Ardian Bujupi viziton të prekurit nga tërmeti në Shqipëri

542
Sigal

Disa ditë më parë, këngëtari i njohur Ardian Bujupi me një video të publikuar në Instagram, ka shprehur keqardhjen e tij për fatkeqësinë natyrore dhe kërkoi falje që nuk mund të jetë prezent që të japë kontributin afër njerëzve në nevojë si shkak i angazhimit të tij në turne.

Megjithatë, duket se ai prapë gjeti kohën dhe shkoi në Shqipëri ku edhe vizitoi disa familje dhe shtëpi të prekura nga tërmeti që la 51 persona të vdekur e qindra të tjerë të lënduar.

Këtë e bëri të ditur përmes disa postimeve të publikuara në rrjetet sociale, ku tregon gjendjen e mjerueshme pas tragjedisë në Shqipëri.

Në ndërkohë, për tërmetin e fundit tashmë janë solidarizuar thuajse të gjithë artistët e estradës, me grumbullimin e fondeve të ndryshme, duke vizituar të mbijetuarit e po ashtu ka prej tyre që morën iniciativë për të ndërtuar edhe shtëpi.

Kur jemi tek shtëpitë, këngëtarja shqiptare me famë botërore, Bebe Rexha, erdhi enkas në shtetin amë për t’i takuar nga afër njerëzit, ndërsa zgjodhi dy familje shqiptare për t’iu rindërtuar shtëpitë.

Ajo premtoi se në të ardhmen do dëshironte të vinte edhe në Kosovë dhe në vendet e tjera shqiptare, por jo sikurse tani.

Nga ana tjetër, Ardiani ka filluar turneun e koncerteve me qëllim të promovimit të albumit të ri të titulluar “Rahat”.