Sigal

I ftuar pasditen e sotme në emisionin ‘Rudina’ ka qenë edhe këngëtari i njohur Mateus Frroku. I pranishëm gjatë verës nëpër qytetet e Shqipërisë, si pjesë e ekipit të ‘Maratona e këngës’, këngëtari ra në sy për ndryshimin e dukshëm në fizik, pasi kishte humbur shumë kilogramë.

“Ajo që ishte më e rëndësishme ishte që performancat e mia në skenë filluan që të kishin lodhje dhe thashë: ‘Prit tani, se kjo është ajo gjëja për të cilën ti do të jetosh dhe për të cilën ti punon kaq shumë. Nuk duhet që të bëhesh vartës i dëshirës për të ngrënë ushqim apo për të mos qenë i kujdesshëm për fizikun tënd’. Mora një vendim duke mos e ditur se si do të reagonte fiziku im. Fatmirësisht, ia dola dhe tani jam në një ditë që në rast se nuk bëj regjimin tim apo ecjen e zakonshme, më duket sikur i kam marrë 36 kilet që kam lënë”, – tregon Mateus.

Më tej ai ka dhënë edhe disa këshilla duke u nisur nga eksperienca personale me ndryshimin drastik. “Unë bëj ecje, vetëm ecje sportive. Vonë e kam kuptuar që ecja sportive është zgjedhja perfekte. Në familjen time, i kam të gjithë sportistë, por nuk bindesha asnjëherë nga fjalët e të tjerëve. Erdhi thjesht momenti kur e vendosa vetë. Më nervozonte shumë fakti kur të tjerët ma vinin në dukje se isha shëndoshur. Ecja ishte zgjidhja perfekte që bëra, vonë e kuptova, sepse vrapi do të ishte një proces tjetër dobësimi, me zemrën gjithmonë në panik. Ecja të relakson fizikisht, ndërkohë që djeg kalori”,-rrëfen këngëtari.

Ndërsa më tej Mateus ka treguar se nuk ha kurrë pas orës 7 dhe ka orar për çdo vakt. Ai nuk konsumon bukë dhe ka kuptuar se kështu ushqimi shijon më shumë.