A do ta mbajë fjalën e dhënë Kryetari i Bashkisë për rrugën Ersekë – Leskovik

173

Nga Vepror Hasani

 

Që nga vitet 1990 e deri më sot, të gjithë kryebashkiakët e Kolonjës që kanë ardhur dhe kanë ikur, sillnin me vete edhe premtimin e madh: “Do t’ju ndërtojmë rrugën Ersekë-Leskovik!”  Bëhej ky premtim, sepse ndërtimin e rrugës e kërkonte Erseka dhe Leskoviku, banorët e fshatrave rrëzë Gramozit dhe zona poshtë deri në Shën Mërtirit, pa përjashtuar ata që dëshirojnë të shkojnë për biznes apo pushime, në Përmet, Gjirokastër Delvinë apo Sarandë. Megjithatë vitet iknin dhe bashkë me mbarimin e mandatit iknin dhe kryebashkiakët, ndërsa rruga mbetej e pabërë dhe, si për ironi të fatit, të gjithë kryebashkiakët kanë qenë të majtë. Premtimi i bërë në vitet ’90, tashmë ka moshën 30 vjeç. Edhe premtimi u plak, u bë për të dalë në pension.

 

Kryebashkiaku i ri

Por, kryebashkiaku i ri, Erion Isai, që duket se erdhi me një frymë të re, me një impenjim më serioz  dhe këmbëngulje të dukshme, e bëri fakt të kryer ndërtimin e rrugës: “Vitin që vjen, – tha ai, – rruga do të ndërtohet!”. Por a do ta mbajë dot fjalën e dhënë kyebashkiaku i Kolonjës? Këtë nuk e dimë. Duhet të presim ardhjen e pranverës… Kryebashkiaku Isai, tha: “Jemi duke negociuar me qeverinë shqiptare dhe me Fondin Shqiptar të Zhvillimit të Rajoneve.

 

Vlerat arkeologjike/ Nëse rruga do të ishte bërë 30 vjet më parë, Kolonja nuk do të ishte duke i fikur

Në Leskovik, përfund malit të Melesinit gjendet vendbanimi i quajtur “Guri i prerë”; përgjatë rrugës Leskovik-Ersekë, vendbanimi i Kamnikut; në lagjen Evrenezas të fshatit Taçi Lart, vendbanimi i Ambullit;  në fshatin Borovë vendbanimin “Shtëpitë e vjetra” etj. Në të njëjtën kohë mund të njihesh me kalanë e Kamnikut, me kalanë e Barmashit, me kalanë e Borovës, me kalanë e Vrëpskës, kurse në afërsi të fshatit Podë gjendet një shpellë e quajtur “Guva” etj., etj. Dhe këto nuk janë të vetmet vlera që mund të gjeni përgjatë rrugës Ersekë-Leskovik. Leskoviku gjendet mes luginave të Vjosës, Langaricës dhe Sarandoporit. Në të djathtë të luginës Vromoner gurgullojnë burime termale kurative me temperaturë 25-28 gradë celsius, kurse në veriperëndim të fshatit Postenan, prej çarjeve të thella rrjedhin rryma të ngrohta gazrash sulfurore kurative, ndërsa lumi i Vjosës sjell rryma të ngrohta të ajrit detar. Nëse rruga do të ishte bërë 30 vjet më parë, përgjatë rrugës Ersekë-Leskovik-Përmet, numri i bizneseve dhe lokaleve do të ishte shumë më i madh, do të kishte më shumë të punësuar dhe më pak të larguar nga Kolonja e cila është duke u fikur, sepse po braktisja po e gërryen prej vitesh.