vendi. Krahasuar me vitin 2017 lindjet pësuan rënie me 16%, ndërsa krahasuar me vitin 2011, rënia shkon në 31%. Qarku i Korçës po lë pas gjithë qarqet e tjera për sa u përket shifrave negative. Nga sa kuptohet prej ritmeve të viteve të kaluara, përmirësim nuk do të ketë as në vitet që vijnë. Qarku i Korçës qëndron më poshtë edhe ndaj normave të fertilitetit në krahasim me vendet e zhvilluara. Nëse 2.1 lindje për grua, ruajnë qëndrueshmërinë e popullsisë, në qarkun e Korçës kjo normë ka zbritur në 1.3 lindje për grua, gjë që flet për një rrudhje të frikshme që po i ndodh këtij qarku. Madje edhe ekspertët e demografisë, rënien e numrit të lindjeve në këto nivele e konsiderojnë alarmante, sepse kur fertiliteti zbret në nivele të tilla, hendeku që krijohet mes lindjeve dhe vdekjeve bëhet i pazëvendësueshëm, që do të thotë se ekzistenca si popullatë është e rrezikuar.

Vdekje po rritet, qarku i Korçës në krye të listës

Dhe ndërsa lindjet po pakësohen, numri i vdekjeve po rritet. Referuar burimeve zyrtare të Institutit të Statistikave për vitin 2018, numri i vdekjeve për tremujorin e katërt të këtij viti, e tejkaloi numrin e lindjeve me 154 vetë. Pra, tashmë është fakt që popullsia e Qarkut Korçë po rrudhet me shpejtësi. Shtesa natyrore po shënon vlera negative. Në krahasim me qarqet e tjera të vendit, qarku i Korçës qëndron në krye të listës. Nëse në vitin 2015 qarku i Korçës kishte të regjistruar 220.196 banorë, në një janar të këtij viti rezultuan të regjistruar 207.889 banorë. Rënia ishte e konsiderueshme, me 12.307 banorë. Nëse ecet me këto ritme, mjafton një dekadë që popullsia të përgjysmohet. Arsyet e kësaj situate janë të shumta. Së pari mungon punësimi. Të rinjtë nuk shohin perspektivë për të ardhmen e tyre, ndihen të frikësuar. Si rrugëzgjidhje për ta ka mbetur vetëm emigrimi. Nëse je i papunë dhe nuk siguron dot të ardhura, jeta në qarkun e Korçës është e papërballueshme, pasi dimri është i gjatë dhe kostoja e përballimit e lartë. Për të mos e lënë familjen të gjendet në kolaps, detyrohen ose të emigrojnë ose të shpërngulen drejt qyteteve të tjera të vendit.

 

Projektet e specialistëve për daljen nga kjo gjendje nuk merren parasysh

 

Dy studiues të mirëfilltë, ing. Engjëll Sina dhe agronom Demir Arëza, banorë të qytetit të Korçës, kanë paraqitur në institucionet përgjegjëse studime për punësim por përpjekjet e tyre askush nuk i merr parasysh. Bëhet fjalë për një punësim të përhershëm në përmasa të mëdha të fermerëve të Korçës, duke vënë në punë fabrikat e malterisë në Sovjan të Korçës dhe në fabrikën e alkoolit në Maliq. Vetëm realizimi i këtij projekti për prodhimin e maltos për prodhimin e birrës dhe maltos aktive, prodhimit të mushtit nga patatja, të alkoolit, të niseshtesë dhe të një sërë produktesh të tjera, sigurohet bazës ushqimore për blegtorinë me çmime të leverdishme. Për prodhimin e tyre kërkohet nga fermerët kultivimi i 6.600 tonë patateve industriale në vit; 6.600 tonë panxhar sheqeri në vit; 3000 tonë elb polistik ose grurë në vit; 9.600 tonë elb dyfletësh në vit dhe sasi të konsiderueshme frutash, si: rrush, mollë, kumbulla, dardhë, boçe pishe, ftonj etj. Nga sasia prej 9.600 tonë elb në fund të procesit sigurohet një masë prej rreth 7.488 tonë malto në depozitë (sillozet) e gatshme për t’u tregtuar. Përfundimi: nga 128.2 kg elb distik dyfletësh përfitohen 100 kg malto për birrë. Por me qenë se bëhet fjalë për një biznes të madh që cenon malton që importohet, projekti nuk gjen zgjidhje, sepse pengohet nga oligarkët, ndërsa fermerët vuajnë mungesën e tregut edhe për ato pak prodhime që kultivojnë.

 

OKB-ja bën parashikime, Shqipëria me 500 mijë banorë

 

Mësohet gjithashtu se Organizata e Kombeve të Bashkuara në parashikimet e kryera mbi ecurinë e popullsisë shqiptare, referuar normës së fertilitetit, në variantin pesimist, në Shqipëri në vitin 2100, do të kenë mbetur vetëm 560.000 banorë, ndërsa në variantin normal, parashikon që Shqipëria të jetë e populluar me vetëm 1.600.000 banorë. Kurse sipas një skenari optimist me emigrim zero dhe ecuri normale të normave të fertilitetit, parashikohet që popullsia e vendit në vitin 2100, të jetë 2. 500.000 banorë, nga rreth 2. 9 milionë që ka sot. Pra, edhe skenari pozitiv, (me zero emigracion, që zor se do të jetë i mundur), nuk do të arrijë dot të kapë numrin e popullsisë që Shqipëria ka sot. Kjo do të thotë se edhe 80 vitet e ardhshme nuk do të jenë të lehta, nëse do të vijohet me papunësi, me injorim projektesh të studiuesve dhe mungesë perspektive për të rinjtë. Me kushtet e sotme, varianti se Shqipëria do të ketë pas 80 vitesh 500 mijë banorë, mbetet më afër realitetit.