120 laboratorët mjekësorë, në “thonjtë” e monopolit të urdhëruar “Beqaj”, jashtë loje 320 laboratorë privat

    985
    Laboratorët mjekësorë në spitale, poliklinika, qendra diagnostikuese e kudo ku ndodhen, që prej shtatorit 2015, nuk do të jenë më pronë shtetërore si strukturë e shërbimit mjekësor, por do të tjetërsohen në shërbim privat, monopol. Kjo skemë monopoli është diskutuar në 16 korrik 2014, në Komisionin Parlamentar të Ekonomisë, ku ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj ka kërkuar me ngulm, që shërbimi i laboratorëve mjekësorë, të kalojë në shërbim me koncesion. Madje ka dhënë si referencë edhe emrin e personit (V.Ll), i cili sipas ministrit Beqaj, do të jetë monopolisti koncesionar i laboratorëve të sistemit mjekësor në Shqipëri. Komisioni parlamentar, ka pranuar dhe ka miratuar “idenë” e ministrit Beqaj, duke i hapur rrugë projektit të kalimit të laboratorëve me koncesion. 
    Takimi/ 20 përfaqësues spitalesh në ministri, mbledhje pa të drejtë… fjale!
    Me një instruktazh të bërë prej ministrit Ilir Beqaj, ditën e mërkurë, zv/ministrja Milva Ikonomi ka mbledhur urgjent 20 përfaqësues spitalesh rajonalë e të spitaleve të disa rretheve kryesore të vendit, me të cilët ka zhvilluar një seancë dëgjimore startuese, për të dhënë mendime mbi koncesionin e laboratorëve mjekësorë. Por atyre, nuk u është dhënë fjala të thonë mendimin e tyre. Madje kush ka guxuar të flasë, zv/ministrja Ikonomi u ka kujtuar “porosinë” e ministrit Beqaj, që “gjenden aty vetëm të miratojnë idenë dhe projektin e koncesionit”. Troç, ata ishin thirrur për të miratuar verbalisht e jo për të debatuar rreth këtij problemi madhor për shërbimin mjekësor të popullatës, prej nga nis çdo trajtim i mëtejshëm përcaktues mjekësor i tyre. Kaq ka mjaftuar, që pjesëmarrësit në mbledhje ta konsiderojnë këtë qëndrim diktat të ministrit, duke abandonuar mbledhjen e “prenotuar” nga ministri Beqaj. Të 20 përfaqësuesit në mbledhje, kanë vendosur të mos e njohin e të mos e miratojnë këtë aventurë të ministrit, mbasi dhënia e laboratorëve me koncesion, nuk zgjidh shërbimin cilësor e tarifor lehtësues për popullatën, por e rëndon atë. Në mbledhje, 20 përfaqësuesve mjekësorë të rajoneve, u është kërkuar të mos bëjnë publik idenë dhe projektin për privatizimin e laboratorëve mjekësor të sistemit mjekësor shtetëror dhe as se çfarë ndodhi në mbledhje. 
    Çfarë parashikon skema monopoliste “Beqaj” për laboratorët
    Burime nga Ministria e Shëndetësisë, informuan për gazetën “Telegraf”, detaje lidhur me skemën e privatizimit të laboratorëve. Sipas kësaj skeme, pas marrjes së licencës koncesionare prej një klienti të paracaktuar (V.Ll), do të kalohet në dhënien falas të ndërtesave të laboratorëve, të klinikave laboratorike e të pjesëve të krejt klinikave dhe ambulancave të qyteteve e zonave, ku ka të tillë. Do të jetë një model koncesioni tip “CEZ”, ku do të jepet gjithçka falas, për llogari të privatit, si strukturë koncesioni. Shteti do të përfitojë vetëm 20% të koncesionit, privati do të përfitojë 45% të fitimeve, ndërsa pjesa tjetër prej 35%, prej 10 vitesh, gjoja do të përdoret për investime në objekte e pajisje modernizimi të laboratorëve. Pas kalimit në pronësi të objekteve të laboratorëve e të pajisjeve, koncesionari do të centralizojë bërjen e analizave në një dorë të vetëm, nën të njëjtin “sigël”. Sipas skemës “Beqaj”, ku flitet se edhe ai do të jetë një nga aksionerët e këtij koncesioni në masën 10%, asnjë spital publik nuk do të pranojë analiza nga asnjë laborator tjetër privat, përveç analizave të bëra prej laboratorëve të këtij koncesioni. Kjo përbën një goditje për biznesin privat. Tjetër plan monopolizimi, do të jetë fakti, që asnjë qendër shëndetësore, spital, klinikë, poliklinikë e shërbim tjetër mjekësor shtetëror, nuk do të ketë laboratorë, por do të kalojnë me koncesion dhe çdo shërbim që ka qytetari në këto qendra, më parë duhet të bëjë analizat vetëm në laboratorët e monopolit koncesionar. Tjetër goditje, që do të japë koncesioni monopol është fakti, se 6 muaj pas marrjes së licencës me gjithë “fuqinë punëtore” brenda (laborantët), koncesionari ka parashikuar të largojë nga puna afro 520 laborantë dhe 210 punonjës ndihmës, që punojnë aktualisht aty e që pas licencimit, kalojnë si punonjës të koncesionarit, duke u shkëputur nga struktura shtetërore e punësimit. Sipas skemës së centralizimit të analizave, me burim vetëm koncesionarin, dalin jashtë loje 320 laboratorë të licencuar privat, që shërbejnë në gjithë vendin, 85% e të cilëve, sipas shoqatës së laborantëve, kanë marrë kredi për të blerë objekte, pajisje e lëndë të para shërbimi. 
