Akademik Artan Fuga: A ia dalim dot kështu ?

533
Sigal

A ia dalim dot kështu?

Akademik Artan Fuga

 

Tërmeti e ka dëmtuar shumë zonën Tiranë – Durrës – Lezhë.

Dikur e ngacmonim ne tokën në minierat si Manzë, Valiaj, Kurbin, Kërrabë etj. Tani na ngacmon Toka ne dhe na godet papritur.

Histori tjetër kjo!

Por, është mirë që mblidhen ndihma dhe donacione. Është mirë që kërkohet solidaritet i jashtëm. Është mirë që buxheti duhet të ndryshojë. Unë them se deri një miliard euro nga buxheti mund të çlirohen. Jo aq pak sa tani. Si edhe shumë mirë që shteti hëpërhë merr përsipër meremetime, prishjet, rindërtimet.

Po a do ia dali dot gjithmonë që sa herë ka fatkeqësi të tilla natyrore, si tërmetet, shteti të marri kështu përsipër dëmet?

Sado mbrojtëse që të duket ky mekanizëm është parimisht shumë i kufizuar. Imagjinoni sikur të ketë pesë a gjashtë zona katastrofash? Imagjinoni sikur dëmet të ishin edhe më të mëdha. Imagjinoni sikur historia të përsëritej, në mos tani, çka nuk urojmë, por më pas.

Si do t’ia bënte?

Se kjo mund të mos ndodhi kurrë, por pyetja mundet të jetë e vlefshme edhe për nesër.

Nuk do të lodhen të jashtmit së ndihmuari?
Do të na japë Erdogan edhe 500 apartamente të tjera?
Do të mbledhë dot kreu i Islamit në Shqipëri përsëri qindra mijë euro?

Do ta kenë ministrat luksin fatkeq të kthehen në përgjegjës kantieresh?
Do ta ketë kryeministri vuxhutin të takojë çdo ditë njerëz pranë rrënojave apo të vizitojë apartamente me mure të çarë?

Fizikisht nuk mundet.

Pra, nëse kjo e keqe e parë mund të mundet me këtë metodë, një e dytë apo e pestë, se jeta e kombit i ka këto, nuk mund të përballohet kështu.
Afatshkurtër ajo ndofta zgjidh punë, afatmesëm, dhe afatgjatë, është e dështuar.

Jemi të dështuar nëse nuk ndryshojmë mendje, institucione, politika, përqasje!

Sepse e kishim marrë jetën shtruar!

Me lugë në brez!
Detit i kishim hyrë këmbë!
Ishim si në dasmë!

Mos harrojmë se në këtë zonë ku si gjithkund shqiptarët e kishin fituar betejën e ndërtimeve për banesa, ne e rihumbëm atë betejë. Na mundi tërmeti.

A kemi fuqi ta rifitojmë?

Sigurisht kemi, por duhet ta dimë se nuk jemi më njëzet vite më parë.

Çfarë ndodhte atëherë?

Emigranti shqiptar paratë e para që fitonte jashtë vendit i dërgonte në familje për një banesë të re. Tani nuk e bën dot edhe aq kollaj.

Një pjesë e popullsisë i mori banesat e kohës të monizmit thuajse badihava, aty u strehua. Por, tani kur i prishet ajo nuk ka më mjete financiare për banesë alternative.

Të tjerë investuan në banesa paratë që morën nga kthimi i pronave të paraardhësve, nga persekutimi etj. Por edhe ato parà mbaruan.

Të tjera bënë banesa nga paraja e lehtë që ka qenë në qarkullim para krizën financiare të Perëndimit në 2008. Ca nga matrapazllëqe, ca nga trafiqe, ca nga lëndët narkotike, etj. Por, ndërkohë partnerët na e kanë shtrënguar rripin e pantallonave në atë pikë.

Pra kur dëgjon njerëz që thonë se kam hedhur 70 mijë euro në atë apartament, ti pyet veten:

Do t’i gjejë më ky njeri ato mjete financiare për ta ribërë apartamentin e tij?

Po shteti do ia dalë një herë të dytë të marri përsipër shpenzimet?

Prandaj të mendojmë thellë: Ia dalim kështu?

Mos shkojmë përsëri me kokë te muri!!!

Prandaj duhet menduar mekanizma të reja financiare për të përballuar këto katastrofa mortje që këto ditë e kanë lodhur e drobitur shqiptarin!!!

E kanë bërë të shohë me sy të përlotur dhe të nënshtruar çdo specialist që thotë: mban, nuk mban, muratura!

Nuk di a u japin akte ekspertize?

Shohin me shpresë si Mesia çdo administrator që endet aty pari!

Kur është radha ime për të meremetuar? Kaq është pyetja, asgjë më shumë!

Duhen menduar të tjera mekanizma të llogaritjes të riskut. Se jemi treguar komb aventurierësh pakëz, në mos jo kështu, komb naivësh sigurisht!

Prandaj me investime personale nuk ia dalim dot afatgjatë, me investime shtetërore jo se jo. Çfarë duhet bërë?

Duhet një urbanizim i ri.

Pikë.

Në daç dëgjoni, në daç jo!

Përndryshe do të jetë vonë.

Se kështu e kemi zakonin idiot ne! Në nëntor, themi, ah si nuk i vumë gishtin kokës në shtator, në shtator, ah sikur nuk ia vumë gishtin kokës në 1990-n, në 1990n si nuk ia vumë gishtin kokës në 1944-n dhe kështu deri në kohën e Epidamusit!