Sigal

Bukuroshja e ëmbël e Albanit dhe Miriamit është tashmë dy vjeç e gjysmë. Ka filluar të tregojë interesat e saj të para kundrejt prindërve, ashtu si edhe të dhënat e para si artiste, por për Miriamin akoma nuk është harruar koha kur ajo kaloi plot 18 orë në spital në pritje për ta lindur në mënyrë natyrale dhe pastaj përfundoi me operacion.

Sot, për herë të parë, Miriami rrëfeu edhe “dramë-komedinë”, siç e quajti ajo, historinë e lindjes së Amelisë në Gjermani.

Pas pyetjes së fëmijëve nëse do t’i dhurojë vogëlushes një motër ose një vëlla, ajo tha “besoj se po”, por nuk është akoma gati, sepse e mban mend akoma…

E gjithë historia e lindjes së Amelisë ka qenë si një film dramë-komedi. Unë, si natyrë, jam shumë frikacake, kam frikë nga gjithçka. Edhe kur bëra testin e shtatzënisë, në fillim u gëzova, pastaj u kujtova dhe thashë: “Obobo, duhet të lind…” Çdo natë gjatë atyre muajve nuk flija, sepse mendoja çfarë do të ndodhte. Nejse, 9 muaj i kalova me sukses dhe kur erdhi koha të lind, vendosa të bëj lindje natyrale, por më zgjati plot 18 orë pritja dhe mjekët vendosën në fund që duhet të operohesha. Në Gjermani, në momentin që fëmija lind, nënën e zbulojnë dhe fëmijën e vendosin në trupin e saj, por meqenëse unë isha akoma nën efektin e narkozës, këtë moment e përjetoi Albani.

Ata ia vendosën vajzën Albanit në trup dhe e futën në një dhomë. Pas 25 minutash, kur kishte filluar të më dilte narkoza, dëgjova një zë “Can u help me?” Ishte Albani, i cili nuk kishte lëvizur për plot 25 minuta dhe ishte pothuaj i mpirë pasi kishte mbajtur Amelinë në trup.”

Sapo i erdhi Miriamit pranë, Albani të gjithë inatin e kishte me gjermanët: “Këta gjermanët janë vërtet njerëz të çmendur…” – i tha ai atëherë. Kishin kaluar vetëm 25 minuta, ndërsa ajo, pas 18-orësh, ishte në qiellin e shtatë…

Por edhe ai, natyrisht 🙂