Shqiptarët në Europë kanë një detyrë sonte

109

Sonte në mbrëmje, në orën 21:00, do të mbahet nata e dytë e Eurovisionit. Emocionet janë të shumta, pasi në këtë natë do të performojë edhe përfaqësuesja e Shqipërisë, Jonida Maliqi. Detyra e shqiptarëve në Europë është që të mbështesin Shqipërisë, duke votuar numrin 14 dhe kështu do ti sigurojnë Jonidës biletën për në finalen e madhe të 18 majit. Konkurenca e sotme është e madhe, pasi në garë janë shtete si: Holanda, Rusia, Malta, Suedia, Zvicra, Armenia, të cilat biletën për në finalen e madhe e kanë të sigurtë. ”Ktheju Tokës”, me mesazh për shqiptarët që ti rikthehen tokës, pritet të dhurojë emocione të jashtëzakonshme në skenën e madhe të Tel Avivit në Izrael.

Pikët

Janë gjithsej 18 shtete që do të garojnë këtë mbrëmje, ndërsa vetëm 10 prej tyre do të arrijnë të kualifikohen në finalen e madhe të 18 majit. Transmetuesi publik i çdo vendi ka emëruar pesë profesionistë të industrisë muzikore si anëtarë të jurisë për të hedhur votën e tyre. Renditjet e tyre janë të kombinuara për çdo vend, ku këngët më popullore marrin 12 pikë, të tjerët marrin 10, pastaj 8, 7 dhe kështu me radhë, deri në 1 pikë për këngën e tyre më të preferuar. Juritë vendosin pikët e tyre bazuar në katër elementë kryesorë: Vokali i këngëtarit, performanca në skenë, përbërja dhe origjinaliteti i këngës, si dhe përshtypja e përgjithshme e aktit.

Paraqitja e Jonidës

Këngëtarja do të jetë e veshur me një fustan të zi të zbukuruar me ar. Detajet e fustanit janë unike, pasi përfaqësojnë Shqipërinë. Bizhutë e fustanit përfaqësojnë periudhën ilire dhe fustani ka formën e xhubletës, traditë e Shqipërisë. Skena e errët me ngjyrën e kaltër dhe të kuqe, nxjerrin në pah performancën e fuqishme të Jonidës. ”Ktheju Tokës” është një histori emigrimi, një thirrje për t’iu rikthyer tokës. Sigurisht në performancën e sotme, nuk do të mungojnë imazhet e zjarrit dhe shiut.

Votoni nr 14