“Sherr” me Blushin/ Në krah të Arbana Osmanit edhe Vjollca Hoxha

274

Lajmi se Arbana Osmani nuk do të jetë më pjesë e Top Channel bëri xhiron e rrjeteve sociale. Portalet shkruan se pas sherrit me drejtorin, Ben Blushi, moderatorja kishte hequr dorë nga emisioni i saj, duke u larguar nga televizioni ku dhe nisi karrierën gati dy dekada më parë. Arsyet e konfliktit nuk bëhen me dije, por burime nga Top Channel, bëjnë me dije se rregullat e reja që drejtori Blushi ka vendosur, nuk i shkojnë shumë për shtat Arbanës, e cila është ndër ikonat e këtij televizioni.

Asnjë nga palët nuk patën një reagim zyrtarë, duke shtuar edhe më shumë dyshimet se Arbana tashmë ishte larguar nga Top Media. Bëhet me dije se kanë qenë negociata të gjata me stafin drejtues për të bindur moderatoren të vijojë punën e saj si moderatorja e emisionit “Dua të të bëj të lumtur”. Burimet bëjnë me dije se ka qenë edhe ndërhyrja e vetë Vjollca Hoxhës, ajo që e ka bindur Arbanën të vijojë formatin aq të dashur për shqiptarët. Mbetet për t’u parë nëse Arbana do të vijojë të jetë ende në Top Channel edhe pas përfundimit të spektaklit, ku prezantuesja është edhe autore.