Sigal

Robert De Niro ka marrë Yllin e Artë nga miku i tij prej gati një jete, Martin Scorsese. De Niro ka marrë çmim karriere përgjatë natës së parë në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit, i cili është duke u zhvilluar në Marakesh të Marokut.

”Mund të themi që është kulmi i karrierës së Robertit, veçse ai djalë ka më shumë kulme se zinxhiri i Atlantikut! E kemi filluar bashkëpunimin me njëri-tjetrin 45 vite më parë dhe besoj se është një ndër ngjarjet më të bukura të jetës time”, tha Scorsese.
De Niro më pas ka gjetur rastin për të sulmuar “nacionalizmin grotesk” të SHBA në periudhën e Trump-it. Me “Taxi Driver”, fitues i Palmës së Artë në Festivalin e Kanës në vitin 1976 dhe më pas me “Raging Bull”, që i dha Oscar-in në vitin 1981, solidariteti mes De Niros dhe Scorseses, të rritur në të njëjtën lagje të New York-ut, është konsoliduar gjithnjë e më shumë, deri tek bashkëpunimi i tyre i fundit, filmi “Irishman”, filmi i 9-të i bashkëpunimit Scorsese-De Niro, i cili pritet të dalë në muajt e parë të 2019-ës.

Ylli i vërtetë i ditës së parë të Festivalit XVII të Marakeshit, i cili do të zgjasë deri më 8 dhjetor ishte Robert De Niro, 75-vjeçari, i cili u tregua mjaft i përzemërt me fansat, duke firmosur autografe.

Aktori ka kujtuar gjithashtu me nostalgji Bernardo Bertoluccin, i cili ndërroi jetë më 26 nëntor dhe me të cilin në vitin 1976 ka xhiruar filmin e famshëm “Novecento”.