Aksidentet, rritet primi i riskut për tregun, AMF miraton tabelën e re

555
Sigal

Primi i rrezikut për llogaritjen e nivelit të provigjioneve të sigurimit të detyrueshëm të përgjegjësisë së pronarit të mjetit motorik për dëmet që u shkaktohen palëve të treta nga përdorimi i këtij mjeti për kontratat TPL të sigurimit është rritur në vitin 2019. Rritja e këtij primi është tregues i dy aspekteve. E para është rritur risku i përgjithshëm në treg dhe pjesa që mbulohet tek kontrata kur sigurohet një mjet dhe së dyti përfshin edhe financimin e kontributit të shoqërive për Fondin e Kompensimit që menaxhohet nga Byroja, raporton Monitor. Referuar tabelës me primin e riskut për vitin 2019 ka një rritje që varion nga 500 lekë në 3000 lekë sipas kategorisë së mjetit. Kështu nëse për vitin 2018 një motoçiklete me kubikazh mbi 150 cm3 kishte një prim risku 4500 lekë për vitin 2019 ky prim risku është 5000. Pra nga primi total që llogarit një shoqëri sigurimi për një kontratë që lidh të paktën 5000 lekë duhet të llogariten për dëmet që mund të vijnë nga kjo kontratë si dhe për kontributin që duhet të japë shoqëria tek Fondi i Kompensimit. Për një autoveturë me kubikazh deri në 1600 cm3 primi i rrezikut në vitin 2018 ishte 6500 lekë ndërsa në vitin 2019 ai ka shkuar 7000 lekë. E njëjta gjë vlen edhe për mjetet me kubikazh mbi 1600 cm të cilat nga 9000 lekë që kishin primin e rrezikut vitin e shkuar për këtë vit e kanë 10 mijë lekë. Rritja më e madhe vërehet tek primi i rrezikut për autobusët me mbi 15 vende të cilët nga 27 500 lekë që e kishin primin e rrezikut në vitin 2018 për këtë vit e kanë 30 500 lekë. Për kamionçinat primi i riskut i vitit të shkuar ishte 12 000 lekë ndërkohë që për vitin aktual ajo është llogaritur në 13 000 lekë. Duhet të kuptohet që primi i rrezikut shpreh një mesatare të gjithë tregut çka tregon se një prim nuk mund të jetë më i ulët se kaq. Në vitin 2018 në raport me vitin 2017 pati një ulje të primit mesatar të riskut por që kompanitë nuk reflektuan asnjë ulje të primit tek konsumatorët. Kompanitë e sigurimit nga ana tjetër kanë detyrimin që të përllogarisin primin e riskut të kompanisë së tyre dhe primin e sigurimit të detyrueshëm dhe ta afishojnë atë në faqen e tyre duke i mundësuar kështu konsumatorit që të zgjedhin mes shoqërive që ofrojnë primet më të ulëta.