A e meritojmë lirinë në të cilën na duket se jetojmë? Italia i bën jehonë botimit të romanit “Një sagë e vogël” të shkrimtarit Besnik Mustafaj

576
Sigal

Giuseppe Napolitano, një nga poetët më të rëndësishëm në letërsinë e sotme italiane, shkruan në blogun e tij për romanin “Një sagë e vogël”të Besnik Mustafaj , botuar në Itali te Castelvecchi

Le ta lexojmë si një këngë dashurie drejtuar atdheut, një mbrojtje plot pasion mbi çfarë e fisnikëron shpirtin e atij që atdheut i kushton jetën. Por është edhe meritë e përkthimit të Ceterina Zuccaro-s, nëse ky roman i Besnik Mustafaj lexohet me një frymë dhe e rrëmben vëmendjen e lexuesit ashtu si dendësia e kthjellët e një mjalti të hidhur. Jemi në Shqipëri (një Shqipëri, e cila gjendet pothuaj jashtë historisë, pezull, si në imagjinatën e protagonistit të vogël, në ngjarjet e para të rrëfyera, e më pas në ashpërsinë e realitetit që vijon në faqet e kësaj “Sage të vogël”), dhe mjalti është ndër produktet tipike të kësaj toke, por është i hidhur, pasi ndjesia mbizotëruese e këtyre faqeve është e tillë: Me pak hapësirë për një jetë të qetë, e cila, përkundrazi, është e ndotur nga një sërë pengesash dhe ndalesash që dëmtojnë marrëdhëniet njerëzore.

Mustafaj i quan “Libër” tri pjesët në të cilat e ndan librin e tij, ku ndërton një histori të ndarë në tri momente historike, të mëvetësishme, por njëkohësisht të lidhura mes tyre e të ndara në momente të tjera; ndërsa rrëfimi i tij është i njehsuar, me strukturë të qëndrueshme dhe i pasur me reflektime të thella. Secili nga protagonistët e ngjarjeve të ndryshme duket pak filozof, pasi ka një ide të qartë për jetën dhe do të donte të ishte pjesëmarrës aktiv i saj, por kjo gjë nuk i lejohet gjithsecilit prej tyre. Kështu, burgu i kësaj sage, është i njëjtë me atë që ndien brenda vetes, në atë dimension personal që, në fund (edhe falë kushteve objektive mjedisore, shoqërore e politike) e mbyll njeriun brenda vetes së tij, pa i dhënë mundësinë për të parë bukurinë që gjendet jashtë, apo ia tregon atë të tjetërsuar, të frikshme, me pak fjalë, të shmangshme.

Mbyllja e romanit të Mustafajit është sureale, ndoshta ngaqë është me të vërtetë reale e gjithë historia që rrëfen, e cila, për më tepër, është thuajse një shekull Histori (ajo e vërteta, e madhja, me shkronjë të madhe), e ndarë, edhe pse jo në rend kronologjik, në tri histori (ato të vogla, banale, private, të njerëzve të thjeshtë, me shkronjë të vogël), në periudhën e mbretit, në përfundimin e Luftës së Dytë Botërore dhe nën regjimin komunist: ku përfundoje, në mënyrë të pashmangshme, në burg, nëse shprehje një mendim mbi lirinë apo dinjitetin.

I biri i protagonistit të “librit” të parë, është protagonisti i të dytit, ndërsa në “librin e tretë” të sagës është gruaja e tij, e cila kërkon të sistemojë kujtimet e familjes.` Me tone që, shpeshherë, ngjasojnë me atë të përrallave, Besnik Mustafaj sjell në dritë ngjarje që zakonisht rrezikojnë të mbeten në terr të përhershëm – duke provuar kështu që ekzistenca është (dhe ka qenë) përherë e kushtëzuar nga një rojë burgu, më shumë se nga një ligj. Protagonistët e tri historive që ndërtojnë këtë “Sagë të vogël” kanë, në fakt, një qëllim të përbashkët: Të sqarojnë brenda vetes së tyre natyrën e marrëdhënies së gjithësecilit me burgun që përfaqëson vetë jetën. Megjithëse, në fund të fundit, kjo është çështja në vetvete (dhe në mënyrë paradoksale duket se është i Çmenduri, që gjallëron me praninë e tij ekstravagante skenën e historisë së tretë, që pohon se, pavarësisht nga pamja e jashtme, “diktatura” është gjithnjë aty): Periudhat kalojnë ashtu si edhe regjimet politike, por njeriu mbetet viktimë e natyrës së tij. Si jashtë, ashtu edhe brenda burgut, ai i ngre vetë muret brenda vetes, fillimisht për t’u mbrojtur dhe, më pas, përpiqet me vështirësi që të çlirohet prej tyre, pavarësisht se këtë situatë ia kanë diktuar disa kushte të caktuara të ekzistencës. Një pesimizëm i thellë, laik dhe racional, e udhëheq humanizmin e Mustafajit në rrugëtimet e detit të gjerë të jetës. Në rrëfimtarinë e tij duket sikur është shuar drita e drejtësisë dhe kryeson një forcë e zezë, që synon të bëjë keq, të shkatërrojë çdo shpresë, të shtrembërojë hapat e një rruge, të cilën sapo e ka rrokur pak drita e mirësisë. Duket sikur e vetmja alternativë mbetet një indiferencë “prej guri”, një lloj aftësie për t’u shfaqur si një gur i palëkundur dhe i patundur kundrejt goditjeve të shkaktuara nga ngjarjet, nga dhimbja, nga e keqja. Me sa duket, qëllimi “politik” (deri diku edhe pak pedagogjik) i këtij autori, që nuk dëshiron të harrojë se ka qenë ambasador dhe ministër i vendit të tij, nënkuptohet në të gjitha faqet e kësaj “Sage të vogël”.

Nëse do t’i përmbysnim apo, sidoqoftë, nëse do t’i zbusnim tonet e rrëfimtarisë së tij, mund të mësojmë se vlen më shumë vetëpërmbajtja, shmangia e ëndërrimeve apo e iluzioneve të mëdha, që më pas të shpien drejt zhgënjimit dhe demaskimit të realitetit: Të jetosh me atë që kemi përreth është e vështirë, pa i dhënë shtysa të tepërta zemrës dhe shpirtit. Por ndoshta kemi dhe një mësim për të përftuar sot: A e meritojmë lirinë në të cilën na duket se jetojmë?