10-vjet Universiteti “Marin Barleti”, bota e dijes në ceremoninë e 7-të të diplomimit

    575
    Dje,UMB ishte në festë! Në ambientet e Muzeut Historik Kombëtar, u zhvillua ceremonia e diplomimit (viti i 7-të) të studentëve të vitit mësimor 2014-2015. Në këtë ceremoni të cilën e hapi Rektori i Universitetit, Prof. Marenglen Spiro, merrnin pjesë pedagogë, ish-Presidenti Rexhep Meidani, akademiku Luan Omari, studentë, të afërm të studentëve, gazetarë, poetë, shkrimtarë dhe miq të këtij universiteti prestigjioz. Një atmosferë tejet e bukur, ku shihje gëzim, përqafime, duartrokitje, përgëzime, por edhe lot gëzimi. Në 10 vjet, në këtë Universitet janë diplomuar plot 2000 studentë, ndërsa dje, morën diplomat 149 studentë të vitit mësimor, 2014-2015. Një atmosferë e ndezur, e bukur plot emocion, ku u diplomuan studentë në drejtësi, shkenca politike, financë-kontabël, administrim biznesi, menaxhim, informatikë, psikologji, sociologji, administrim publik, menaxhim i burimeve njerëzore. Kjo festë “mori zjarr” në momentin kur do ndaheshin diplomat dhe studentët flakëruan në ajër kapelat e studentit të mbarimit të studimeve. Një moment që nuk mund të përshkruhet. 

    “Universiteti Marin Barleti”
    Institucioni jopublik i arsimit të lartë SHLUJ “Universiteti Marin Barleti” është i licencuar me Vendim të Këshillit të Ministrave Nr. 571 datë 25.09.2005 dhe i akredituar me Urdhrin Nr. 288 datë 04.09.2009 të Ministrit të Arsimit dhe Shkencës sipas ligjit nr. 9741, datë 21.05.2007 “Për Arsimin e Lartë në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar. Ideja e krijimit të një universiteti në mjediset e “Ballkan”, një qendër çlodhjeje dhe argëtimi shumë e njohur për kryeqytetasit, ishte e vetë Presidentit të qendrës, z. Gafur Dudaj, dhe miqve të tij. Për të realizuar këtë ide, në tetor të vitit 2004, me iniciativën e z. Gafur u ngrit një grup nismëtar, i përbërë nga tre profesorë me përvojë të gjatë në arsimin e lartë, profesorët: Nikolla Dhamo, Gëzim Hadaj dhe Ali Dhrimo. Krahas punës shumë të kujdesshme për hartimin e kurrikulave të një universiteti të ri në frymën e Deklaratës së Bolonjës, grupi nismëtar i kushtoi vëmendje të posaçme edhe pagëzimit të këtij institucioni. Jo rastësisht ai zgjodhi emrin e historianit të njohur shqiptar Marin Barleti (1460-1513) i cili është një nga figurat më të rëndësishme të brezit të humanistëve shqiptarë të shekujve XV-XVI. 

    Sa qe gjallë, ai u bë i famshëm me botimin e kryeveprës së tij në Romë, rreth viteve 1508-1510. Ajo rrëfente historinë e Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu (1405-1468), i cili u bëri ballë forcave pushtuese osmane për më shumë se 25 vjet, duke kthyer në një figurë të njohur botërisht, që bashkoi dhe udhëhoqi një popull të vogël në luftën kundër ushtrisë më të fuqishme të kohës. Legjenda e Skënderbeut u kthye në një simbol evropian të lirisë. Marin Barleti mbetet një përfaqësues i rëndësishëm dhe frymëzues i humanistëve të kohës se tij. Universiteti ynë është krenar që mban emrin e tij. Vizioni i UMB-së është përqasja e një institucioni lider, i cili do të mund të ofrojë një edukim ndërdisiplinor dhe një mjedis social aktiv, ku së bashku me përgatitjen e individëve me integritet hidhen edhe bazat e përgatitjes për jetën dhe projektimin e karrierës së ardhshme. Misioni i UMB-së është të përgatisë një gjeneratë të re individësh të cilët t’i paraprijnë zhvillimeve të shpejta ndërkombëtare në përgjithësi por edhe të përshtatin e orientojnë zhvillimet në shoqërinë tonë në veçanti. Qëllim i UMB-së është që në procesin e mësimnxënies dhe atë të mësimdhënies të trupëzojë një kombinim perfekt të traditës më të mirë me tendencat më të reja në didaktikë, me synimin që të krijojë mënyra dhe mjete të cilat ndihmojnë në shfrytëzimin e burimeve për të mësuar dhe lehtësojnë bashkëpunimin dhe komunikimin. Përpos këtyre, UMB-ja u përmbahet dhe do të vazhdojë t’u përmbahet me rigorozitet parimeve didaktike dhe veprimeve që sigurojnë:

