Dhuratë e Zotit! Mesazhi prekës për diversitetin njerëzor

817
Sigal

Nisja e muajit tetor është nisje edhe e fushatës sensibilizuese për të prekurit me sindromën down.

Në një kujtim që Blerina, ish bashkëshortja e të ndjerit, doktor Flori, kishte ndarë për ndjekësit e saj, ishte edhe ky mesazh prekës dhe senisbilizues në të njëjtën kohë i vënë ‘në gojën’ e të voglit të saj Daniel, drejtuar babait të tij të paharrueshëm Dr. Flori:

‘Unë quhem Daniel Kondi dhe jam vetëm 15 muajsh. Babi im mori vesh gjithçka 3 ditë përpara se unë të nisja rrugëtimin tim në barkun e mamit, madje edhe emrin tim Daniel që më pëlqen kaq shumë.

Rrugëtimi im ishte shumë i bukur, siç është i të gjitha bebeve! Mami im më shihte shpesh kur unë isha tek barku i saj përmes ekos…Kisha vetem 4 muaj që isha krijuar kur mjeku i tha mamit dhe babit se kocka e hundës time nuk dallohej mirë dhe unë mund të kisha një kromozom më shumë se fëmijët e tjerë…I dëgjoja tek diskutonin me njëri-tjetrin madje shpesh herë edhe qanin…por ata ishin mami e babi im ndaj vendosen që unë të vazhdoja të isha bebja e tyre dhe pavarësisht çdo gjëje do më donin shumë.

Ditën që erdha në jetë nuk do ta harroj kurrë që babi më mori në krahë dhe tha: “Daniel, babi të do shumë shumë, ti je shume i çmuar për mua!” A nuk kam të drejtë të mburrem me babin tim? A nuk kam të drejtë të them se ai është heroi im? Ai sot nuk jeton më por ja ku jam unë që jetoj për të! Kromozomi im nuk e zvogëloi dashurinë e tij për mua, përkundrazi e shtoi edhe më shumë.

Kështu unë erdha nëe jetë dhe njoha motrën time Kaltrinën dhe tani mund të luaj me lodrat e mia, të përplas duart sa herë që më thonë “Braaavooo Daniel!”, të kërcej kur dëgjoj këngët e mia të preferuara dhe më kryesorja të dëgjoj fjalët e bukura të mamit tim e cila më thotë shpesh që jam një bekim i madh, dhurata më e bukur që Zoti i dhuroi!”