Sigal

Një ditë përpara festave më të rëndësishme të nëntorit, duket sikur të gjithëve më shumë se kurrë na zgjohet ndjenja kombëtare. Është periudha më e bukur për të treguar gjithë krenari origjinën, traditën të trashëguar brez pas brezi, që na kanë formuar ne si komb që nga lashtësia deri në ditët e sotme. Të njëjtën gjë ka zgjedhur të bëjë edhe Greta Koçi me projektin e saj më të fundit, një kolazh me këngët më të bukura shqiptare ndër vite. Këngëtarja duket se ka zgjedhur këngët që shqiptarët nuk i kanë harruar asnjëherë dhe që me aq shumë dashuri i kanë kënduar atdheut.

Të gjitha këngët që Greta ka zgjedhur për kolazhin e saj, janë të sjella në një version të ri akustik dhe janë të kompozuara aq bukur sa janë në një harmoni të plotë me njëra-tjetrën. Nuk ka të madh e të vogël që nuk di qoftë edhe një varg nga kënga e Vaçe Zelës ‘Rrjedh në këngë e ligjërime’, nga ‘Baresha’ e Nexhmije Pagarushës apo nga kënga arbëreshe ‘Vajta kalova gjithë Kalabrinë’. Me një ndërthurje kaq origjinale të këtyre këngëve me zërin e Gretës është e sigurt se ky kolazh do t’u mbetet të gjithëve në mendje në këto ditë festash.