    120 laboratorë shtetërorë, të degraduar qëllimisht, për të përligjur koncesionin
    Ka një marifet tjetër, që ka përdorur ministri Beqaj, për të justifikuar kërkesën këmbëngulëse në Komisionin Parlamentar të Ekonomisë, për t’i hapur rrugë koncesionit të inskenuar. Aktualisht, sistemi mjekësor shqiptar ka 120 laboratorë aktiv, pavarësisht gjendjes së tyre mjerane, në mëse 50 laboratorë në Tiranë, qytete, rrethe e qarqe, madje edhe brenda në spitale. P.sh, në Qendrën e Higjienës dhe Epidemiologjisë, laboratorët bakteorologjikë kanë degraduar plotësisht, aq sa nuk mund të bësh dot as analiza të plota e të sakta uji. Në 70% të laboratorëve të spitaleve e poliklinikave, mungon furnizimi me “kite” dhe me afro 90% të bazës materiale, të nevojshme për të bërë analiza të plota e të sakta. Vetë drejtuesit e spitaleve, me urdhër të ministrit Beqaj, kanë përjashtuar nga planifikimi i buxhetit vjetor të spitaleve, klinikave e poliklinikave rajonale e të rretheve, fondin e detyrueshëm për laboratorët, duke i lënë ato pa investime e pa financime, me tenderë për bazë materiale e pajisjesh, që i bëjnë në ministri, në kontrollin e plotë të ministrit Beqaj, duke postuar bordet e qendrave shëndetësore rajonale e spitalore. Në shumë laboratorë, me urdhër të ministrit Beqaj, janë hequr qëllimisht specialistët laboratorik klinik-biokimik, duke i transferuar ose duke u suprimuar vendet e punës në laboratorë. Ashtu si edhe në shumë laboratorë, ku janë larguar mjekë specialistë e janë punësuar mësues biokimie! Një tjetër degradim i laboratorëve është në aspektin e godinave e mjediseve të brendshme, ku 60% e laboratorëve në spitale, nuk plotësojnë kushtin as për të qenë magazina mallrash. E gjithë kjo gjendje është krijuar dhe ka ardhur në degradim qëllimisht, për të përligjur koncesionin e laboratorëve, që tashmë ka dalë sheshit, se është skemë e paramenduar korrupsioni e ministrit Beqaj dhe ortakëve të tij të vjetër e të rinj brenda dhe jashtë sistemit shëndetësor shqiptar. 
    Ja laboratorët qendror mjekësorë në Tiranë, që do privatizohen
    Laborator Spitali nr. 1
    Laborator Spitali nr. 2
    Laborator Pediatria
    Laborator Onkologjiku
    Laborator Infektivi
    Laborator Sanatoriumi
    Laborator Materniteti 1
    Laborator Materniteti 2
    Laborator Poliklinika 1
    Laborator Poliklinika 2
    Laborator Poliklinika 3
    Laborator Poliklinika 4
    Laborator Poliklinika 5
    Laborator Poliklinika 6
    Laborator Poliklinika 7
    Laborator Poliklinika 8
    Laborator Poliklinika 9
    Laborator Poliklinika 9
    Laboratorë Spitali Traumës 
    Laboratorë Urgjenca Qendrore
    Laborator Poliklinika Qendrore Tiranë
    Laborator Dispanceria Tiranë
    Në qarqe do privatizohen 
    • 7 laboratorët klinik-biokimik Gjirokastër
    • 9 laboratorët klinik-biokimik Shkodër
    • 10 Laboratorët klinik-biokimik Elbasan
    • 10 Laboratorët klinik-biokimik Fier
    • 5 laboratorët klinik-biokimik Lezhë
    • 7 laboratorët klinik-biokimik Kukës
    • 4 laboratorët klinik-biokimik Dibër
    • 9 laboratorët klinik-biokimik Korçë
    • 8 laboratorët klinik-biokimik Vlorë
    • 5 laboratorët klinik-biokimik Berat
    • 10 laboratorët klinik-biokimik Durrës
    Sigal