    • Përgatitjen e studentëve për t’u përfshirë në kurrikula universitare ndërkombëtare. • Vlerësimin e paanshëm dhe korrekt të të nxënit dhe përdorimin e të dhënave vlerësuese për përmirësimin e procesit mësimnxënie-mësimdhënie, të vetë kurrikulave dhe të këshillimit dhe shërbimit ndaj studentëve.• Ngushtimin e dallimeve midis teorisë dhe praktikës.• Zhvillimin e aftësive komunikuese dhe të menduarit kritik, bashkëpunimin dhe shpirtin novator, të orientuara gjithmonë nga cilësia akademike, përsosmëria dhe kushtet optimale për të rinjtë, si dhe interesat e tyre.

    Një Universitet, i cili kontribuon jo vetëm për arsimin dhe shkencën, por edhe për sportin
    Një ndër risitë qe ofron dhe disponon UMB është hapja e ekipit të volejbollit, i cili është i vetmi universitet në Shqipëri qe e ofron këtë mundësi. Do dëshiroja të zgjatem pak në këtë pikë duke qenë se jam pjesë e universitetit dhe pjesë e ekipit Barleti Volej është themeluar nga momenti i parë që është strukturuar dhe vetë universiteti. Ekipi që ka pasur UMB ndër vite ka qenë nder ekipet me te mira të vendit tonë, gjithashtu ka pasur trajnerët dhe lojtarët më në zë të vendit. Në dy vitet e fundit është shpallur kampion i Shqipërisë në volejboll për femra por dhe kupat në evente të ndryshme që janë zhvilluar janë fituar nga vajzat e Barleti Volej. Ekipi i volejbollit e bën akoma më interesant universitetin duke stimuluar pasionet dhe profesionalizmin sportiv përveç atij didaktik dhe intelektual. Që nga themelimi UMB është konceptuar të rrethojë dhe të plotësojë me dije individualitetin e çdo studenti duke zbuluar e stimuluar talentet e tyre, por edhe për të zhvilluar kritikën konstruktive ndaj secilit student.
    Strategjitë e ndjekura për implementimin e bashkëpunimit ndërkombëtar

    SHLUJ “Universiteti Marin Barleti” nuk do kishte pasur një rritje kaq domethënëse dhe cilësore nëse nuk do të kishte ndjekur një strategji të caktuar e cila duhej bazuar në një plan studimor të mirëfilltë. Për të përmbushur këto qëllime dhe objektiva, UMB-ja mbështetet në një filozofi sipas të cilës strategjia hartohet dhe implementohet në bazë të avantazheve që disponohen. Drejtuesit e UMB-së kanë pasur parasysh që në fillim, pra që me hapjen e universitetit, se për funksionimin e një Institucioni të Arsimit të Lartë (IAL) cilësia akademike duhet të jetë në themel të çdo strategjie. Hapa konkretë u bënë edhe në drejtim të vendosjes së kontakteve me partnerë dhe grupe të caktuara interesi. Kështu u vendosën kontakte me partnerë të mundshëm nga komuniteti i biznesit si p.sh. me BKT (me të cilën u arrit marrëveshje për akordimin e dy bursave për dy studente te UMB-së për vitin akademik 2006-2007) dhe me Pierson Education, lider botëror në botimin e librave shkollorë me qëllim fillimin e një bashkëpunimi në botimin e teksteve mësimore dhe materialeve te tjera didaktike për UMB-në. Në fushën akademike, u fillua me rekrutimin e një stafi sa më cilësor, me një kombinim të moshave: pedagogë me eksperiencë shumëvjeçare, lektorë të huaj të ftuar nga institucione prestigjioze akademike dhe të rinj të shkolluar në vende perëndimore, të cilët, së bashku me metodologjinë dhe teknologjinë më të re të mësimdhënies, kanë sjellë edhe eksperiencat e tyre nga universitete të ndryshme të botës. 

