Sigal

Sot në mbrëmje starton nata e parë e “Këngës Magjike”.  Ndryshe nga herët e tjera, ky vit përkon me edicionin e 20-të këtij spektakli. Ky përvjetor duket se ka bërë nostalgjikë edhe vetë këngëtarët, këngët e të cilëve u kthyhen në hite pikërisht në këtë festival.

Një ndër to është edhe Orinda Huta.  Pak orë më parë, këngëtarja ka postuar një video në llogarinë e saj të Instagram-it. Shumë vite më parë, teksa performonte këngën e saj më të famshme “Tani e di”, në “Këngën Magjike” të vitit 2002.

“Tani e di”, ishte viti 2002 kur unë mora pjesë për herë të parë në “Kënga Magjike”. Atëherë isha vetëm 15-vjeç dhe momenti kur m’u dha e drejta e pjesëmarrjes e deri tek kjo këngë pata shumë thyerje zemre.

Familja ime nuk kishte mundësi të investonte shumë në një pasion timin sepse gjithmonë më kishin rritur me idenë që muzika duhet të ishte thjesht një hobi. Megjithatë, kurrë nuk ma kishte marrë mendja që do të kisha një ndër këngët më të bukura të atij viti e cila dëgjohet edhe sot.”– shkruan Orinda, e cila nuk harroi që përmes eksperiencës së saj të inkurajojë edhe artistët e rinj.

“Sot, në “Kënga Magjike”, shumë të rinj prekin skenën e madhe e shumë prej tyre suksesin që ndoshta nuk e kishin menduar ndonjëherë. Emocionet bëjnë të vetën, por bëni hapa të sigurtë dhe jini falenderues. Zoti gjithmonë zgjedh mënyrat e veta për të forcuar e lumturuar dhe duhet të jemi krahëhapur ndaj bekimeve. Suksese të rinjve, por edhe këngëtarëve Big në këtë 20-vjetor.”- përfundon ajo.

16 vjet më vonë që nga performaca e saj, Orinda Huta e gjen veten të ulur në panelin e jurisë për të vlerësuar artistët e rinj krah Manjola Nallbanit, Armend Rexhepagiqit, Arben Skënderit dhe Orgesa Zaimit.