Rama padit Haradinajn në ditën e masakrës së Reçakut

486
Sigal

 

Kryeministri Edi Rama padit Ramush Haradinajn për shpifje: Dil dhe përgënjeshtro çfarë ke thënë

 

Kryeministri Edi Rama ka paditur homologun e tij në largim në Kosovë, Ramush Haradinajn, për shpifje. Mediat kosovare shkruajnë se Rama e ka dorëzuar padinë, ditën e djeshme, në Gjykatën Themelore në Prishtinë. Në padinë prej 30 faqesh, kryeministri Edi Rama pretendon se Ramush Haradinaj ka shpifur ndaj tij, nëpërmjet deklaratave publike, ku ka folur për shkëmbime territoresh. Rama nuk ka caktuar shumën e dëmshpërblimit që kërkon, por përveç kompensimit të dëmit kërkon që Haradinaj të dalë dhe të përgënjeshtrojë publikisht deklaratat që kryeministri shqiptar, i quan shpifje. Në padi janë të shkruara edhe fjalët që Haradinaj ka deklaruar nëpër emisione të ndryshme, për të cilat Rama shprehet se kanë pasur në kontekst përgatitjet për procesin e dialogut mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë e jo shkëmbim territoresh mes Kosovës dhe Serbisë.

Reagon Haradinaj pas padisë së Ramës: Do t’i përgjigjem sipas ligjit

Ramush Haradinaj: Sot është raportuar në media se Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama ka deponuar padi kundër meje në Gjykatë. Unë, sipas ligjit, do të përgatit përgjigje në padi, në afatet e përcaktuara ligjore! Padia e Kryeministrit Rama është plotësisht e pabazuar dhe një diversion politik që bëhet nga ana e tij, që të fshihet pas dramave mediale dhe t’i ikë përgjegjësisë. Kombi ynë dhe Kosova ka njerëz që i dalin zot në çdo kohë.

Reagime për padinë e Ramës ndaj Ramush Haradinaj

Kryeministri Rama padit Haradinaj në Ditën e Memories së Masakrës së Rajcakut

Buzhala: I poshtër, dëm të jashtëzakonshëm në raportet Kosovë-Shqipëri

Analisti kosovar, Berat Buzhala, ka ironizuar kryeministrin Rama pasi ky i fundit paditi dje kryeministrin në detyrë të Kosovës, Ramush Haradinaj, Analisti kosovar, Berat Buzhala: “Khuuu, erdhëm në ditë që Kryeministri i Shqipërisë me e paditë Kryeministrin e Kosovës, kurse Presidentin e Serbisë me e shëtitë nëpër ekskursion nëpër familjet shqiptare. Rama është i çmendur (edhe i poshtër), këtu nuk ka dyshim, mirëpo demi që jau ka bo raporteve Kosovë – Shqipëri, është enorm. Kjo është e tmerrshme. E pabesueshme. Bizare. Mizore.

Vasili: Turp historik dhe damkë tradhtie, që do ta shoqërojë gjithë jetën

Tradhti! Kështu e konsideron nënkryetari i LSI, Petrit Vasili padinë e kryeministrit Edi Rama ndaj Ramush Haradinajt. Sipas Vasilit, Vuçiç nuk e njeh Reçakun dhe Rama, ndërsa përkujtohet kjo masakër padit Haradinajn që ka derdhur gjak për Kosovën. Petrit Vasili, ish-ministër i Drejtësisë: Tradhtia: Ndërsa përkujtohet Reçaku Rama padit Haradinaj! Edi Rama kryeministri i shtetit amë Shqipërisë tradhtisht dhe pabesisht padit luftëtarin Ramush Haradinaj. Vuçiç nuk e njeh Reçakun dhe Rama, ndërsa përkujtohet Reçaku padit Haradinajn që ka derdhur gjak për Kosovën. Rama dhe Vuçiç dy pjesë të së njëjtës gjë. Turp historik,damkë tradhtie, që do ta shoqërojë gjithë jetën, kjo është për Edi Ramën padia, që vetëm i merr të keqen Ramushit!