    Në kontekstin shqiptar, SHLUJ UMB dallohet për sa i përket synimit për të kombinuar principet e shkollës liberale klasike me idealet e tij për opinion të pavarur kritik dhe mendimin e lirë, me cilësitë themelore të mendjes dhe shpirtin e sipërmarrësit, që mund të shfrytëzohen për të nxitur përparime personale dhe profesionale, si dhe duke parë e duke iu afruar botës në një mënyrë që vërtet ndihmon të tjerët. Duke ofruar programe studimi dhe profile, duke përfshirë stazh dhe përvojë praktike pune në industri dhe tregti, diplomat e SHLUJ UMB kombinojnë sfidën akademike me trajnimin dhe aftësitë që do t’i pajisin studentët për punësim në të ardhmen, si dhe t’i lejojnë ata të jenë ambasadorë të fuqishëm për Shqipërinë në shoqërinë evropiane e më gjerë.
    Stafi akademik
    Çdo universitet vlerësohet nga disa faktorë, por është e qartë që stafi akademik është elementi më kryesor nga i cili varen në mënyrë të ndjeshme rezultatet.Universiteti “Marin Barleti” u themelua duke e mbajtur parasysh këtë element. UMB angazhoi që në fillimin e tij personalitete të fushave si: akademikun Luan Omari, Prof. Ali Dhrimo, Prof.Dr. Nikolla Dhamo, Prof.Dr. Gezim Hadaj, Prof.Dr. Mina Naqo, Prof.Dr.Viktor Kabili, Prof.Dr. Rahmi Memushaj, As.Prof. Katina Drenova, As.Prof. Flutura Kalaja, Prof.Dr. Arben Vërçuni, As.Prof. Drini Salko, etj. Drejtimi i universitetit iu besua profesorëve me përvojë mbi 25 vjeçare në arsimin e lartë: rektor i universitetit u emërua Prof. Dr. Nikolla Dhamo, dekan i fakultetit u emërua Prof Dr. Ali Dhrimo, përgjegjës i departamentit të gjuhëve moderne u emërua Prof. Dr. Gëzim Hadaj, më pas u emëruan dekan i fakultetit të shkencave humane Prof.As. L. Hajdaraga prorektore e universitetit dhe përgjegjëse e departamentit të shkencave politike Dr. Zamira Çavo, përgjegjës i departamentit të marketingut Prof.Dr. Bardhyl Çeku, përgjegjës i departamentit të financë-kontabilitetit Prof. Dr. Jorgji Bollano, përgjegjës i departamentit të menaxhimit Dr. Gjin Biba, kancelare e universitetit Dr. Semiha Loca, etj. 

    Pjesë e stafit akademik u bënë edhe të rinj që kishin kryer studimet universitare apo/dhe pasuniversitare në perëndim, të cilët të pajisur me metodat më të fundit të mësimdhënies i dhanë UMB-së një profil bashkëkohor duke e mbajtur në ritmin e zhvillimeve perëndimore të arsimit te larte. Stafi akademik i SHLUJ UMB trajnohet në mënyrë të vazhdueshme dhe asistohet në realizimin e kualifikimeve brenda dhe jashtë institucionit, brenda dhe jashtë vendit, në lidhje me zhvillimet e fundit mbi kërkimin shkencor si dhe teknologjinë e kërkimit. E gjithë veprimtaria kërkimore si dhe kualifikimet e stafit pasqyrohen dhe do të vazhdojnë të pasqyrohen në azhurnimin në mënyrë të vazhdueshme të kurrikulave të BIRD UMB. Ndër vite ky staf erdhi e u pasurua duke siguruar një cilësi mjaft të mirë të krahasueshme me universitete në zë brenda apo jashtë vendit.
    Lektorë të huaj dhe leksione të hapura
    Që në vitin e dytë të jetës së tij Universiteti “Marin Barleti” ka filluar programin e leksioneve me personalitete të huaja në fushat e studimit që ofron universiteti. Po kështu ka dhe një platformë për zhvillimin e leksioneve të hapura me personalitete të larta të shkencës e politikës brenda vendit.
    Sigal