46 mijë maturantë i nënshtrohen sot provimit në gjuhë-letërsi

    394
    Rreth 46 mijë maturantë në mbarë vendin do t’i nënshtrohen ditën e sotme provimit të gjuhës shqipe dhe letërsisë. Testi për provimin përbëhet nga 25 pyetje e në total ka 50 pikë dhe maturanti duhet të marrë minimalisht 20% të pikëve, në të kundërt, nuk konsiderohet kalues. Ndërkaq, provimi i gjuhës shqipe dhe letërsisë do të fillojë në orën 10:00 dhe do të zgjasë 2 orë e 30 minuta.
    Rregullorja e Maturës Shtetërore përcakton se nxënësit e kanë detyrim që në ditën që do zhvillohen provimet e maturës, të paraqiten në mjedisit e provimit 1 orë e 30 minuta përpara fillimit të provimit. Në këtë kohë kryhet identifikimi i tyre, hyrja në mjediset e provimit, sistemimi i tyre nëpër vende si dhe leximi i rregullave për zhvillimin e provimit. 
    Hyrja, shpërndarja dhe sistemimi i çdo kandidati nëpër salla bëhet duke ndjekur rigorozisht rendin zbritës të listës emërore të dërguar nga Agjencia Kombëtare e Provimeve. Testi mund të plotësohet vetëm me stilolaps me ngjyrë të zezë ose blu, për çdo ngjyrë tjetër ka penalizime. Provimet e tjera të detyruara do të jepen: Matematika më 9 qershor, Provimet me zgjedhje më 19 qershor. 
    Sigal