Ilir Shaqiri është një nga balerinët më të njohur e me të suksesshëm shqiptarë, fama e së cilit ka kapërcyer kufijtë. Prindërit e tij e kanë ushqyer me dashurinë për baletin që fëmijë, pasi janë dy balerinë të njohur të Teatrit të Operas dhe Baletit.

Pas pjesëmarrjes në emisonet e “Amici”, “Buona Domenica” e shumë të tjera, prej disa vitesh ai është prezent edhe në Shqipëri, si anëtar i jurisë së spektaklit  “Dancing with the stars”.

I ftuar në emisionin “Rudina” në televizionin “Klan”, Shaqiri kujtoi fillimet e vështira të karrierës në vendin fqinj.

“Në ato vite në Itali, ishte vetëm fama e hajdutit dhe kriminelit. Pasi triumfova në kërcim, erdhi dhe fama e balerinit shqiptar. Ishte një satisfaksion i jashtëzakonshëm jo vetëm për mua, por edhe për vendin që prezantoja. Ishin vite shumë të vështira. Kur prezantohesha se isha shqiptar, më shihnin si shqiptari që ka ardhur t’i vjedhë” – tregoi Ilir Shaqiri.